Dëmtimet e shumta nga fusha stërvitore në Pyllin e Sodës, Labëria ndihmon Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 21:59

Dëmtimet e shumta nga fusha stërvitore në Pyllin e Sodës, Labëria ndihmon Flamurtarin

Dëmtimet kthehen në makth për Flamurtarin. Ato e kanë shqetësuar trajnerin Eqerem Memushi që kur u ul në stol, pasi nuk e pati fatin të kishte në dispozicion disa nga lojtarët kryesorë dhe të mirëpaguar që erdhën në Vlorë për të mbajtur peshën e skuadrës.

vucaj flamurtari ne stervitje

Të paktën 5 lojtarë kanë shfaqur probleme dëmtimesh. Prej disa javësh është rikthyer kapiteni Denis Pjeshka, që është i gatshëm të luajë nga minuta e parë. Shkodrani kishte tërheqje muskulore dhe iu deshën disa javë që të rikuperohej.

I dëmtuar është edhe Fabio Hasa, i cili ka probleme me pubalgjinë. Burime pranë klubit pohojnë për “Panorama Sport”, se Hasa është në fazë rikuperimi dhe brenda dy javëve mund të jetë gati. I dëmtuar është edhe Erjon Vucaj, i cili ka probleme me ligamentin e brendshëm. Me shumë gjasa edhe mesfushorit do t’i duhen 2 javë për t’u rikuperuar. Në fazë rikuperimi është edhe Fabjan Beqja, që ka pasur probleme me ligamentin dhe brenda 10 ditëve mund t’i bashkohet grupit.

NIGERIANI- Situata duket se është më serioze për Antoni Beji, i cili erdhi në Vlorë si një blerje e rëndësishme, një ndër më të shtrenjtët sa i përket pagesës. Nigeriani prej shumë javësh po qëndron jashtë fushe. Gazeta mëson se 30-vjeçari ka një inflamacion të meniskut dhe aktualisht është duke bërë terapi. Së fundmi ai ka bërë një kontroll të specializuar në Tiranë ku u evidentua edhe dëmtimi.

Kthimi i tij në stërvitje dhe më pas në fushë do të varet nga ecuria e terapisë, pasi problem nuk është edhe aq i thjeshtë. Beji në këtë rast ka qenë “fatkeq” teksa u dëmtua fillimisht në ndeshjen me Korabin ku pati një tërheqje në kofshë. Ai u kthye nga ky dëmtim pas 4 ditësh dhe pësoi atë që quhet degjenerim i meniskut gjatë seancës stërvitore në Pyllin e Sodës. Nëse rikuperimi nuk ecën mirë, Beji rrezikon të mbyllë vitin.

PROBLEMI – Stafi teknik ka evidentuar si shkaktar të dëmtimeve të shtuara të lojtarëve fushën në Pyllin e Sodës. Kjo e fundit ka degraduar dhe po sjellë probleme serioze për futbollistët. Nisur nga kjo, Flamurtari ka ndërruar fushën stërvitore. Klubi ka nënshkruar një marrëveshje me Labërinë, ku stërvitjet e skuadrës të zhvillohen në Nartë. Prej dy ditësh kuqezinjtë po stërviten në fushën e Labërisë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"