“Dua pikë rehabilitimi”, Ndreu para sfidës me Korabin: Xhonatan na erdhi pak mbipeshë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2023 | 10:40

“Dua pikë rehabilitimi”, Ndreu para sfidës me Korabin: Xhonatan na erdhi pak mbipeshë

Kastrioti nuk e ka nisur siç duhet këtë kampionat. Pas 540 minutash, renditen në vendin e tetë. Kanë mbledhur vetëm 6 pikë, një mesatare jo fort e kënaqshme për një ekip që llogaritej edhe pretendent në nisje të Kategorisë së Parë. Ramadan Ndreu e pranon që nuk janë ku duhet, por nuk dorëzohet. Ai beson se kthesa do të vijë që të dielën, kur do të presin Korabin në “Redi Maloku”.

ramadan ndreu

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës tregon edhe handikapin që i ka përndjekur këto javë. Mungesa e një lojtari-gol, i ka prishur shumë punë. Dikush mund të thotë që janë Xhonatan Fausto Silveira da Silva dhe Xhuljo Mehmeti, por jo. Nëse braziliani erdhi mbipeshë, i dyti ka vuajtur një dëmtim. Që do të thotë, trajneri nuk ka pasur fort alternativa në vijën e parë.

“Kemi vuajtur mungesën e një sulmuesi. Nga ai që prisnim golat, erdhi pak mbipeshë. Xhonatanit i duhej kohë që të kapte parametra sportivë normalë. Kur u bashkua me ne, ishte edhe pa stërvitje. Prej ditësh po punojmë fort me të, që të kapë formën. Është rritur, por jo në 100% e tij. Ndaj Korabit do ta aktivizoj nga minuta e parë dhe shpresoj të na ndihmojë.

Ndërkaq, Xhuljo Mehmetin e kemi pasur të dëmtuar. Ai ka vijuar stërvitjen me grupin e lojtarëve, por nuk mund të pohojë se ai është gati për ndeshjen e kësaj jave. Luajmë në shtëpi me dibranët dhe duhet të fitojmë. Është mundësi e mirë për t’u rehabilituar. Nëse ia dalim këtë herë, por edhe në javën e 8-të, ku gjithashtu jemi pritës, do të jemi më të qetë për vazhdimësinë. Marrja e pikëve do të na ndihmojë shumë, ndaj ne do t’ia bëjmë hyzmetin”, përfundoi Ndreu.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"