“Duhet të fitonim në Korçë”, Asion Daja: Nuk kemi treguar as 50 për qind të mundësive tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2022 | 22:45

“Duhet të fitonim në Korçë”, Asion Daja: Nuk kemi treguar as 50 për qind të mundësive tona

Morën vetëm një pikë në Korçë, por te Dinamo prisnin më shumë. Barazimi në fushën e një rivali direkt, nuk është për t’u nënvlerësuar në fakt. Kryeqytetasit e ndajnë kreun e renditjes me 4 skuadra të tjera dhe tashmë mendojnë vetëm si të shkëputen. Këtë pretendojnë ta nisin ndoshta që këtë javë, kur do të presin Burrelin në “Selman Stërmasi”.

ASION DAJA

Këtë qëllim ka edhe Asion Daja, një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës së trajnerit Nevil Dede. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai flet për llogaritë e sezonit, por fillimisht ndalet te ndeshja me Skënderbeun. Mesfushori shpreh keqardhje për faktin që në Korçë nuk u morën tri pikët.

“Duhej të kishim fituar në atë ndeshje. Shkuam në Korçë me bindjen për të fituar dhe në fushë krijuam rastet tona për ta fituar ndeshjen, por futbolli kështu është. Nuk kemi çfarë të bëjmë, thjesht të shohim përpara për ndeshjet e tjera. Ai barazim ndoshta nuk është keq, por unë mbetem i mendimit se Dinamo duhej të kishte dalë me tri pikë. Kundërshtari luajti vetëm me topa të gjatë dhe pak na rrezikoi, ndaj thashë se duhej të kishim fituar.

Ajo që më pëlqeu në ndeshjen e Korçës ka të bëjë me faktin se skuadra luftoi fort në fushë gjatë gjithë 90- minutëshit, tregoi grintën e duhur. Kjo është e rëndësishme”, u shpreh 32- vjeçari. Daja thekson se Dinamon më të mirë nuk e kemi parë ende. Ai ka shumë besim se skuadra do të rritet nga ndeshja në ndeshje, pasi deri tani ka shprehur deri në 50% të mundësive të saj. “Patjetër që nuk është kjo Dinamoja më e mirë.

Asion-Daja1-

Janë luajtur vetëm dy ndeshjet e para, ku do të thosha se jemi shprehur në 50% të mundësive tona. Skuadra do të rritet, nuk ka dyshim. Do të rritet në lojë dhe rrjedhimisht edhe në rezultate. Potenciali që kemi si skuadër është vërtetë më i madh. Gjithsesi, në asnjë një moment nuk mund ta nënvlerësojmë garën, sepse nuk do të ketë asnjë ndeshje të lehta në këtë kampionat.

Dinamo është ndërtuar për të qenë në vend të parë dhe kam shumë besim se do të fillojmë të shkëputemi në javët në vazhdim. Tani vëmendja jonë është e gjitha te ndeshja me Burrelin, ku duhet të jemi seriozë për të bërë detyrën ashtu siç duhet”, përfundoi lojtari kryeqytetas. Asion Daja u kthye këtë sezon te skuadra e tij e parë, për të kontribuuar edhe në misionin “Superiore”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"