EKSKLUZIVE/ Dy oferta të majme për yllin e Kukësit, verilindorët duan më shumë para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 21:25

EKSKLUZIVE/ Dy oferta të majme për yllin e Kukësit, verilindorët duan më shumë para

Mustafa Gbolahan Salami është ylli i Kukësit të këtij sezoni. Sulmuesi i djathtë ka rënë në sy me shpërthimet e tij dhe thuajse në çdo ndeshje ka qenë ndër më të mirët për blutë, ndonëse këtë vit skuadra nuk ka qenë në nivelet e duhura.

GBOLAHAN SALAMI MUSTAPHA

I afruar në merkaton e kësaj vere, 22-vjeçarit i ka mjaftuar vetëm një gjysmë sezoni për të treguar talentin e tij dhe u vënë menjëherë nën lupën e skuadrave të ndryshme, kryesisht ato jashtë vendit, që janë të gatshme të paguajnë për të marrë shërbimet e tij. Këtë sezon ai ka luajtur plot 20 ndeshje dhe ka shënuar dy gola në Kategorinë Superiore.

KËRKESAT – “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se për nigerianin ka pasur shumë kërkesa, që kanë trokitur në dyert e klubit të Kukësit. Burimet theksojnë se janë dy skuadra të Ligës së Dytë në Francë, si Paris FC dhe Rodez AF, që po e kërkojnë me ngulm. Bëhet fjalë për ekipe që janë të gatshme të ofrojnë deri në 150 mijë euro për të marrë shërbimet e nigerianit. Gjithashtu, interes ka pasur edhe nga skuadra kazake dhe suedeze. Mirëpo, duket se për momentin klubi i Kukësit po reziston, me shpresën se do të fitojë diçka më shumë nga ky lojtar. Megjithatë, duke parë se kjo është mundësi e mirë për një skuadër si Kukësi, që vitet e fundit ka pasur jo pak probleme me financat për shkak të mos pjesëmarrjes në Europë, klubi mund të “dorëzohet” dhe ta lërë të lirë për 150 mijë euro. Nga ana tjetër, do të ishte edhe një mundësi e mirë për Salamin në rritjen e tij në karrierë dhe duket si një operacion që i leverdis të gjitha palëve. Nigeriani ka kontratë edhe vitin e ardhshëm me blutë dhe nëse nuk arrijnë ta shesin dot tani në janar, janë të detyruar ta bëjnë më pas në verë, për të mos e humbur me parametra zero. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë ngjarjet këto ditë të fundit të merkatos.

STRATEGJIA – Kukësi i ka reduktuar ndjeshëm shpenzimet këtë sezon, duke ulur rrogat e lojtarëve dhe afruar në skuadër futbollistë të rinj dhe me perspektivë. Strategjia e Kukësit këtë sezon është përfitimi i të ardhurave nëpërmjet shitjes së lojtarëve, duke ditur që e kanë të vështirë pjesëmarrjen në Europë. Më herët u përfol për një shitje të Atdhe Rashitit jashtë vendit, por operacioni nuk u konkretizua me sukses. Tani, ai që mund të shpëtojë sezonin e Kukësit në aspektin financiar është Salami.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"