Dopietë e Diego Militos, Interi në qiellin e 7-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2013 | 13:48

Dopietë e Diego Militos, Interi në qiellin e 7-të

Milito golNjë Inter i tërbuar, një makinë golash që rigjen gjithashtu edhe Diego Militon, i cili realizon një dygolësh. Kundër kanë një Sasuolo, që vuan të marrë rezultate dhe nuk premton një të ardhme të mirë, ndërsa shket që në minutën e 6-të. Për trajnerin e zikaltërve, Valter Maxarri, është ndeshja e katërt pa humbje, ndërsa për kolegun e tij Eusebio Di Françesko janë katër ndeshje ku ai s’e ka ndierë lumturinë dhe ndoshta kjo mund të bëjë që drejtuesit të nisin dhe të mendojnë për të ardhmen e stolit zigjelbër. Interi në takimin e 2700 në Serinë A shënon fitoren më të thellë në transfertë në historinë e tij. Në këtë kategori, tri herë është arritur ky rezultat nga Juvja në 1950-ën, Udineze 2011 dhe tani zikaltrit.
Pjesa e parë – Zikaltërve u mjaftojnë 6 minuta që të sigurojnë 10 pikë në klasifikim. Është Huan Hesus që, pavarësisht se ndodhet në presion, i jep një top të mirë Nagatomos, i cili i shpëton Gazolas, kroson në mes dhe Palasio realizon, ndërsa mbrojtja vendëse nuk është në ditën e saj më të mirë. Megjithatë, Sasuolo përpiqet që të reagojë, por kjo ngelet vetëm dëshirë, pasi nuk ia del. Floro Flores përpiqet që ta kapë në befasi portierin Handanoviç, por gjuajtja e tij me kokë del jashtë. Tekniku Di Françesko u kërkon mesfushorëve të krahut, Misiroli dhe Skeloto, që të ndërrojnë vendet, por edhe kjo nuk sjell ndonjë dobi. Zaza bezdis mbrojtjen zikaltër, por sërish emilianët nuk bëjnë dot ndonjë gjë të madhe. Interi është zot i fushës për nga idetë e sakta, forcën fizike, vëmendjen, superioritetin dukshëm dhe zotërimin e topit. Në minutën e 23-të është sërish Huan Hezus, i cili nis një tjetër aksion, topi shkon te Palasio që gjuan, gardiani Pomini pret, por topi shkon te Taider, i cili nuk gabon.
Rikthehet Milito – Taider ka një rol vendimtar në golin e tretë të zikaltërve. Guarin kroson nga e djathta, frankoalgjeriani dhe rivali Puçino luftojnë brenda zonës dhe prekja e fundit është e futbollistit zigjelbër. Edhe pjesa e dytë është përsëritje e së parës. Palasio gjuan, gardiani Pomini pret topin, por pa e bllokuar atë, Alvarez me shpejtësi çon rezultatin në 0-4 në të 53-ën minutë. Në minutën e 54-t në lojë futet Diego Milito pas 7 muajsh dëmtimi, që e pësoi më 14 shkurt në gjurin e majtë. Menjëherë rrezikon, por gjuajtja e parë del jashtë. Gjithsesi, goli do të vijë, kur pas një loje mjeshtërore dhe pasimi të saktë të Alvarezit, “El Principe” realizon pas 220 ditësh. Në të 75- ën minutë është radha e Kambiasos, i cili do të shënojë me një goditje speciale dhe më pas sërish Milito. Guarin jep një asist dhe argjentinasi realizon. Në tribunë Masimo Morati buzëqesh. Pas atij spektakli është dashuruar akoma më shumë ndaj një krijese , e cila “përkohësisht” është e tija pas marrëveshjes me Tohirin.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"