“E kam studiuar Dinamon”, Gvozdenoviç: Jemi gati, luajmë për pikët e plota

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2023 | 10:34

“E kam studiuar Dinamon”, Gvozdenoviç: Jemi gati, luajmë për pikët e plota

Skënderbeu është gati për të sfiduar Dinamon. Një përballje që mund të rihapë sezonin dhe garën për vendin e parë, ndaj edhe korçarët do të luajnë për maksimumin.

gvozdenovic

Këtë e pohon edhe Ivan Gvozdenoviç për “Panorama Sport”, para transfertës, që luhet sot në orën 13:00 në “Selman Stërmasi”. Numri një i pankinës bardhekuqe tregoi se ka analizuar me kujdes gjithçka, duke u ndalur në çdo detaj të kundërshtarit. Ndaj edhe pret që të tijtë të bëjnë ndeshjen e duhur për të marrë fitoren.

“Jemi gati për ndeshjen e nesërme (stome) në Tiranë. Do të jetë një përballje e vështirë, padyshim pasi Dinamo është kryesuesi i kampionatit dhe katër pikë larg nesh në renditje. Për këtë vlen t’i jepet rëndësia e duhur këtij kundërshtari dhe ta trajtojmë me respekt. Por kemi më shumë respekt për veten, ndaj nuk do të hyjmë në fushë për të luajtur një ndeshje radhe, por vetëm me synimin e tri pikëve. Jemi të qartë për këtë dhe do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Më pas do të shohim se çfarë do të na rezervojë fusha. Kemi studiuar gjithë këto ditë kundërshtarin dhe them se kemi dalë në konkluzionin e duhur në lidhje me pikat e forta të Dinamos dhe ato më pak të forta. Mos prisni që t’i them tani, prisni pas ndeshjes. Atëherë edhe mund t’i tregoj se çfarë kam shfrytëzuar për të përgatitur. E rëndësishme është që ne jemi gati dhe të plotë për këtë përballje. Djemtë i kam parë të përqendruar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshjen e radhës”, përfundoi serbi i stolit të korçarëve.

FORMACIONI – Bardhekuqtë kanë rikuperuar plotësisht Rapën, i cili është prej kohësh i dëmtuar dhe me shumë mundësi do të jetë gati për Dinamon. Me Ruçin në portë do të nisë rreshtimi i Skënderbeut. Mbrojtja dhe mesi i fushës do të ndryshojnë në varësi të zgjedhjeve. Nëse Rapa zgjidhet si titullar, prapavija do të plotësohet me Frashërin, Prençin dhe Idrizajn. Në të kundërt do të jetë sërish Randi në prapavijë dhe Zenullari në fushë nga minuta e parë. Edhe mesi i fushës pritet që të ketë ndryshime. Me tre mesfushorë pritet që ta nisë serbi këtë takim. Nëse nuk do të jetë Randi në mesin e fushës, korçarët do të luajnë me Moraesh, Idrizin dhe Liçon, për t’i lënë hapësirën në sulm Nikajt, Likës dhe Temitopes.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"