Dy dëmtime me peshë te Kukësi, Nica kërkon një sulmues potent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 21:05

Dy dëmtime me peshë te Kukësi, Nica kërkon një sulmues potent

Kukësi luan një sfidë delikate ditën e nesërme me skuadrën e Egnatias në shtëpi, ku kërkohet patjetër një rezultat pozitiv. Situata e ditëve të fundit pas humbjes ndaj Vllaznisë nuk ka qenë e qetë, ndaj me rrogozhinasit do të tentohet kthesa për të rikthyer qetësinë në ekip.

kukesi

Mirëpo, fakti që përballë kanë vendin e parë dhe një nga skuadrat më të forta të këtij edicioni ia vështirëson pak punën të besuarve të Stavri Nicës. Gjithsesi, në kampin verilindor janë të mobilizuar për të marrë maksimumin, edhe pse u bënë plot nëntë ndeshje që blutë nuk njohin shijen e fitores.

AFRIKANËT – Në ndeshjen e parë të këtij viti ra në sy mungesa e dy prej lojtarëve titullarë të skuadrës së Kukësit. Bëhet fjalë për afrikanët Abdou Mbarak dhe Daniel Momoh, të cilët nuk ishin as në pankinë në sfidën me shkodranët.

Mësohet se të dy këta futbollistë do të mungojnë për një kohë të gjatë për arsye dëmtimesh dhe Kukësi për momentin duhet të bëjë llogaritë pa këta dy futbollistë. Sidomos për nigerianin, i cili vuan nga një dëmtim më i rëndë dhe nuk dihet saktësisht se kur mund të rikuperohet. 21 vjeçari ka qenë i pafat këtë sezon me dëmtimet e shpeshta.

KUKESI

Ndërsa për mauritanezin, situata duket më e lehtë, sepse gjasat janë që në muajin e ardhshëm të vihet sërish në dispozicion të ekipit dhe të shihet si alternativë në skuadër. Megjithatë, për fat të keq këto janë javë vendimtare për ekipin dhe Nica nuk ka në dispozicion dy prej titullarëve në qendrën e mesit të fushës, duke u detyruar të bëjë eksperimente, që jo gjithnjë kanë rezultuar efikase.

Mbeten për t’u parë se si do të sajohet Kukësi edhe për këtë ndeshje me Egnatian, pasi në mesfushë mungon edhe Plarent Fejzaj, për shkak të kartonëve. Me pak fjalë, Kukësi do të duhet t’i bëjë llogaritë në këtë ndeshje pa tre prej lojtarëve titullarë, duke shpresuar se ata që do të luajnë të jenë në lartësinë që kërkohet.

MERKATO – Sakaq, mësohet se klubi është vënë në kërkim të një sulmuesi me potencë pas largimit në formë huazimi të peruanit Sebastian La Torre.

Vetëm Atdhe Rashiti në majën e sulmit, i cili nuk është as në formën më të mirë psikologjike, nuk i garanton siguri. Për këtë arsye, brenda kësaj jave pritet të mbërrijë në Kukës një sulmues, që në klub shpresojnë të bëjë diferencën dhe të kënaqë trajnerin Stavri Nica.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"