Debutimi me Flamurtarin, Çela i prerë: Shkojmë për fitore në Luz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2023 | 13:08

Debutimi me Flamurtarin, Çela i prerë: Shkojmë për fitore në Luz

Flamurtari është gati për ta nisur kampionatin. Emiljano Çela është i kënaqur me afrimet e bëra bërë në merkato dhe konfirmon se lojtarët janë më të angazhuar se kurrë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri nuk e neglizhon Luzin 2008 dhe e shikon si një kundërshtar të fortë. Por, përtej të gjithave, ka besim se skuadra që ai drejton do ta mundë. Kur pyetet për “kuzhinën” që përmend shpesh administratori Sinan Idrizi, memalioti thotë se ai ka tendencën e bërjes së gjërave në mënyrë profesionale dhe me përkushtim. Nuk dëshiron që të ndalet fort te rivalët, ndërsa hapur i cilëson që të 11-të të barabartë.

Cela

Çela është gati Flamurtari për të nisur sezonin?

Po, po patjetër. Flamurtari është gati për startin e këtij sezoni. Kemi javë të tëra që stërvitemi, ndaj nuk mund të themi të kundërtën. Jemi që të gjithë të angazhuar për të bërë më të mirën. Jemi më të karikuar se kurrë për të filluar nga puna.

Ndeshja e parë është në tranfertë me Luzin, si e shikoni?

Është një kundërshtar i fortë. Ne e vlerësojmë shumë Luzin 2008. Shkojmë në këtë transfertë për të dhënë më të mirën tonë, pavarësisht vështirësive që do të ketë kjo ndeshje.

Parashikohet një garë e fortë në letër, deri sa janë të shumta ekipet që kanë shpallur pretendime. Po Çela kë sheh si rivalë në misionin “Superiore”?

Për mua janë të gjithë rivalë dhe kundërshtarë. I vlerësojmë të gjithë si të tillë.

Flamurtari ka ndryshuar shumë këtë sezon, duke afruar një mori lojtarësh. Jeni i kënaqur me merkaton e këtij sezoni?

Po, patjetër që jam i kënaqur. Tashmë pres që grupi të japë më të mirën e tij.

Administratori Idrizi kërkon një “kuzhinë” të mirë, që ta kënaq në shije dhe të arrijë mbi të gjitha Superioren. Ia premtoni?

Mënyra e punës sime ofron pasion, përkushtim, punë dhe tendencën e bërjes së gjërave drejt dhe në mënyrë profesionale. Kjo është ajo ç’ka unë mund të premtoj. Pastaj mënyra si shijohet, gjithmonë ka dhe do ketë perceptime të ndryshme.

Një ditë përpara ndeshjes ishit edhe në xhami me një pjesë të ekipit…

Nuk ka lidhje kjo. Unë nuk shkoj në xhami për një ndeshje futbolli. Frekuentimi i xhamisë është çështje personale.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"