Dueli kundër Partizanit, flet zëvendëstrajneri Kërnaja: Kukësi i motivuar, nuk e meritojmë fundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 11:05

Dueli kundër Partizanit, flet zëvendëstrajneri Kërnaja: Kukësi i motivuar, nuk e meritojmë fundin

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, zëvendëstrajneri i Kukësit, Oltion Kërnaja, pohon se skuadra është e karikuar në maksimum për ta ndryshuar situatën.

kernaja

“Ekipi, stafi dhe të gjithë lojtarët e dinë rëndësinë që ka ndeshja kundër Partizanit. Nuk mund të them që ekipi vjen në gjendjen më të mirë emocionale, por jemi të karikuar në maksimum për të ndryshuar situatën.

Kukësi në të shumtën e ndeshjeve është ndëshkuar nga gabimet individuale. Asnjëherë dhe asnjë ekip nuk ka mbizotëruar mbi Kukësin, por disa detaje të vogla kanë bërë që ne të dalim pa pikë. Mënyra më e mirë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive është që të eliminojmë gabimet individuale, të mbështetemi te loja kolektive dhe të japim 120%-shin tonë më fushë. Kjo bëhet duke vlerësuar çdo detaj, të fokusohemi 100% dhe të bashkuar besoj se do t’ia dalim”, u shpreh fillimisht Kërnaja.

Më tej, ai pohon se nuk është e vështirë për të motivuar lojtarët dhe se kanë besim se mund të shpëtojnë. “Nuk besoj se është e vështirë për t’i motivuar lojtarët, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet klubi, për renditjen që kemi dhe Kukësi nuk e meriton këtë pozicion.

Janë akoma 33 pikë në lojë dhe me një apo dy ndeshje radhazi pozitive, gjë të cilën këta lojtarë e kanë bërë në fazën e parë dhe të dytë, situata ndryshon. Pikët aty janë, ndaj e kemi vetë në dorë për të ndryshuar situatën”, përfundoi numri dy i pankinës së Kukësit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"