Dëmtimet i kanë shkatërruar karrierën, mesfushori i Kombëtares bëhet gati t’i japë lamtumirën klubit italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 23:29

Dëmtimet i kanë shkatërruar karrierën, mesfushori i Kombëtares bëhet gati t’i japë lamtumirën klubit italian

Mesfushori Emanuele Ndoj dukej si një emër i destinuar për t’u bërë protagonist i rëndësishëm në futbollin italian dhe në radhët e Kombëtares kuqezi. Por dëmtimet e njëpasnjëshme në karrierë kanë bërë që futbollisti të ndalej vazhdimisht duke mos arritur të jepte kontributin e tij.

ndoj

Pjesë e Breshias që nga viti 2016, tashmë në moshën 27-vjeçare, mesfushori është gati t’i japë lamtumirën klubit me të cilin shijoi edhe pjesëmarrjen në Serinë A disa vite më parë. Mesfushori nuk po aktivizohet më rregullisht pas dëmtimit të fundit dhe meqë është në mbyllje të kontratës së tij, që skadon në qershor 2024, po mendon që të bëjë që tani një transferim, gjatë janarit.

Mediat italiane raportojnë se për Ndojin ka interes nga tre klube të Serisë C të cilat janë Çezena, Padova dhe Triestina. Këto skuadra kanë ambicie për t’u ngjitur në Serinë B dhe për Ndojin, kjo do të ishte mundësi e mirë për të rigjetur edhe një herë formën pas aktivizimit me pikatore në edicionet e fundit.

Ndoj ka debutuar me Kombëtaren shqiptare në vitin 2018 nën drejtimin e Panuçit, por më pas dëmtimet e vazhdueshme e shkëputën atë nga grupi kuqezi, edhe pse trajneri Reja e monitoronte vazhdimisht.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"