EKSKLUZIVE/ E ardhmja e sportit në Vlorë, rrëfehet kryebashkiaku Dredha: Flamurtari meriton gjykim korrekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 13:28

EKSKLUZIVE/ E ardhmja e sportit në Vlorë, rrëfehet kryebashkiaku Dredha: Flamurtari meriton gjykim korrekt

Ermal Dredha për herë të parë nga marrja e detyrës si kryebashkiak i Vlorës, rrëfehet gjerësisht për sportin. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, numri një i bashkisë thotë, se e ndjek Flamurtarin dhe e vlerëson për lojën që ka zhvilluar, por ka një këshillë edhe për gjykimin, që të tregohet i kujdesshëm me skuadrën dhe t’i japë çdokujt çfarë meriton.

ermal dredha

Dredha flet edhe për projektet në sport, stadiumin e ri dhe Vlorën si “Qyteti Europian i Sportit”.

Dredha, jeni tifoz apo sportdashës?

Unë i kam pak nga të dyja. Jam marrë vetë me sport. Kam qenë në klasë sportive në shkollën “Lef Sallata”. Todi Driza ka qenë trajneri im në atë kohë. Jam sportdashës, sepse udhëtimi im me sportin ka nisur që fëmijë. Jam marrë fillimisht me volejboll për shumë vite. Pastaj kam kaluar te futbolli, derisa pësova një incident duke luajtur futboll. Tani nuk e praktikoj dot më, por bëj ecje. Përveç lidhjes me sportin është një detyrë që duhet të ketë çdo bashki dhe kryetar bashkie.

Me kë jeni tifoz?

Tifoz jemi të gjithë nga pak. Unë jam tifoz me Flamurtarin. Futbollin e kam një nga pikat që më shoqëron nga fëmijëria deri më sot. Për shkak të angazhimit që kam, nuk gjej dot kohë tani të shikoj futboll, por kur kam mundësi e bëj me kënaqësi.

Ju thoni se jeni tifoz me Flamurtarin, që sot nuk është në Superiore por në Kategorinë e Parë. Keni sfidë që brenda mandatit tuaj Flamurtari të ngjitet në elitë?

Po të ishte detyrë e bashkisë, patjetër që do ta merrja edhe si sfidë. Ne këtu jemi pjesë plotësuese, pavarësisht nuk e posedojmë Flamurtarin si pronarë. Është angazhimi i një personi tjetër, biznesmen i njohur, Sinan Idrizi. Ka hedhur pafund nga financat e tij për ta çuar përpara ekipin. Pastaj të gjykojmë sa mirë apo sa keq, është edhe angazhimi në ekip. Pra, investitori e ka bërë detyrën e vet. I ka shpenzuar këto financa për ta parë Flamurtarin në Superiore. Shpresojmë që të kemi një lajm të mirë në fund të këtij kampionati, ta shikojmë në Superiore ekipin tonë të zemrës. Shpresojmë të bëhet më e mira.

Do të ishit krenar që në fund të mandatit ekipin ta shikonit në elitë?

Patjetër, ne jemi prezent te Flamurtari. Shpresojmë që të bëhet më e mira. Po bëhet punë e mirë. Unë e kam parë Flamurtarin dhe nuk është se ka luajtur keq. Nuk kam dëshirë të përmend edhe problematikat që kanë ndodhur me gjyqtarët. Kemi qenë prezent vetë dhe ka pasur ankesa për mënyrën e trajtimit nga gjykimi në ndeshje të caktuara kundër skuadrës sonë. Duhet të trajtohemi të gjithë njësoj, pasi në fund është një investim njerëzor, por edhe nga ana fizike sa i takon sportistëve dhe ana financiare nga financuesi i ekipit. Është viti 2024 dhe teknologjia na lejon të kapim çdo gabimi, apo shkelje nga ana e gjyqtarëve kundër Flamurtarit. Duhet të marrim atë që meritojmë. Shpresojmë t’i evitojmë këto gjëra.

Me Flamurtarin e keni zgjatur kontratën edhe me një vit. Kjo është zgjatja e fundit, apo do të hapet ankandi për shitjen e aksioneve?

Nuk flasim për zgjatje të fundit apo të parafundit. Duam të kapim të gjitha procedurat edhe të aspektit ligjor, që të jemi edhe ne në rregull me ligjin dhe t’i bëjmë gjërat siç duhet. Patjetër që do të hidhemi pastaj në ankand për ta privatizuar dhe ta marrë kush ka mundësi, si Flamurtarin ashtu dhe Orikun. Do të shihet edhe se si do të harmonizohet pjesa e përqindjeve në raport me bashkinë, por edhe me ata që do të financojnë këto klube, pra që do të blejnë aksionet.

Bashkia është pronare edhe e Orikut, që sot gjendet në Kategorinë e Dytë. Cila është e ardhmja e këtij klubi?

Për Orikumin unë u mundova që në momentin e parë, edhe vitin e kaluar, t’u jepja një ndihmë simbolike financiare. Nuk mund të themi që ai suport që ne dhamë mund të mbulonte të gjitha hallet e Orikumit. Megjithatë, mund të shikojmë se çfarë mund të bëjmë këtë vit. Kjo bie ndesh edhe me atë që çfarë duam ne në vazhdim. Duam që të fillojmë edhe procesin e privatizimit të këtyre klubeve.

Investimet në sport, çfarë parashikon projekti “Vlora Sport”?

“Vlora Sport” do të jetë një nga polet më të rëndësishme të qytetit në të gjithë dimensionin e vetë. Do të përcjellë pjesën elitare se si duhet. Do të quhet si një klub shumësportësh me të gjithë atë që përmban ajo si fjalë. Do të jetë e të gjitha strukturave. Do të ketë pishinë olimpike, palestër moderne, pallat sporti dhe një stadium që Vlorës i ka munguar prej kohësh. Projekti është përqafuar nga të gjithë dhe është ambicioz dhe do të krijojë kushte spektakolare. Kryeministri Rama është shumë i angazhuar për këtë projekt dhe këtë gjë e theksoi edhe në vizitën më të fundit që bëri në Vlorë.

Po në fushat e Pyllit të Sodës, çfarë parashikohet?

Ekziston një projekt aty. Është një fushë ekzistuese, por edhe një propozim që është bërë prej vitesh. Nuk e di pse nuk është bërë më parë. Kam marrë një dakordësi nga qeveria dhe jam në konktakt me iniciatorin që është zoti Idrizi, për ta zhvilluar atë zonë. Aty do të stërvitet ekipi i Flamurtarit dhe jo vetëm. Nëse ne fillojmë investimin te stadiumi, duhet që ato fusha të jenë gati. Po rishikojmë projektin, që të jetë një investim, i cili të bëhet njëherë e mirë. Do të dalë diçka e bukur. Ka qenë objekt bisede edhe në takimin e fundit që kemi pasur me kryeministrin Rama. Edhe nëse ka ndonjë problem pronësie në atë zonë, duhet ta zgjidhim.

Vlora ka marrë titullin “Qyteti Europian i Sportit”. Si ndiheni?

Ka qenë shumë interesante, se ishte momenti që unë sapo mora detyrën më 3 korrik të vitit që shkoi. Kam pasur një propozim nga zv.ministri i Arsimit dhe Sporteve që erdhi me një propozim konkret. Më pëlqeu shumë si ide dhe mora shkas edhe nga ajo që ka ndodhur në Tiranë. Patjetër që kishim dyshime brenda vetes, pasi na duhen sa më shumë investime në infrastrukturën sportive. Në momentin që u bë vizita nga delegacioni europian, ata e panë si motivuese pjesën e jashtme të terreneve në ambiente të hapura. Duam që Vlora të mos jetë vetëm e Vlorës, por e të gjithëve, pasi realisht e meriton. Do të kemi aktivitete dhe sportistë që do të sjellin magji gjatë gjithë vitit. Mesazhi është që të motivojnë të rinjtë që të merren me sport. Po mundohemi të sjellim atë që Vlora ka pasur me kohë, “diamant” të vetin, pasi ka prodhuar sport elitar. Kemi Flamurtarin e futbollit, basketbollin, volejbollin, mundjen, peshëngritjen. Këto disiplina sportive na kanë bërë të gjithëve krenarë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"