Dueli me Teutën, trajneri Mehmeti do një skuadër koncize: Koha për triumf

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 12:38

Dueli me Teutën, trajneri Mehmeti do një skuadër koncize: Koha për triumf

Dinamo përballet sot, në orën 17:00, me Teutën. Kjo ndeshje është nga ato më të rëndësishmet për Dinamon, që synon të jetë në 4-shen e parë.

dritan mehmeti

Blutë vijnë pak më të çlodhur se kundërshtari në këtë sfidë, sepse nuk ishin të impenjuar mesjavën e kaluar në Kupë, por nuk është një avantazh shumë i madh. Në kampin dinamovit e kanë të qartë sa delikat është ky 90-minutësh. Trajneri Dritan Mehmeti shpreson që këtë herë loja e mirë e skuadrës së tij të konkretizohet me pikë, sepse ato janë më të nevojshme në këtë pikë të sezonit.

GJENDJA – Për gjendjen e skuadrës para ndeshjes me Teutën, trajneri Mehmeti u shpreh: “Kjo javë pak më e gjatë stërvitore na ka ndihmuar, sepse ndeshjet që kemi zhvilluar me Vllazninë dhe Egnatian kanë qenë afër. Skuadra është përgatitur mirë, kemi probleme dëmtimi me Gudiabin, që këtë javë nuk do të jetë. Shpresojmë të rikthehet sa më shpejt. Pjesa tjetër e skuadrës është stërvitur normalisht”.

TEUTA – Për kundërshtarin, duke iu referuar edhe ndeshjeve të mëparshme me të, Mehmeti tha: “Teuta po kalon një moment shumë të mirë. Të gjitha skuadrat kanë oshilacione, por kanë edhe kurbën e mirë, siç po e kalon Teuta tani. Edhe ne jemi në një moment të mirë, edhe pse nuk kemi marrë pikët. Me lojën kemi qenë goxha mirë, në rritje, por në këtë pikë të kampionatit mendoj se kemi nevojë më shumë për pikë se për lojën. Në ndeshjen nesër (sot) do jetë e vështirë. Duhet të shohim aspektin psikologjik, sepse skuadra që do të jetë më e përgatitur në këtë aspekt, do jetë më afër fitores. Kampionati po bëhet më i vështirë dhe mendoj se një nga komponentët kryesorë është se si ti menaxhon një 90-minutësh në aspektin psikologjik. Ndeshjet e mëparshme me Teutën? Futbolli është i paparashikueshëm. Sjell dhe situata të ndryshme. Të rikthehemi pak në kohë, kur ndërton një skuadër të re dhe vjen nga një kategori më poshtë, ke prurje të reja dhe ndryshime stafi, është koha ajo që u jep mundësi lojtarëve dhe stafit të arrihet në automatizimin e veprimeve. Kjo të bën të mos kesh oshilacione gjatë ndeshjeve. Jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik për objektivin dhe mënyrën si duhet ta arrijmë atë”.

RIVALITETI – Për garën në kampionat, trajneri blu shtoi: “Mendoj që mënyra si e përgatisim ndeshjen ka të njëjtin motiv, të bëjmë më të mirë jo vetëm me Teutën, kundërshtarin e radhës, por ndaj çdo ekipi. Nuk mendojmë si do jetë situata për sa i përket renditjes. Duhet patjetër të jemi koncizë dhe të përqendruar te ndeshja me Teutën, pa menduar për renditjen”.

STOLI – Më shumë hapësirë për lojtarët e stoli? Mehmeti përgjigjet: “Dinamo i ka të gjithë komponentët, është një skuadër e mirëpaguar. Ka dy skuadra dhe kjo na gëzon, kemi lojtarë që dinë të bëjnë mirë sa herë që ata thirren. Për këtë dua t’i falënderoj. Kjo është një vlerë e shtuar, është meritë e tyre që besojnë te stafi dhe grupi. Kanë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe kjo quhet profesionalizëm. Kemi nevojë të gjithë të kemi një skuadër të tillë. Rotacionin e mendoj, por skuadra nuk ka treguar fare lodhje. Në ndeshjet e fundit kemi qenë shumë mirë si në aspektin teknikotaktik, por edhe fizik. Janë thjesht zgjedhje teknike sa i takon edhe kundërshtarit, sepse nuk mund të luash njësoj ndaj çdo kundërshtari. Kam bërë rotacion, kur e kam parë të arsyeshme, me elementë të veçantë. Kur ke lojë të mirë dhe vjen në rritje, dominon kundërshtarin në situata të veçanta, ke shpresë dhe bonus emocional për të ardhmen. Duket të jemi pak më të qetë kur shkojmë për të shënuar. Kjo është një nga pikat, ku duhet të jemi më koncizë. Duhet ta kërkojmë golin në mënyrë logjike, përpos dëshirës së madhe që lojtarët kanë. Duhet edhe durim, sepse vjen atëherë kur duhet, jo kur do ti.”

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"