EKSKLUZIVE/ Fitorja e parë e Shqipërisë jashtë, ish-trajneri Bajko: Shikoja vetëm orën, ju tregoj dy pengjet e mëdha (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 15:57

EKSKLUZIVE/ Fitorja e parë e Shqipërisë jashtë, ish-trajneri Bajko: Shikoja vetëm orën, ju tregoj dy pengjet e mëdha (E PLOTË)

Kombëtares shqiptare të futbollit iu deshën afro 5 dekada për të marrë një fitore në transfertë në një kompeticion të rëndësishëm. Këtë e arriti me një grup lojtarësh fantastikë, por edhe me një trajner që jepte gjithçka në ato kushte të vështira, si Neptun Bajko.

MixCollage-17-Nov-2023-01-44-PM-7458 (1)

Kanë kaluar 28 vite nga ai sukses historik, por Bajko ka një memorie të admirueshme dhe kur nis të flasë duket si një enciklopedi. “Nuk merrnim dot lojtarët që luanin jashtë sepse nuk kishim lekë për biletat. Ja këto halle kishim atëherë. Por kishim lojtarë të mëdhenj në ekip dhe ata të zbardhnin faqen”, thotë Bajko ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Më tej ai ngre shqetësimin se në ndeshjen e sotme vetëm trajneri është me këmbë në tokë, ndërsa lojtarët shumë euforikë.

E dinit që Shqipëria nuk kishte fituar asnjë ndeshje jashtë, por a e ndienit që ju mund ta thyenit atë tabu?

Të them të drejtën, si trajner në radhë të parë, pavarësisht nga dëshirat ose ëndrrat, gjithmonë ne mendojmë të keqen në fillim dhe i ruhemi që të mos ndodhë humbja ose ndonjë rezultat negativ. Kjo është e para që mendojmë. E dyta, ne i kemi pasur me siklet edhe ndeshjet brenda dhe jo vetëm jashtë. Kjo, sepse edhe periudha kur funksiononte përfaqësuesja e Shqipërisë, kishte vështirësi të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.

Pse?

Vështirësia e parë e një trajneri të përfaqësueses së Shqipërisë në vitin 1994-1995. E para, një nga kushtet që Sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishi, më thoshte: “Në këtë ndeshje nuk do të marrësh më shumë se 8-9 lojtarë nga jashtë, sepse nuk kemi mundësi as për vizitat dhe as për akomodimin. Varfëri! Por unë, meqë e kisha mik të ngushtë Gjergj Thakën, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv në federatë, i jepja atij 11-12 emra dhe i thosha, “këta do të lajmërosh dhe fute poshtë këtë…” Ata kishin një si shtojcë në tavolinën e punës që e ngrinin lart dhe fusnin aty ndonjë dokument. “Këtë fute poshtë – i thosha, – ndërsa lart lër listën me 7-8 futbollistë që thotë Edi…” (Qesh). Kjo ishte vështirësia e parë, pra nuk merrnim shumë lojtarë nga jashtë. E dyta, ishte niveli i kampionatit. Unë, megjithëse e ndiqja sa mundja në Tiranë, nëpër rrethe, për të gjetur ata lojtarë që më duheshin pikërisht për një ndeshje speciale, s’po flas për Gjermaninë e Portugalinë, por për Moldavinë, prapë kisha vështirësi. Por për fat të mirë në këto ndeshje më kanë plotësuar me 13-14 futbollistë nga jashtë.

Po vështirësi tjetër?

Më thoshin “mos kërko të shkosh te 15-katëshi. Ja shiko se kemi Dajtin, ose shkojmë në Ishull-Lezhë se aty kemi hotelin e gjuetarëve dhe kemi miq aty na rregullojnë pa shpenzime, pa lekë…” Këtyre vështirësive u shtohet edhe tjetra, që pavarësisht se ne kishim materiale për ta nxjerrë një ndeshje, ishte e ndaluar që ne të shkëmbenim fanellat, që shpeshherë lojtarët kishin dëshirë ta bënin këtë. Të më falni tani se po e lë mënjanë modestinë, por rroga e trajnerit atëherë ishte 7500 lekë të rinj. Madj mbaj mend se në një takim që arrita të bëj me kryeministrin Aleksandër Meksi, nëpërmjet ndërhyrjes së Edmond Spahos, i kërkova që të paktën në grumbullimet që bëheshin në Tiranë, t’u jepnin lojtarëve nga 50 ose 70 dollarë, etj., etj. Pra, nuk kishte asnjë lloj mundësie të bënim diçka speciale. Dhe, në këto kushte vinin lojtarët, që me thënë drejtën kishin një dëshirë të jashtëzakonshme të vinin në përfaqësuese. Ata jepnin gjithçka dhe nga pikëpamja e mobilizimit, e dëshirës, e krenarisë së lojtarëve që vinin nga shtete të ndryshme dhe më ndihmonin që unë të mos kisha pikë meraku. Madje, isha i lehtësuar, sepse nga ana morale dhe psikologjike nuk kishte nevojë të punoja unë, sepse ishin ata që më jepnin mua impulse pozitive për të qenë i qetë gjatë ndeshjes. Dhe këtu dua të them të drejtën, asnjëherë nuk kam qenë i qetë.

Në atë periudhë edhe Moldavia si shtet kishte probleme serioze ekonomike, pra edhe ata ishin shumë të varfër në atë periudhë…

Po, po, edhe ata shumë të varfër ishin. Por, unë kam bërë diçka brenda mundësive të mia, kërkova të kisha në stafin tim Refik Resmjen, një njeri i shkëlqyer, lojtar shumë i madh, si dhe Enver Shehun. I mora të dy dhe këta i konsideroj si dy pluset, favoret e mia në drejtimin tim të përfaqësueses. Në kohën që do të luante Moldavia me Bullgarinë, në mos gabohem, arrita të dërgoj Resmjen, që kishte me mall shumë të madh të shkonte edhe një herë në Bashkimin Sovjetik ku kishte luajtur në turne futbolli. Atij iu mundësua të shkonte në Bullgari të shihte ndeshjen dhe kur u kthye, më ka bërë një raport të detajuar me shkrim dhe me orë të tëra pastaj me gojë kemi biseduar duke më bërë një përshkrim të shkëlqyer të çdo lojtari. Pra, si ishin, çfarë cilësish kishin etj., etj. Ndërsa raportin me shkrim që më bëri unë e ruaj edhe sot. Enver Shehu shkoi në Bullgari ku pa ndeshjen e Bullgarisë me Gjermaninë, dhe, edhe ai më bëri një raport, sepse kështu ishin mësuar. Ishin shumë të ndjeshëm, shumë profesionalë dhe e donin me shpirt futbollin. Jepnin gjithçka për të. Dhe të gjitha këto më bënë mua që të arrij ato suksese me përfaqësuesen, që për kohën nuk kishin çmim, ishin të jashtëzakonshme. Tani është si nata me ditën, është e pakrahasueshme me atë kohë.

Kombëtarja e Shqipërisë që fitoi 3-2 në Moldavi Fotot nga arkivi i Neptun Bajkos

Kombëtarja e Shqipërisë që fitoi 3-2 në Moldavi                                              Fotot nga arkivi i Neptun Bajkos

Kur në fund u dëgjua fërshëllima e bilbilit në fushë, çfarë ndjesie ishte, çfarë përjetuat ju pas fitores së parë në transfertë?

Në ato momente, kur u bë goli i tretë, pra kur gjuajti Rudi Vata, që ishte një befasi e madhe edhe për mua, sepse unë mendova se ai do të krosonte, por Rudi gjuajti direkt… Mbaj mend se nga ai moment e derisa mbaroi ndeshja, më janë ngulitur dy gjëra thellë në mendje që nuk do të më shlyhen kurrë. E para, që shikoja çdo sekondë orën dhe e dyta, kisha ndërmend vetëm të bëja ndërrimin që të fitoja kohë. Të fitoja gjithmonë atë kohë, që hë, ta shtyj derisa të mbarojë. Nuk ka gjë më të lodhshme se ato minuta shtesë kur të duhet të mbrosh rezultatin e një fitoreje që ishte historike.

Si u prit këtu?

Unë ndjesinë e parë e kam pasur gjithmonë në Rinas. Nga koha kur zbrisnim nga avioni e derisa takonim duke nisur me punëtorët e bagazheve, pastaj policët, impakti i parë ishte pikërisht me ta. Sytë e tyre kishin vështrime shumë inkurajuese, lavdëruese dhe unë aty ndihesha tjetër njeri. Aty i merrja të gjitha vlerat e një pune të gjatë të një trajneri, të një lodhjeje të stërmundimshme të një trajneri. Këto momente janë të rralla në jetën e njerëzve, në jetën e atij që ushtron si profesion trajnerin.

Kur ka qenë momenti më i vështirë gjatë atyre ndeshjeve?

Momenti i parë i vështirë ka qenë në një lojë që asnjëherë nuk është përmendur, por është cilësuar vetëm rezultati, sepse ne kështu jemi, po humbe mbetesh vetëm te humbja, po fitove mbetesh vetëm te disa aspekte të lojës që ke fituar dhe vetëm kaq. Por, unë e kam ndier të parën vështirësi në Bullgari, ku ekipi pavarësisht se ne humbëm 3-0, që nga rezultati duket sikur Bullgaria e ka zotëruar komplet lojën, por jo. Ajo ka qenë një ndeshje shumë e mirë, nga më të mirat tonat, sidomos në aspektin taktik. Ka qenë një ndeshje, që nëse Kushta do të kishte realizuar (megjithëse nuk ka nëse…) një aksion ku mbrojtja e Bullgarisë u kap komplet në befasi me një top të gjatë të Zmijanit nga mbrojtja, pra nga 16-shja në drejtim të kundërt dhe Kushta doli vetëm me portierin. Fatkeqësisht nuk ia doli dhe aty jam dëshpëruar shumë. Madje u kam thënë edhe lojtarëve, duke menduar edhe një largim timin. U kam thënë: – “Jeni lojtarë të mëdhenj. Unë këtë di të them. Më keni nderuar mua, keni nderuar veten, keni nderuar Shqipërinë. Pavarësisht nga kjo humbje mbajeni kokën lart”.

Dhe ajo ka qenë Bullgaria e Stoiçkov, Balakov, Leçkov…

Po, po, Leçkov, Kostandinov… Bullgaria e ’94 që ishte e katërta në botë. I kam vlerësuar futbollistët, dhe duhet të kuptoni se nuk kisha as Demollarin, të cilin e futa vetëm 10-15 minutat e fundit, sepse nuk ishte në gjendje të mirë. Ndërsa pengu im i dytë, më i madhi, po, po, më i madhi, pa dyshim, që nuk do të më hiqet nga kurrë nga mendja, është mosardhja e lojtarëve.

Për çfarë e keni fjalën saktësisht?

Unë kam luajtur në Gjermani, në Kaizlerslautern. Jemi mundur 2-1. Ishte Gjermania e Këpkes, Mateusit dhe Klinsmanit. Madje këta të fundit kanë bërë golat, ndërsa për ne shënoi Rraklli një gol fantastik. Por, ama në atë ndeshje luajtëm pa Lefter Millon, Rudi Vatën, Bledar Kolën, që u sëmur 15 minuta para se të dilnim në nxehje. Kështu, jam detyruar të fus Malkon, Shulkun, Fortuzin. A e mendoni tani që të luash me atë Gjermani?! Pati edhe një moment kur presidenti i federatës gjermane, një natë më parë kur u shtrua banketi tradicional, i tha presidentit tonë të atëhershëm (Edmond Spahos): – Nesër kemi hakmarrjen. Më vjen keq, po pa 10 gola nuk dilni nga kjo ndeshje. Dhe presidenti ynë, në orën 01:00 të natës, pasi kthehet nga banketi, më vjen në dhomë. Unë isha zgjuar, isha në korridorin kryesor dhe kisha në kujdes lojtarët që të mos dilnin, të mos na shqetësonin emigrantët, se këta të fundit vinin pafund, dhe më thotë: – “Ti gjumë s’ke për të fjetur sot, po, p,o ta them se kam merak. – Çfarë? – ia ktheva. – Kështu më tha Braun, presidenti i federatës gjermane, – nesër do të shohim një festival golash. Mjaft na jeni bërë rrodhe ju shqiptarët…” Por, të nesërmen jo vetëm që nuk panë festival, por panë një furtunë të vërtetë ndaj asaj Gjermanie që doli kampione Europe, ku 3000 – 4000 emigrantë shqiptarë nuk reshtën së brohorituri ShqipëriaShqipëria, me daulle e me flamuj.

Neptun Bajko përqafohet me Kushtën dhe Kaçajn pas golit të vlonjatit

Neptun Bajko përqafohet me Kushtën dhe Kaçajn pas golit të vlonjatit

Dhe Gjermania atëherë ka pasur në përbërje Mateus, Këpke, Zamer, Klinsman, Kirshten…

Të gjithë lojtarë të mëdhenj. Por ne kështu, në të tilla kushte kemi punuar, në të tilla kemi jetuar, në të tilla kushte të futbollit shqiptar kemi dhënë më të mirën tonë, brenda të gjitha atyre që kërkon një ekip përfaqësues. Njeriu nuk kënaqet asnjëherë me punën e tij, kërkon gjithnjë më shumë e më shumë. Mua më vjen keq që asnjëherë, njohuritë e mia, pasionin tim, sakrificën time ta kem plotësuar ndonjëherë. Gjithmonë kam qenë mangët, sepse ose do të mungonte diçka, ose nuk do të kishim diçka, ose do të vinin të tjerët me vonesë etj., etj.

Ne kemi mundur dy herë Moldavinë atëherë dhe sërish e kemi mbyllur në vend të fundit. Si ka mundësi?

Po, e kemi mundur 3-0 këtu… Ne kemi grumbulluar 8 pikë, sa Uellsi, por me golavarazh më mirë dhe hera e parë që nuk jemi vendosur në vendin e fundit, por të parafundit. Sepse Uellsi e kishte -10 golavarazhin dhe ne e kishim -6. Ndërsa sot historia ka ndryshuar. Ne po luajmë për rekorde.

Si mund të përballohet ndeshja e nesërme (sotme) për të mos pasur ndonjë surprizë?

Mendimi im i parë është se unë shoh që Silvinjo është i preokupuar jashtëzakonisht shumë, kur mund të ishte dhe shumë më i qetë. Por, jo, sepse ai e vlerëson futbollin dhe e di se çfarë pasoja ka kur ti nuk e vlerëson 100 për qind e mos më shumë situatën, pra kur nuk vlerëson angazhimin e lojtarëve për të bërë diçka të mirë. Më pas, në kundërshtim me trajnerin, shoh një ekip shumë entuziast, një ekip të kënaqur, por jo me atë ndjenjën e përbashkët sikurse është trajner-ekip. Trajneri në këtë aspekt qëndron në pozita më realiste sesa lojtarët. Por, në fund të fundit, trajneri vetëm 30 për qind ka në dorë, 70 për qind e kanë lojtarët. Shpresoj që entuziazmi dhe besimi i lojtarëve të shpërblehet dhe të thyhet rekordi i çdo trajneri, çdo ekipi në Moldavi. Suksese çunave që na çuan atje ku kanë ëndërruar të gjithë.

Profesor, ju kur ishit në Moldavi, çfarë u thatë lojtarëve para ndeshjes, ose më saktë a u thoshit ndonjë gjë lojtarëve zakonisht?

Unë para ndeshjes me lojtarët kam ecur dy orë në rrugët dhe gjelbërimin e Kishinjevit. Lojtarët ishin ndarë në grupe dyshe-treshe dhe shëtitsnim sikurse bëhej shëtitja në atë kohë në Tiranë, ecnim dhe ktheheshim dhe kur ktheheshin përshëndeteshim me njëri-tjetrin. Shikoja që lojtarët ishin 2-3 bashkë, bënin biseda, ngacmonin njëri-tjetrin. Kjo ka qenë ajo që kam bërë unë ajo para ndeshjeve dhe këtë gjë u kam lejuar lojtarëve, sepse kur vinte mbrëmja, unë, Hito Hitaj e Lluka Heqimi bëheshim roja nr.1 në dyert e hotelit, te dhomat e sportistëve. Kontroll për çdo gjë, për çdo aspekt. Në këtë anë Moldavia ishte e rrezikshme… (qesh).

8822

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"