“Dilema kisha vetëm për diçka”, Kros: Me Realin kam rinovuar për 15 minuta, vendimi më i lehtë që mund të merrja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2023 | 14:25

“Dilema kisha vetëm për diçka”, Kros: Me Realin kam rinovuar për 15 minuta, vendimi më i lehtë që mund të merrja

Toni Kros përfitoi edhe një herë nga programi, të cilin ai ndan bashkë me vëllanë e tij Feliks, “Einfach mal luppen”, për të shpjeguar ndjesitë e tij pasi rinovimi me Realin e Madridit u njoftua zyrtarisht. Mesfushori gjerman shpjegoi se si ai vendosi që të firmoste një kontratë të re në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2024 dhe lë të hapur se mund të luajë përtej kësaj date.

KROS

33-vjeçari, i cili u mendua gjatë shumë nëse do të rinovonte apo jo me gjigantët spanjollë, theksoi se ishte një proces pa presion mes palëve dhe se sapo ishte e qartë për të, ai njoftoi zyrtarët madrilenë që mund të firmoste. Ai shtoi gjithashtu se do të vazhdojë të luajë në Madrid, sepse mendon ende se është mjaft i fortë për të luajtur në nivelin më të lartë.

“Dëshiroj të përgëzoj klubin për mënyrën se si e kanë trajtuar gjithë këtë çështje. Gjithçka varet nga lidhja ime me klubin, nga të dyja palët. Unë kam qenë gjithmonë i qartë. Nuk e dija nëse doja të luaja një vit tjetër apo jo, por nëse do ta bëja, nuk do të doja të shkoja në një klub tjetër”, tha ish-ylli i Bajernit të Mynihut. Kros nuk donte të bënte presion duke përdorur emrin e klubeve të tjera dhe as Reali nuk bëri të njëjtën gjë: “Ne nuk kemi nevojë për negociata të mëdha apo pazare. Unë nuk do të përfshija një klub tjetër përmes menaxherit”. Toni tregon se kishte respekt mes palëve. “Kam marrë kohën time dhe sapo u bë e qartë e informova klubin sepse doja që ata të kishin njëfarë sigurie në planifikimin e skuadrës”.

RINOVIM PËR 15 MINUTA – Shembulli më i mirë i lidhjes së ngushtë mes Tonit dhe klubit se si përfundoi rinovimi: “I thashë klubit në atë moment. Ofertën e pranova disa javë më parë. Jam shumë i lumtur për këtë. Menaxherët e mi ishin në Madrid vetëm për një takim për këtë temë. Mendoj se zgjati katër orë dhe u diskutua vetëm pesëmbëdhjetë minuta. Përsëri, ishte aq e thjeshtë sa kurrë me Realin. Ndihem mirë fizikisht dhe mendoj se mund të kontribuoj akoma për ekipin”. Objek-tivi i tij është që të luajë në nivele të larta deri në fund të karrierës së tij: “Gjithmonë kam thënë se ishte çelësi për mua të përfundoja në një nivel të lartë dhe të mos zvarritem për tri vite të tjera. Nuk jam lodhur fare. Dhe më ngrihen nervat kur humbasim. Kjo është gjithashtu e rëndësishme, që uria është ende atje. Dhe unë ende e shijoj futbollin, kjo është ajo që më pëlqen”.

TËRHEQJA NË 2022-shin – Në lidhje me informacionin në vitin 2022, të ushqyer nga vetë Kros, se ai mund të varte këpucët në gozhdë, ai pranoi se ato ishin të vërteta, por jo krejtësisht serioze: “Sigurisht, në ato momente jeni pak më të ngarkuar emocionalisht. Ti mendon se nuk mund të shkosh më lart, pasi fitove një tjetër Champions me Realin. Për mua ishte një ditë tepër e veçantë. Suksesi i mëparshëm (në Champions) ishte në 2018. Nuk po tallesha fare me këtë. Më kishte shkuar në mendje 2-3 herë. Nuk jam penduar. Ndihem mjaft mirë këtu”. A do të thotë kjo se ai do të rinovojë sërish kontratën në qershor 2024? Këtë herë Kros është shumë i matur: “Për momentin nuk dua të premtoj asgjë. Nuk e di. Pse t’i mbyllim të dyja rrugët që tani? Nuk ka asnjë arsye, të paktën jo tani. Do të shohim si nis viti, si funksionon gjithçka. Atëherë do t’i bëj vetes të njëjtat pyetje si këtë vit. Do ta shohim. Tani nuk më duhet të bëj kompromise”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"