Dita e të vërtetës për Kukësin, Çela: Skënderbeu rival direkt, na duhen pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2024 | 8:33

Dita e të vërtetës për Kukësin, Çela: Skënderbeu rival direkt, na duhen pikët

Emiljano Çela kërkon pikët e para me Kukësin në ndeshjen kundër Skënderbeut të dielën. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri theksoi se objektivi është vetëm fitorja.

cela

“Ne do të luajmë gjithnjë për të fituar, kudo dhe me këdo. Është një ndeshje shumë e vështirë, me një rival direkt. Skënderbeun e kam ndjekur, pasi më ka pëlqyer loja që ata bëjnë. Është një ekip i ndërtuar dhe organizuar shumë mirë deri në këto momente, pavarësisht luhatjeve kanë bërë një sezon të mirë”, është shprehur fillimisht trajneri i Kukësit.

RENDËSIA – I vetëdijshëm se në Kukës nuk ka kohë për të pritur, Çela pohon se gjatë gjithë javës kanë punuar edhe për të evituar emocionet, duke marrë shkas edhe nga ndeshja me Tiranën. “Fitorja ose edhe barazimi ka rëndësi në çdo ndeshje. Po të ishim treguar pak më të kujdesshëm me Tiranën, nuk do të kishim dalë pa pikë nga ajo ndeshje. Pas asaj penalltie, ekipi u bë emocional dhe u çekuilibruan. Kemi punuar shumë në këtë pjesë gjatë kësaj jave”, theksoi Çela.

ARBITRIMI – Në Kukës mendojnë se iu ha haku kundër Tiranës dhe bëhet i disati rast këtë sezon që kanë pasur probleme me gjykimet. Për këtë arsye, Çela ka edhe një mesazh për të përcjellë, duke shpresuar që këtej e tutje të mos kenë më probleme në këtë aspekt. “Nuk më pëlqen qasja që opinioni ka për ekipin tim, që patjetër reflekton më pastaj në media apo edhe tek arbitrat. Kërkoj më shumë respekt për këtë fanellë, për këtë klub dhe këta lojtarë.

Thjesht dua të trajtohemi të barabartë. Ishin të paktën tri raste për penallti kur po udhëhiqnim me shifrat 2-1 me Tiranën. Për të mos folur për gjëra të vogla, duke nisur nga faullet në zona të ndryshme të fushës. Shpresoj që nga kjo javë të marrim atë që meritojmë dhe pastaj të presim verdiktet në fund të sezonit”, përfundoi prononcimin për gazetën trajneri i Kukësit, i cili kërkoi më tepër respekt për skuadrën që drejton pre një javë tashmë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"