EKSKLUZIVE/ Gilman Lika: Tirana 90% jashtë Europës, Vllaznia nën presion se fluturojnë drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 20:57

EKSKLUZIVE/ Gilman Lika: Tirana 90% jashtë Europës, Vllaznia nën presion se fluturojnë drejtuesit

Vllaznia-Tirana është një klasike që shumë futbollistë kanë pasur shansin ta luajnë ndër vite, por ka edhe nga ata që kanë provuar ndjesi të çuditshme, pasi janë aktivizuar për të dyja skuadrat në periudha të ndryshme. Një prej tyre është Gilman Lika, mesfushori shkodran që ka mbajtur shiritin e kapitenit në të dyja ekipet dhe për më tepër ka fituar trofe si me Vllazninë, ashtu edhe me Tiranën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lika analizon ndeshjen e së shtunës, rëndësinë që ka ky takim për shkodranët, por edhe situatën jo të mirë që ka kaluar ekipi në javët e fundit. 34-vjeçari është pa ekip prej disa muajsh, por nuk i bën zemra ta pranojë se është tërhequr.

lika

Gilman, Vllaznia ka pasur oshilacione në javët e fundit, por gjithsesi vazhdon të kryesojë renditjen e shkëputur me 4 pikë nga Partizani. Sipas jush, çfarë ka ndryshuar në skuadër?

Të gjithë njerëzit e kanë parë që në pesë ndeshjet e fundit Vllaznia nuk ka qenë aty ku jemi mësuar ta shohim në dy fazat e para të kampionatit. Megjithatë, unë mendoj se është një situatë normale, pasi çdo skuadër ka atë rënien e vet gjatë një sezoni. Është e pamundur që gjatë të gjithë kampionatit ekipi të jetë me një ritëm shumë të lartë. Por, gjithsesi është momenti për të bërë kthesën, sepse nëse pretendojmë për një gjë të madhe, është kjo ndeshje me Tiranën që duhet të ndryshojë çdo gjë për mirë.

E ka kontingjentin e duhur Vllaznia për ta përballuar gjithë sezonin apo mendoni se nuk ka një stol të fortë?

Realisht, nuk kam dëshirë që të analizoj nëse e ka fajin ajo pjesë e lojtarëve që janë pjesë e stolit dhe futen në formacion në ndeshje të veçanta kur ka mungesa. Ata janë të gjithë në grup dhe nuk është momenti nga ne që të përcjellim kritika. Vllaznia është në një situatë që ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Prandaj, gjithsecili prej nesh, me aq sa ka mundësi, duhet t’i japë sa më shumë optimizëm skuadrës që të kthehet sa më shpejt tek ajo diferencë pikësh, siç ishte më përpara me ndjekësit.

A ka filluar Vllaznia ta ndiejë presionin e titullit që ndoshta vjen vetvetiu kur je në pozita të tilla?

Ndoshta është e vërtetë, por duhet të kuptojmë që futbolli kështu është. Me apo pa presion, ata duhet të jenë në gjendje që ta menaxhojnë këtë situatë dhe ta kthejnë në favorin e tyre.

Si ju është dukur qëndrimi i drejtuesve të klubit këtë periudhë?

Gabimi i tyre është që janë të parët që kanë fluturuar kur skuadra ka marrë fitore dhe kjo gjë nuk është në të mirë të ekipit. Ata duhet të fluturojnë me deklarata atëherë kur të na shpallë matematika kampion.

Të shtunën luhet klasikja e futbollit shqiptar dhe kjo ndeshje i gjen skuadrat në pozita të ndryshme. Çfarë prisni këtë herë?

Kështu ka ardhur situata këtë sezon, që Vllaznia të luftojë për titullin dhe Tirana të mos jetë aty ku pretendon. Ne si shkodranë jemi të kënaqur që ekipi ynë është në këtë pozitë, por të them të drejtën, mendoj se është një ndeshje, e cila do të thotë shumë për vazhdimësinë e Vllaznisë. Nuk duhet ta mendojë askush që është ndeshje e lehtë, pavarësisht se Tirana po kalon një moment të vështirë. Rezultatet jo të mira që ata kanë patur së fundmi, si dhe shitja e Ernest Muçit, do të thotë se 90% e kanë kuptuar se nuk do të kapin dot as Europë. Por, gjithsesi Tirana mbetet e fortë dhe shoh një ndeshje të vështirë, që duhet vlerësuar në maksimum.

ilion gilman lika vllaznia tirana

Rikthimi i disa titullarëve që munguan në Korçë është një shans i mirë për t’u rikthyer te fitorja?

Kjo është një nga ato arsye që ekipi nuk ka shkuar mirë, sidomos në ndeshjen ndaj Skënderbeut. E kam për pjesën e parë më shumë, sepse në të dytën, mendoj se luajtën mirë.

Ju keni luajtur me Vllazninë dhe Tiranën disa vite, duke fituar edhe trofe. Cilat mendoni se janë avantazhet e shkodranëve këtë herë?

Vllaznia mendoj se ka atë avantazhin e momentit negativ që po kalon Tirana. E njëjtë gjë mund të pretendohet edhe nga Tirana, që nga ana e saj, gjykon se Vllaznia është në një situatë jo të mirë. Aktualisht është futur pak presioni tek lojtarët kuqeblu dhe natyrisht që edhe Tirana vjen për ta fituar ndeshjen, pasi nuk ka çfarë të humbë dhe kërkon të shfrytëzojnë një gjë të tillë.

Cila është më afër fitores në këtë përballje?

Të them të drejtën parashikimet nuk i kam shumë qejf. Por, sigurisht, gjithmonë e kam thënë se tifoz jam me Vllazninë. Edhe kur kam qenë tek Tirana, kam deklaruar se tifoz jam me Vllazninë. Këshilla ime është që djemtë duhet ta vlerësojnë maksimalisht këtë ndeshje, sepse Vllaznisë nuk i lejohen më hapa falsë.

Të mërkurën u hodh edhe shorti i Kupës për turin çerekfinal, teksa Vllaznia do të luajë ndaj Korabit të Kategorisë së Parë. E shikoni Kupën si një mundësi ku shkodranët mund të jenë më të sigurt për Europën apo jeni i bindur se diçka e tillë është thuajse e arritur përmes kampionatit?

Patëm fat edhe tek shorti. Unë mendoj se kjo është mundësia më e afërt dhe më e shpejtë për të arritur Europën. Është një mundësi shumë e mirë për mendimin tim, edhe pse jemi në garë për titull.

Keni qenë lider te Vllaznia dhe këtë sezon jeni jashtë saj. E keni ndierë shumë faktin që nuk po luani më?

Sigurisht që mungesën e futbollit në përgjithësi e kam ndjerë këto muaj, por sikur të isha pjesë e ndonjë ekipi që lufton vendet e para, do të ishte diçka më e mirë. Megjithatë, edhe kjo ka pjesën e vet, sepse më ka dhënë më shumë mundësi kohore të kaloj me familjen, gjë të cilën nuk e kam pasur asnjëherë kaq shumë gjatë karrierës time.

Mund ta quajmë një shkëputje të pjesshme të Likës, me mundësinë e rikthimit sërish në fushë?

Të them të drejtën, përveçse e dashuroj futbollin, jam edhe një tip sportiv, që nuk e lë veten asnjëherë pa stërvitje. Pra, gjatë gjithë kohës angazhohem me stërvitje duke e mbajtur trupin në formë. Nuk mund të them për një plan, që po pres apo nuk po pres, por nuk i dihet, nganjëherë fati vjen aty ku nuk e pret. Gjithçka mund të ndodhë…

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"