Dinamo humbet mesfushorin titullar, blutë luajnë “finale” kundër Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 13:44

Dinamo humbet mesfushorin titullar, blutë luajnë “finale” kundër Teutës

Java e fundit e fazës së tretë e gjen Dinamon përballë Teutës, në “Niko Dovana”. Kampionati ka edhe 9 javë të tjera më pas, por 90-minutëshi i së hënës përcakton shumë për objektivin e kryeqytetasve, të cilët luajnë shanset e tyre për të qenë në 4-shen e parë.

DINAMO

Niveli i lojës së Dinamos jep besim për një mbyllje pozitive të sezonit, por në renditje vlejnë pikët dhe blutë duhet të marrin maksimumin, pas humbjes me Vllazninë dhe barazimin me Egnatian. “Nëndetësja” ka një mundësi për të përfituar këtë javë, duke qenë se rivalët e saj kanë ndeshje të vështira: Skënderbeu pret Vllazninë dhe Tirana ndeshet me Egnatian. Megjithatë, asgjë nuk ka vlerë, nëse Dinamo nuk fiton ndeshjen e saj në Durrës, që është para derbit me Tiranën javën e ardhshme. Nëse Dinamo kap vendin e 4-t në fund të kampionatit, ka shanse reale për të bërë mirë, sepse shkon në aktin final pa presion. Me statusin e “out sider”-it, skuadra e drejtuar nga trajneri Mehmeti mund të bëjë surprizën në “Final 4”. Në kampin blu ka entuziazëm, ndërsa tani mbetet që gjithçka të tregohet në fushë.

GUDIABI Dinamo pritej që ndaj Teutës të luante me formacionin më të mirë të mundshëm, por planet e stafit teknik blu janë prishur nga një dëmtim i Bakari Gudiabit. Mesfushori afrikan, titullar në javët e fundit, madje një nga më të mirët në fushë, ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe analizat kanë treguar se ai duhet të qëndrojë jashtë të paktën për një javë. Kjo do të thotë se ai e ka humbur ndeshjen e së hënës me durrsakët. Është një mungesë që shqetëson jo pak, pasi Gudiabi ishte ingranuar mjaft mirë në lojën e Dinamos. Falë potencialit të tij fizik, ai ndihmonte shumë skuadrën në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm.

Në këtë situatë, trajneri Dritan Mehmeti duhet të vendosë për zëvendësuesin e tij, që me shumë gjasa do të jetë Klevi Qefalija. Ish-lojtari i Tiranës luajti titullar edhe ndaj Egnatias dhe u paraqit mirë. Qefalija i bashkohet Andonit në qendër të mesfushës, ndërkohë që kandidatë të tjerë mund të jenë Smaçi, lojtar i këtij pozicioni, por edhe Mija që aktivizohet si qendërmbrojtës. Lorran tashmë është stabilizuar si mbrojtës i majtë dhe nuk mendohet të rikthehet në qendër. Deri të hënën ka ende kohë dhe stafi do të provojë çdo variant të mundshëm për të kaluar me sukses një ndeshje delikate.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"