Dëmtimi i çuditshëm, Haland la fushën pas përplasjes me arbitrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:25

Dëmtimi i çuditshëm, Haland la fushën pas përplasjes me arbitrin

Zero gola, zero pikë dhe një dëmtim për t’u vlerësuar. Një lëndim i çuditshëm, shumë interesant, sepse ka një përgjegjës të pavullnetshëm. Në ndeshjen e madhe të Bundesligës, mes Borusias së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut në “Signal Iduna Park” të martën, fituar 1-0 nga kryesuesit, të cilët u arratisën +7 pikë nga rivalët në 6 javët e fundit të kampionatit, Erling Haland u detyrua të lërë fushën pas një përplasjeje me arbitrin e ndeshjes, Tobias Shtiler. Po, po, pikërisht kështu. Klasikja e parë e karrierës së tij u ndërpre në mes në një mënyrë të çuditshme. Ai nuk mundi dot të ruante mesataren e tij të jashtëzakonshme të golave dhe ndeshjen e vendosi një gol fantastik i Kimishit.
haaland_megserult_amikor_utkozott_a_jatekvezetovel-600x315-crop
INCIDENTI – Në minutën e 69-të, sulmuesi norvegjez u rrëzua në rrethin e mesfushës pasi arbitri, duke vrapuar nga pas, e goditi në gju. Përplasja u evidentua nga Jan Aage Fjortoft, bashkatdhetari i Halandit, ish-futbollist i Aintrahtit të Frankfurtit përmes një cicërime në “Twitter”.

“Nuk mendoj se do të mungojë për një kohë të gjatë”, shpjegoi trajneri Lysien Favre në fund të ndeshjes. “Është diçka në gju, por nuk e dimë ende me saktësi se për çfarë bëhet fjalë”.

Pas tre minutave ai la fushën duke çaluar dhe pasi u fashua, u ul në stol për të ndjekur pjesën e mbetur të ndeshjes.

Në të vërtetë, Haland vuan prej muajsh nga një dhimbje kronike në gju, motiv për të cilin episodi i të martës shqetëson në mënyrë të veçantë. Tre minuta pas përplasjes me arbitrin kryesor të ndeshjes, ai la fushën, duke u zëvendësuar nga Xhovani Reina. Të dielën, në derbin me Paderbornin, tekniku zviceran mund ta mbajë jashtë fushe për të mos e rrezikuar, por nuk bëhet fjalë kurrsesi për një mungesë të gjatë.

Gjithsesi dëmtimi mbetet i pazakontë, me Shtilerin që e detyroi Dortmundin ta kërkonte golin e barazimit në minutat e fundit pa bomberin e saj. Barazimi 1-1 nuk erdhi dhe Bajerni vendosi duart drejt titullit të tetë radhazi të “Meisterschale”. Me këtë avantazh në 6 javët e mbetura, nuk ka ndodhur kurrë në histori që rekordmenët ta kenë dorëzuar titullin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"