EKSKLUZIVE/ “Dinamo komode, presioni është te Partizani, Allmuça: Ja kush mund ta zgjidhë derbin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 21:57

EKSKLUZIVE/ “Dinamo komode, presioni është te Partizani, Allmuça: Ja kush mund ta zgjidhë derbin (E PLOTË)

Dinamo dhe Partiza ni luajnë të shtunën derbin e 4-t të kampionatit, që me shumë mundësi nuk do të jetë i fundit për këtë sezon. Dy skuadrat mund të ritakohen ndoshta në “Final 4”, për të cilin rezultati i sfidës së kësaj jave ka rëndësi të veçantë. Blutë duan të ruajnë pozitat e tyre në 4-shen e parë, çka do të thotë se të paktën nuk duhet të humbasin në derbi.

igli allmuca

Morali në kampin dinamovit është i lartë, pasi skuadra vjen pas 3 fitoresh dhe 1 barazimi në 4 javët e fundit. Por asgjë nuk është e sigurt, kur kanë mbetur 5 ndeshje nga ky kampionat. Ish-lojtari i Dinamos dhe Partizanit, Igli Allmuça, i cili blutë i ka drejtuar edhe si trajner, nëpërmjet një interviste për “Panorama Sport”, analizon derbin e së shtunës, por edhe kampionatin në përgjithësi.

Igli, të shtunën luhet derbi Partizani-Tirana, dy nga ish-skuadrat tuaja. Si e parashikoni këtë ndeshje?
Do të jetë një ndeshje e fortë, si çdo derbi besoj. Partizani ka hasur vështirësi këto ndeshjet e fundit, kurse Dinamo vjen në momentin e saj më të mirë në këtë kampionat. Patjetër që presioni është mbi Partizanin, që duhet të reagojë. Dinamo vjen pas një serie ndeshjesh pozitive dhe ka avantazhin psikologjik për këtë ndeshje, që në fakt është e vështirë të parashikohet.

Pse ka çeduar Partizani në këto ndeshje të fundit, si mendoni?
Po ndoshta është kjo puna e formulës së kampionatit. Të gjitha skuadrat kanë ulje-ngritjet e tyre dhe Partizani po i kalon në këtë moment. Kemi parë Egnatian që pati një moment rënieje dhe tashmë është kthyer në nivelin e fillimit të kampionatit. Ndoshta lojtarët e kanë mendjen te “Final 4” dhe ruhen nga dëmtimet e mundshme përpara atyre ndeshjeve që vendosin titullin.

Por futbolli, ju e dini mirë, nuk është me “buton” dhe nuk përgjigjet në çdo moment…
Ashtu është, por të them të drejtën, një situatë si kjo e këtij sezoni, me këtë formulë që zeron pikët, nuk e kemi provuar asnjëherë më parë. Prandaj dhe ndoshta nuk dimë ta shpjegojmë qartë këtë që po ndodh me shumë skuadra.

Rikthehemi te derbi, cilët janë ata lojtarë të Partizanit apo Dinamos, që mund ta zgjidhin ndeshjen?
Për mendimin tim, të dyja këto skuadra e kanë lojën të ndërtuar te grupi, jo tek individë të veçantë. Nëse duhet të përmend emra, do të veçoja Skukën te Partizani, pasi është një sulmues i rrezikshëm, që në momente të caktuara mund të vendosë ndeshjen me aftësitë e tij individuale. Edhe Dinamo ka në skuadër lojtarë me kualitet, por mendoj se është më grup, sidomos në këtë moment. Dhe siç e thashë edhe më parë, vjen më komode se Partizani në derbi.

Ka barazi pas 3 derbeve të luajtur më parë, nga një fitore për secilin ekip dhe një barazim. Po këtë herë?
Ndeshjet janë të ndryshme gjithmonë. Shpresojmë të jetë një derbi i bukur, mes dy skuadra që duket se do të jenë edhe në “Final 4”. Dinamo, edhe pse drejtuesit e saj nuk e thonë me zë të lartë, e ka këtë objektiv. Dhe është skuadra surprizë, që mund të luftojë për titullin kampion. Kur them surprizë, kam parasysh se e nisi sezonin keq, pasi emrin dhe skuadrën Dinamo i ka për të synuar trofe. Unë e kam thënë edhe herë të tjera se Dinamo, nëse shkon në “Final 4”, do të jetë një “kockë e fortë” për secilën nga tri skuadrat e tjera dhe mund të fitojë titullin.

Nëse 4-shja në fund do të jetë kjo që është tani, sa shanse u japë këtyre skuadrave për titullin?
Janë vetëm dy ndeshje dhe shanse kanë të gjitha ato skuadra që do të jenë në 4-shen e parë në fund të kampionatit. Mendimi im është se shanse në “Final 4” do të kishte çdo skuadër e Superiores, edhe ato të vendeve të fundit. Edhe Kukësi do të kishte shanse, siç bëri në Kupë, ku eliminoi Partizanin dhe tani ka mundur Tiranën në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Në këtë sens, asgjë nuk mund të parashikohet për ndeshjet që do të përcaktojnë titullin.

Po Tiranën, një tjetër ish-skuadër e juaja, si e shikoni?
Tirana ka pasur shumë oshilacione, ndoshta më shumë se të tjerët. Ka ndërruar shumë trajnerë dhe aktualisht është jashtë “Final 4”. Mendoj se shumë gjëra për Tiranën varen nga ndeshja e kthimit në Kupë me Kukësin. Nëse arrin të kualifikohet në finale të Kupës, mund të shpëtojë sezonin dhe gjithashtu mund të ndryshojë anën psikologjike edhe për kampionatit. Nëse dështon në Kupë, kam bindjen se do të dorëzohet edhe në kampionat.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"