EKSKLUZIVE/ Blerim Hasalla: Nuk jemi si në ’97-ën, kampionatet duhet të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2020 | 16:12

EKSKLUZIVE/ Blerim Hasalla: Nuk jemi si në ’97-ën, kampionatet duhet të …

Blerim Hasalla, një nga personazhet më të njohur të futbollit lushnjar, flet për situatën e pazakontë që po kalon futbolli sot. Ish-futbollisti i Lushnjës, Skënderbeut, Luftëtarit, Besës dhe Tomorit, si dhe ish-trajner i U-19 të Lushnjës, thekson se së pari kampionati duhet të rifillojë kur gjithçka të jetë si më parë.

HASALLA

“Tani po kalojmë një situatë shumë të vështirë, krejt të pazakontë dhe krejtësisht të paparashikuar. A duhet të përfundojnë kampionatet e të të gjitha niveleve, përfshirë edhe ato të moshave? Në momentin që gjithçka të jetë si më parë, duhet të përfundojë të gjithë kampionatet.

Patjetër, sipas asaj që është parashikuar, edhe ndeshjet shtesë duhen luajtur. Nuk mund të lihet një kampionat në mes dhe të fillojë një tjetër pa mbaruar kampionati i mëparshëm. Po bëhet krahasimi me vitin 1997, por mendoj që jemi në një tjetër situatë. Në atë vit famëkeq, të gjithë e dinim që do të stabilizohej situata dhe shteti u bë shtet. Futbolli rifilloi dhe kampionati i atij viti përfundoi me sistem grumbullimi, sepse iu përshtat situatës. Ne si Lushnjë zhvilluam një ndeshje të vetme të Kupës në Elbasan me Partizanin dhe humbën 1-2.

Zhvilluam pjesën e dytë të kampionatit në kushte grumbullimi me skuadrat që u renditën nga vendi i shtatë deri në vend të 12-të. Sepse 18 skuadrat e Superiores së atëhershme u ndanë në tri pjesë, sipas renditjes së fazës së parë. Ne si Lushnjë u renditëm në vendin e tetë dhe ishim kualifikuar në gjysmëfinale kur plasi rrëmuja. Mendoj që tani është tjetër gjë. Ne nuk e dimë situatën sesi do të vazhdojë. Rrimë 23 orë në shtëpi dhe dalim një orë për nevojat emergjente, apo për pak frymëmarrje.

Nuk dimë sesa do të jemi kështu. Jam që me rikthimin në normalitet, ndeshjet duhet të luhen ashtu siç janë parashikuar dhe jo siç u bë në 97-ën, sepse jemi në një tjetër situatë”, tha Hasalla për “Panorama Sport”. Nëse kampionati nuk përfundon, Lushnja është një nga skuadrat që “digjen”, sepse në momentin e pezullimit të aktivitete renditej në vend të tretë të Grupit B në Kategorinë e Parë.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"