Debate të mëdha në këshill, kërkohet privatizimi i Flamurtarit/ Të gjithë kundër Idrizit, legjenda Kushta: Sportivisht të rrënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2023 | 23:49

Debate të mëdha në këshill, kërkohet privatizimi i Flamurtarit/ Të gjithë kundër Idrizit, legjenda Kushta: Sportivisht të rrënuar

Mes debateve të sh umta dhe kundërshtive ndaj Sinan Idrizit, Këshilli Bashkiak mori dje vendimin për të shtyrë me një vit kontratën e administrimit.

VLORE KESHILLI BASHKIAK

Këshilltarët e opozitës kanë qenë më “të flaktë”, teksa janë shprehur se në këto 9 vite të menaxhimit nga kompanitë turke, Flamurtari ka arritur pikën më kritike të tij, por është akumuluar edhe një borxh prej 2.2 milionë dollarësh. Ata e kanë cilësuar të tepërt shtyrjen e marrëveshjes, pasi druhen që situata në klub mund të shkojë më keq.

Kanë kërkuar nxjerrjen në shitje të aksioneve dhe një garë të hapur, duke ia besuar Flamurtarin njerëzve apo kompanive më të fuqishme se administratorët e sotëm. “Panorama Sport” zbardh të plota debatet në mbledhjen në këshill.

JA DEBATET

Atird Hoxha, këshilltar i PD-së: “Në këtë projektvendim nuk ka asnjë gjurmë të kërkesës së bërë nga administratori ose financuesi i Flamurtarit prej vitit 2014. Nuk shikoj që t’i jetë bashkëlidhur këtij relacioni. Këshilltarët nuk e kanë kërkesën e administratorit për të bërë shtyrjen e afatit të kontratës së financimit. Ju i referoheni gjithmonë një kontrate që është përpiluar në vitin 2014. Termat janë të paracaktuar në këtë kontratë.

Ju si mazhorancë socialiste i keni dhënë atij gjithmonë pikëzime dhe kjo administratë dhe kjo bashki nuk ka asnjë argument se përse nuk ka filluar procedura e privatizimit. Kemi shembuj, Partizanin, Egnatian, Vllazninë, Skënderbeun. Nuk e kuptoj pse për këta paska akte nënligjore dhe është gjetur procedura për privatizim të plotë apo të pjesshëm dhe për Flamurtarin nuk është gjetur formula akoma. Në kontratë thuhet se në rast privatizimi, shuma totale e financuar në asete dhe ambiente, të konsiderohen si pjesë e blerjes së kapitalit aksioner të kësaj shoqërie nëse financuesi zgjidhet fitues i procedurës së privatizimit.

Në bilancin e kompanisë që e ka në vitin 2011 në QKB dhe më pas ka një bilanc të depozituar të vitit 2021-2022, nuk ka të përcaktuar se sa është kjo vlerë, pasi ndër vite mund të jetë edhe 2, 3 apo 5 milionë dollarë. Dhe në fund, kur të filloj privatizimi, ky zotëria do të jetë në kushtet që vlera që do të përcaktohet për Flamurtarin do të jetë vlera që ai e ka hedhur në terrene dhe në shkallët e stadiumit dhe do ta marrë gratis. Njoh dhe një më të fuqishëm unë se ky që juve ia keni prerë rrugën me këtë projektvendim. Hapni garën, që të marrin njerëzit pjesë. Pse do të shtyhet afati. Hap garën për financimin, mund të ketë të tjerë që duan të financojnë, 10-15 veta të tjerë. Pse dashkemi të shtyjmë kontratën ne? Për çfarë.. për rezultatet?! E dini që Flamurtari ka qenë në elitën e futbollit shqiptar. Ku është sot? Unë mendoj se ky projektvendim ka shumë probleme. Ju po bëni favorizim absolute të financuesit.

Keni 10 vjet që ia keni dhënë këtij njeriu dhe nuk kemi asnjë informacion, pasi çdo tre muaj, sipas kontratës, ai duhet që të referojë në këshill. Ai është një aset i qytetarëve të Vlorës. Kjo është një përsëritje e shëmtuar e asaj që kemi parë në këto 10 vite të administrimit të Flamurtarit, që nga elita e futbollit është katandisur që luan sot me ekipe të dorës së tretë dhe të katërt. Unë nuk e kuptoj se për çfarë arsyeje ne duhet t’i shtyjmë kontratën këtij administratori, kur nuk ka asnjë lloj rezultati. Përpos kësaj, thuhet në tavolina dhe ambiente miqësore të qytetit që është bërë nami me financime. Unë po ju them se sot Flamurtari ka 2.2 milionë dollarë borxhe ndaj të tretëve, që janë tatime, sigurime shoqërore, rroga, etj.

Unë nuk e kuptoj pse ne duhet të bëjmë një shtyrje të afatit, kur kjo kompani është e zhytur totalisht në borxhe. Në momentin që ky e ka marrë Flamurtarin (i referohet Sinan Idrizit), klubi ka pasur 1.1 milion dollar borxhe, sot e ke me 2.2 milion dollar borxhe, mbas gjithë këtij administrimi të madh e të famshëm. Nesër ky zotëria mund të mbyll telefonin, të ikë e të shikojë punët e tij dhe këto borxhe do t’i ngelen Flamurtarit. Ky mashtron duke thënë se ka investuar gjatë gjithë kohës dhe ka një kapital prej 500 milionë lekësh që ia ka varur gur në qafë bashkisë. Nuk di asnjë kompani në qytet që të ketë 2.2 milionë dollar borxhe dhe të bëjë kapadaiun dhe tespixhiun nëpër qytet. Në 10 vjet ky ka hedhur te Flamurtari vetëm 1.8 milion dollar”.

Alta Azizi Haluci, këshilltare e PD-së: “T’i thuash faleminderit Zotit Idrizi për këto kushte, është e çuditshme. Na vjen turp të themi që jam me Flamurtarin. Ne jemi ndier krenarë për këtë ekip, që është quajtur ambasador i Vlorës dhe se ka luajtur me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit. Brenda vetes të gjithë e dinë, që është gabim i madh që e kemi lënë Flamurtarin në këtë pikë. T’i themi faleminderit Idrizit se nuk i ka marrë lekë bashkisë?! Për çfarë t’i themi, që e katandisi në këtë pikë. Më mirë të marrë lekë nga bashkia dhe ta bëjë mirë këtë punë, sesa kështu.

E ka katandisur si mos më keq ekipin dhe ne prapë ia japim, që ta uli keq e më keq. Sinan Idrizit t’i vijë turp që e ka katandisur në këtë pikë. Flamurtari është në krizë. Hapni ore tenderin dhe t’ia japim një njeriu që vërtet e do sportin, nuk do vetëm lekët. Është Flamurtari i Barcelonës e Partizanit të Beogradit, jo Flamurtari që nuk e njeh askush”.

Gëzim Çapo, këshilltar i PS-së: “Flamurtarit nëse nuk i shtyhet kontrata rrezikon të regjistrohet. Në një mbledhje tjetër të këshillit, duke marrë edhe mendimin e specialistëve dhe qytetarëve, të diskutojmë më gjerë.

Në Vlorë futbolli nuk ka ecur në nivelet e duhura. Të miratojmë shtyrjen e kontratës dhe në një fazë tjetër të diskutojmë se çfarë duhet të bëjmë”.

Sokol Kushta, këshilltar i PS-së: “Ne duhet të shikojmë kontratën e parë, ajo është zanafilla e 10 viteve. Unë po të isha nuk do ta firmosja. Në katër vite, unë jam i vetmi person që kam ngritur emergjencën e Flamurtarit. Duhet të shndërrohej sa më shpejt në një klub privat, të kishte disa blerës dhe aksionet të kishin dalë në shtije.

KUSHTA

Mua më pëlqen kryetari Ermal Dredha, pasi më ka thirrur dhe më ka thënë si do të bëjmë që të dalim nga kjo situatë sportive, jo ekonomike. Flamurtari, nga ana sportive, është i rrënuar. Flamurtari ringrihet sikur ne të gjithë bashkë këtu të mendojmë për një rrugëdalje. Ajo kontrata e parë ka qenë shumë negative.

Flamurtari duhet të funksionojë si një klub modern dhe me aksione që të shiten. Ai që blen aksionet, ta ndiejë. Asetet nuk shiten, ai stadium nuk shitet. Do të shitet vetëm Flamurtari. Sinan Idrizi përveç anës financiare, që i ka hequr bashkisë si barrë, gjërat e tjera sportive për mua janë negative. Unë them ta votojmë shtyrjen dhe gjatë kësaj kohe t’i japim kohën e duhur administratës për ta çuar këtë Flamurtar aty ku duhet. Unë para dy vitesh kam dhënë edhe një formulë që ‘X’ aksione të marrin edhe veteranët e futbollit, ‘X’ të shiten… ka shumë forma. Nuk duhet të jetë vetëm një blerës”.

Ervis Moçka, këshilltar i PS-së: “Është një projektvendim që lidhet me anën emocionale të të gjithë qytetarëve të Vlorës. Jemi në kushte kur duhet të gjendet një zgjidhje dhe të bëhet një analizë. Është bërë një kërkesë dhe skadon një afat. E vetmja zgjidhje që u pa ishte një shtyrje njëvjeçare. Bashkia ka detyrimin që brenda këtij afati të merret me privatizimin e klubit dhe nëse nuk di të pyesë dhe të mësojë e t’i japë një zgjidhje. Por, zgjidhja e vetme që Flamurtari të regjistrohet dhe të ketë mundësi financiare, është shtyrja e këtij afati”.

Ermal Arapi, këshilltar i PD-së: “Ju jeni në shkelje të procedurave dhe pikërisht pyetjen e parë, ia bëmë kryetarit. Pse nuk është firmosur ky projektvendim prej tij? Sepse nëse vjen nga këshilltarët, duhet t’i paraqitet kryetarit dhe ai shprehet brenda 20 ditëve me shkrim”.

Klodian Xhyheri, këshilltar i PD-së: “Flamurtari, në njërën anë ka rezultate shumë të dobëta sportive, në anën tjetër shikojmë që edhe të dhënat financiare i ka problematike. Ju po ngushëlloheni me faktin se bashkia nuk po nxjerrë lekë. Unë do të thosha me një financim modest në këto kushte ku është Flamurtari, ai e mori në Superiore dhe e çoi në Kategorinë e Dytë, por ka bërë një përparim të lehtë. Edhe bashkia me një buxhet modest mund ta mbante në këto kushte Flamurtarin. Ne rezultate sportive nuk kemi, statistikat financiare janë keq e më keq, pse duhet ta zgjasim këtë kontratë? Sokoli tha që kjo kontratë ka probleme. Por ne këtë të keqen që ka probleme kërkojmë që ta zgjasim edhe një vit”.

Geron Gunbardhi, këshilltar i PR-së: “Ne mburreshim me ekipin e Sokol Kushtës. Sot, për fat të keq, jemi kokulur. E kuptoni çfarë ka ndodhur?! Duhet të bënit një procedurë ligjore dhe të thoshit ‘Ore ka ndonjë financues tjetër që e merr Flamurtarin në këtë gjendje që është katandisur. Ne nuk u shpjegojmë dot fëmijëve tanë se ata që zbusin luanët dhe të përndjekurit nga lufta civile në Afrikë përfaqësojnë sot Flamurtarin. Ky është turp! Ne mburreshim me Sokolin, tani themi ‘nuk i njohim ata, se ashtu është muhabeti’. Na vjen turp ta zëmë në gojë Flamurtarin. Që të shitet një klub zoti Kushta, ti e di shumë mirë që çdo gjë varet nga aksionet dhe aksionet varen nga rezultatet që ka një ekip. Sa më lartë të jetë ekipi, aq më shumë shiten aksionet. Tek ajo kontrata e turpshme, është shkuar pastër dhe qartë se që gjitha investimet që kompania ka bërë, kur të privatizohet do t’i kalojnë atij. Kur çoja djalin në futboll, në Pyll të Sodës, te fusha nuk kishte banjë dhe ne si prindër do ta ndërtonim vetë. Por nuk na lanë, pasi na thanë se e ka marrë kjo kompania që do të bëjë atë dhe këtë. Pyetja ime është ka banjë sot fusha aty, pra një investim 2 milionë lekë të vjetër, nuk po flasim për miliarda dhe miliona që janë hedhur. Çfarë kanë bërë këta në këto vite? Le ta marrë dhe një vit tjetër, por çfarë do të bëjë? Do ta heqë fare, ta shkrijë sa të bëhen aksionet zero apo do të përpiqet e bëjë diçka. Përpara se të ngrini kartonin, i jepni vetes një detyrë qytetare, se ky është Flamurtari i Sokol Kushtës, që ne mburreshim”.

Ola Stefanaj, shefe finance në klub – Sinan Idrizi nuk mori pjesë personalisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ai kishte dërguar si përfaqësuese të klubit shefen e financës, Ola Stefanaj, që pranoi borxhin prej 2.2 milion dollarësh, por tha se janë detyrime të prapambetura dhe jo të kohës së turqve. “I dëgjova diskutimet tuaja me shumë vëmendje. Por këta këshilltarë nuk kanë shkelur një ditë të vetme në stadium, qoftë edhe moralisht. Përsa i përket detyrimit që tha këshilltari Atird Hoxha, është e vërtetë. Flamurtari e merr përsipër të gjithë atë detyrim.

Por, ky detyrim ka një zanafillë. Përpara shumë vitesh, në momentin e firmosjes së marrëveshjes, ne kemi mbartur shumë detyrime nga bashkia, jo vetëm tatimore dhe financiare, por edhe kontraktuale, që lojtarë të huaj kanë hedhur në gjyq klubin. Kjo na ka sjellë edhe heqje të pikëve, që është ulje në klasifikim. Nga gjyqet që janë zhvilluar në FSHF dhe në KAS janë marrë parasysh kontratat e lojtarëve në formën neto, ndërkohë ne i kemi të paraqitur bruto. Ne nuk jemi si klubet e tjera, që futbollistët i paraqesin me dy dhe tri kontrata. Po pa përfunduar procedura gjyqësore ne nuk mund t’i bëjmë pagesat. Pagat mujore na shkojnë mbi 50 milionë lekë. Është qesharake të thuash 1.8 milion euro në 10 vite”, u shpreh Stefanaj.

Ermal Dredha, kryebashkiaku – Në fakt, Sinan Idrizi kërkonte shtyrjen e kontratës së klubit me tri vite. Por bashkia e zgjati me vetëm një. Kryebashkiaku Ermal Dredha sqaroi se kjo do të jetë një kohë njohëse e procedurave, ndërsa u zotua se vitin që vjen do të nisë privatizimi i klubit dhe nxjerrja në shitje e aksioneve. “Jo pa qëllim kemi vendosur që kontratën ta shtyjmë me një vit, për t’i dhënë kohë vetes e për të parë se si funksionon gjithë kjo procedurë sa i përket shitjes së aksioneve të Flamurtarit. Ku shikoni ju këtu ndonjë hije mbrapa?

Kërkesa që i është drejtuar këshillit ka ardhur më datën 27 korrik. Ideja është që të merret një vendim që ne të jemi të gjithë në rregull me njëri-tjetrin, duhet të marrim kohën tonë. Po filluam të marrim vendime të nxituara, nuk i shërbejnë asnjë njeriu, as Vlorës dhe as Flamurtarit. Ne duhet të marrim një hap të sigurt përpara. Pastaj pjesa e firmos unë apo nuk e firmos unë projektvendimin, kjo nuk ka lidhje fare. Kërkesa i ka shkuar këshillit dhe këshilli është marrë me procedurën. Zoti Hoxha përmendi se paska borxhe shoqëria që menaxhon klubin aktualisht dhe përmendi 2.2 milionë euro. Po këto 10 milionë euro që ka investuar ky person, ku do t’i marrë? Ku ka qenë Flamurtari dje ne e dimë të gjithë. Mund të ketë ulje dhe ngritje, por nuk do të thotë që… Procesi i privatizimit do të fillojë vitin tjetër. Kaq po kërkojmë ne nga ju.

Nuk po themi të bëjmë ndonjë magji dhe t’i ndryshojmë gjërat. Kjo është vijueshmëri. Mos harroni se ai njeri ka harxhuar lekë, pasi janë gjithë ato paga që jepen çdo muaj. Bashkia minimalisht duhet të ketë 700 milionë lekë të vjetra në vit. Ku i ka këto buxhete bashkia që ta përballojë. Unë nuk kam parë ndonjë kompani tjetër apo investitor tjetër që të shprehë interesin për të marrë Flamurtarin. Tani nuk ka më, do të hapim garën dhe do të bëjmë privatizimin. Unë për 15 ditë dhe ky këshill nuk ma do mendja që do të jetë në gjendje që të fillojë procedurën për privatizimin e aksioneve sot që po flasim. Fillon kampionati nesër, kaq e thjeshtë është. Ku është problem këtu?”, u shpreh Dredha.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"