Dejvid Janaqi, një zbulim te Skënderbeu: Ja cili më frymëzon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 14:45

Dejvid Janaqi, një zbulim te Skënderbeu: Ja cili më frymëzon

Dejvid Janaqi është një prej lojtarëve që ka lënë shenjë te korçarët në muajt e fundit, por pezullimi duket se i ka ndërprerë ecurinë pozitive. I gjithë mundi është shpërblyer me grumbullimin e ardhur së fundi nga ekipi Kombëtar U-21.

janaqi

Në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, Janaqi tregon gjithë situatën e kaluar në këtë sezon, nga zgjedhja e Skënderbeut pas problemeve fizike të kaluara e deri tek shkëlqimi me korçarët e së fundi ftesa për në ekipin kombëtar Shpresa.

Janaqi, si ndiheni te Skënderbeu, pasi keni fituar një pozicion të rëndësishëm në formacion?

Që në ditën e parë që kam mbërritur këtu e kam parë se është një atmosferë shumë pozitive si nga shokët e ekipit ashtu edhe nga drejtuesit e klubit. Më kanë pritur shumë mirë dhe gjithmonë kanë parë tek unë me besim rritjen e formës fizike dhe të kapacitetit futbollistik. Gjë që e ndesh pak tek ekipe të tjera. Kjo më bëri shumë të lumtur dhe ja ku jam tani.

Çfarë të bindi të vije te Skënderbeu në merkaton e fillim sezonit?

Ajo që më bindi të vija në Korçë është fakti se Skënderbeu është një ekip me një histori të madhe dhe ka lënë gjurmë në Europë. Unë kisha dëshiruar për ekipin e Skënderbeut dhe rritjen e tij edhe në sezonet e kaluara ndaj e zgjodha me shumë dëshirë si destinacion për të hedhur një hap të sigurt në karrierën time. Kam dëgjuar që është një prej promotorëve kryesorë të lojtarëve të rinj dhe kjo ishte një shtysë më shumë që të arrija akordin final me këtë ekip. Nga ana tjetër edhe origjina ishte diçka e rëndësishme për këtë vendim.

Pritët momentin tuaj gjatë në stol dhe tani jeni kthyer në një pikë të rëndësishme të ekipit…

Isha i bindur që do të ndodhte një gjë e tillë, pasi sikundër e thashë që në fillim Skënderbeu është ekipi që i jap mundësi të rinjve. E dija që do të vinte një ditë e tillë dhe çdo moment punoja fort për të pritur shansin tim. Por ky nuk është ende maksimumi im. Po rritem ditaditës dhe falë mbështetjes së shokëve dhe stafit po fitojmë më shumë eksperiencë për ta vënë në shërbim të skuadrës dhe të rritjes individuale.

Në momentin tuaj më të mirë vjen ai pezullim. Ju vjen keq?

Normalisht që më vjen keq dhe e kam përjetuar shumë. Futbolli i ka edhe të tilla situata. Ka dyluftime dhe nerva loje. Ajo që unë mund të them është se kam reflektuar shumë pas atij momenti, kam kuptuar gabimin dhe mund të them se është diçka që do të më shërbejë edhe më shumë që të rritem.

Skënderbeu po bën një kampionat që pakkush e priste. Kush është sekreti i këtij grupi? 

Sekreti jonë është që jemi një grup i bashkuar. Vlerësojmë njëri-tjetrin dhe sakrifikojmë shumë për skuadrën. Kemi një harmoni shumë të mirë në grup që nuk e kam ndeshur askund më parë. Kjo mendoj se është çelësi kryesor i ecurisë së ekipit në këtë sezon.

Si shpërblim vjen kjo ftesë nga U-21. I emocionuar?

Patjetër, të luash në ngjyrat kuqezi është gjithmonë një emocion i veçantë. Ndihem shumë krenar, pasi e kam ëndërruar një moment të tillë. Është maksimumi për çdo futbollist, pasi ndihesh i rëndësishëm. Ndihem shumë krenar dhe jam gati të sakrifikoj gjithçka për këto ngjyra. I falënderoj të gjithë për besimin që patën tek unë.

Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen?

Ambiciet e mia janë që të jap maksimumin e mundshëm me Skënderbeun dhe të rritem në aspektin profesional. Sigurisht që si çdo lojtar ëndrra mbetet që të hedh hapin e madh për të kapur një prej kampionateve më të rëndësishëm dhe cilësorë të Europës.

Kush është idhulli juaj në futboll?

Luka Modriç pa dyshim. Është një prej mesfushorëve më të mirë për mendimin tim. Lojtar i fortë fizikisht, i disiplinuar taktikisht dhe shumë cilësor. Jam në të njëjtin pozicion si ai dhe gjithmonë e kam pasur idhull që kur kam qenë i vogël.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"