EKSKLUZIVE/ Drejtori i ri “zbërthen” Partizanin, Marini: Do të ketë largime! Ja e vërteta me Zhuniorin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2022 | 23:15

EKSKLUZIVE/ Drejtori i ri “zbërthen” Partizanin, Marini: Do të ketë largime! Ja e vërteta me Zhuniorin (E PLOTË)

Vetëm para pak ditësh, Partizani emëroi Elton Marinin si drejtor sportiv, pas një periudhe të gjatë “thatësire” në këtë pozicion. Ish-sulmuesi, i cili prej vitesh angazhohet si menaxher lojtarësh, ka marrë frerët e merkatos së kuqe, ku i lind detyra e vështirë për të ndërtuar një ekip fitues pas një sezoni kur nuk u arrit asnjë trofe dhe dëmet u limituan me përfaqësimin në Ligën e Konferencës. Marini ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku ka treguar një pjesë të planit të tij për merkaton e Partizanit.

ELTON MARINI GAZ DEMI

Si erdhi propozimi për t’u rikthyer te Partizani dhe për të marrë këtë rol të rëndësishëm?

Propozimi erdhi nga presidenti Demi dhe ishte i papritur për të qenë i sinqertë. Besoj është marrë parasysh marrëdhënia ime korrekte në punë dhe disa opsione të mira menaxheriale, që janë prezantuar më parë. Karriera ime si agjent krijon edhe lidhje me klube te huaja dhe mendoj se kjo është një arsye shtesë për këtë vendim të klubit.

A do të jetë Mehmeti në krye të projektit të ri? Duhet të themi se presidenti Demi e ka konfirmuar atë në krye për sezonin e ri, por një foto e tij me Serse Kozmin e “ka turbulluar” pak publikun.

Dritan Mehmeti është trajneri i konfirmuar nga presidenti Demi dhe i ngarkuar për objektivat e sezonit të ri. Mendoj që e ka merituar konfirmimin për shkak të punës së tij të dukshme në fushë, por pa hequr edhe meritën e drejtuesve, që e kanë mbështetur dhe ndihmuar me merkato cilësore në janar.

Çfarë do të ndodhë me Zhuniorin dhe Hoxhën, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe klubi ende nuk ka njoftuar mbi të ardhmen e tyre?

Klubi po bisedon me të gjithë lojtarët që janë në skadencë kontrate dhe një ekip si Partizani ka nevojë për lojtarët më të mirë për të arritur objektivat e vetë. Por tregu është i lirë dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia edhe e “rrjedhjeve” për ata që janë në skadencë kontrate. Ka një politikë të vëmendshme edhe për vlerësimin maksimal për talentet që prodhon sektori i të rinjve dhe do u jepet vëmendja e duhur.

A ka shanse Partizani të ktheje një mes Malës, Albion Markut dhe Kallakut? A do të  jenë ata në ndeshjet e Ligës së Konferencës?

Për sa u përket huazimeve, mund t’ju konfirmoj se jam në bisedime me drejtuesit e klubeve, që kanë pronësinë e Kallakut, Markut dhe Malës dhe shpresoj në rezultat pozitiv. Nuk janë çështje që varen nga klubi ynë me gjithë super dëshirën e mirë që kemi për vazhdimësinë.

Mund të quhen të larguar emra si Damçevski dhe Mirosavljev?

Mirosavljev dhe Damçevski janë lojtarë nën kontratë me klubin. Të njëjtin diskutim e bëj edhe për Sembenen.

Përballeni me largime të shumta para ndeshjeve të Europës, i keni gati pasuesit e atyre që do të largohen?

Përpara Ligës së Konferencës e kemi të qartë se disa balanca mund të prishen me ndonjë largim, por po punojmë fort që të kemi një konfigurim të skuadrës.

Përveç largimeve thuajse të deklaruara, mund të ketë ndonjë tjetër të papritur?  E kam fjalën për ndonjë shitje.

Për sa i përket ndonjë shitjeje lojtari, me gjithë kërkesat që kemi pasur, klubi ka vendosur që në turin e parë dhe me besim edhe për të dytin, të mos pranojmë opsione për shitjen, sepse objektivi kryesor është paraqitja e suksesshme në këtë Ligë të Konferencës. Gjithsesi, e përsëris që tregu është i lirë dhe dinamikat e tij nuk janë të përcaktuara matematikisht.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"