E PLOTË/ Devi Muka drejtor, presidenti Halili “shkund” Tiranën: Turp, më keq se kaq nuk bëhet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 22:20

E PLOTË/ Devi Muka drejtor, presidenti Halili “shkund” Tiranën: Turp, më keq se kaq nuk bëhet!

Devi Muka është drejtori më i ri i Tiranës. Ish-kapiteni bardheblu dhe numri dy i skuadrës deri dy sezone më parë, prej pak ditësh është emëruar drejtori i Akademisë Tirana. Kapiteni nuk ka qëndruar më shumë se një vit larg ambientit bardheblu, pasi presidenti Refik Halili këtë herë i ka besuar drejtimin e akademisë. Edhe pse emërimi është bërë zyrtar para disa ditësh, prezantimi pritet të bëhet ditën e hënë para gjithë stafit të akademisë. Gjithsesi, presidenti Halili nuk ka pritur dhe dje së bashku me Mukën kanë parë nga afër ekipet zinxhir të Tiranës.

Postin e drejtorit të akademisë deri dje e mbante Sulejman Mema, por trajneri i njohur ka vendosur të drejtojë ekipin U-19 të bardhebluve, duke i lënë vendin Devi Mukës. Dy sezone më parë Devi Muka ishte drejtori sportiv i skuadrës. Ai u largua nga pozicioni që kishte në momentin kur u prezantua Ze Maria në stolin bardheblu. Presidenti Halili asokohe premtoi se do ta kalonte në një post tjetër, por pas një viti larg klubit, Devi Muka tani rikthehet, sigurisht në postin e drejtorit.

muka halil

VIZITA RRUFE

Rezultatet jo të mira kanë detyruar presidentin e Tiranës Refik Halili që të zhvillonte një mbledhje të gjatë me ekipin në përfundim të stërvitjes së djeshme. I shoqëruar si zakonisht nga dyshja Çomo-Laçi dhe menaxher i Namdi Oduamadit, presidenti zbarkoi 30- minutëshin e fundit të stërvitjes në “Skënder Halili” për herë të dytë brenda pak ditësh. Si fillim, qëndroi gjatë gjithë kohës në pankinë, duke parë stërvitjen.

Në fund të seancës, presidenti priti që të zhvillonte një takim me trajnerin, por në ndryshim nga një javë më parë kur Ze Maria shkoi takoi presidentin, duke parë që braziliani nuk po lëvizte, ishte Halili, i cili u mundua të takonte trajnerin që qëndronte në një cep duke diskutuar me ndihmësit e tij. Pas një shtrëngimi duarsh dhe dy batutash mes “bosit” bardheblu e trajnerit, u thirr gjithë ekipi dhe në mes të fushës, ku presidenti mbajti një fjalim të gjatë, i cili i kaloi 30 minutat. Në të gjithë kohën, ai që foli ishte Refik Halili, ndërsa përkthyesin për të huajt e bënte Emanuel Egboja.

Nga gjestikulacionet dukej qartë se presidenti ishte kritik me të gjithë, ndërsa Ze Maria nuk hapi gojën asnjë moment. Pas mbylljes së analizës, presidenti për pesë minuta qëndroi kokë më kokë me trajnerin, duke diskutuar për ekipin. Më pas Halili është takuar në veçanti me disa nga lojtarët e rinj të ardhur këtë merkato, duke filluar nga Namdi Oduamadi e me radhë. Ai që ka ikur i fundit nga stërvitja ishte pikërisht presidenti i Tiranës, Refik Halili, duke u dhënë një mesazh të qartë, si Ze Marias dhe lojtarëve, se Luftëtari është guri i provës për të gjithë.

FJALIMI I HALILIT

“Jam i pakënaqur me të gjithë ju. Nga i pari deri tek i fundit. S’ka më turp se kaq”. Ky ka qenë në thelb ligjërimi i presidentit të Tiranës, Refik Halili, me ekipin në analizën e djeshme. “Bosi” i bardhebluve ka qenë shumë i ashpër me ekipin e tij pas dy humbjeve dhe një barazimi me Teutën. Ka qenë kategorik presidenti me grupin e lojtarëve dhe trajnerët. Sipas tij, skuadra është për turp. Ka zhgënjyer në çdo aspekt të saj gjatë kësaj jave. Mësohet se presidenti ka kritikuar shumë ashpër grupin për performancën shumë të dobët që tregoi ekipi sidomos në sfidën me Kukësin. Halili e ka shprehur qartë se ajo Tiranë nuk duhet të përsëritet më sepse më turp nuk ka. Presidenti u ka bërë të qartë lojtarëve se nuk do të tolerojë më situata të tilla me futbollistë që nuk japin asgjë në fushën e lojës. Halili është shprehur se nuk e priste një nisje të tillë të kampionatit dhe së bashku me tifozët mbetet i zhgënjyer. Retorika ka qenë e ashpër, me lojtarët që nuk kanë thënë gjysmë fjale. Paçka kritikave që bëri, presidenti kërkoi bashkimin e grupit dhe reflektim të ekipit që në takimin me Luftëtarin. Ai ka motivuar ekipin, që edhe skuadra të tjera mund të ndodhen në këtë lloj situate, por karakter tregon ai që ringrihet pas rënies në tapet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"