De Bur: Kam ekip fitues, Interi do Ligën e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2016 | 11:57

De Bur: Kam ekip fitues, Interi do Ligën e Europës

Vigjilja e ndeshjes Sparta Pragë-Inter ishte e pasur me deklarata, pasi Frenk De Bur, përveç konferencës për shtyp, dha edhe një intervistë të shkurtër për televizionin holandez “Nos”.

De Bur stervitje

Krahasimi

“Një holandez që kërkon t’u shpjegojë punën italianëve? Sigurisht që ditët e para të punës tek Interi nuk ishin të lehta. Nuk mund të futesha menjëherë si një elefant në një dyqan qelqurinash. Italia në 2006-n fitoi titullin e katërt dhe unë po mundohem që të futem me ngadalë. Dua të them se tek Interi ka gjetur djem shumë të mirë. “Djem fitues”, “debutoi” De Bur.

Vështirësitë

Numri një i pankinës zikaltër nuk u tërhoq kur u pyet për vështirësitë që kishte hasur në ditët e para të detyrës të re. “Nuk e kisha të lehtë pasi isha pasuesi i një trajneri italian. Kisha shumë presion dhe të gjithë më shikonin me gojën hapur”, tha holandezi, i cili nuk përmendi në emër Mançinin.

Objektivi

Në pjesën e fundit të intervistës holandezi u pyet për objektivin që kishte gjatë këtij sezoni. “Së pari duhet që të gjithë ne të gjejmë një pikë nisje. Ashtu si tek Ajaksi, unë dhe stafi im po mundohemi që të bëjmë më të mirën. Mendoj se nuk do ta kemi të vështirë që të arrijmë rezultate të kënaqshme pasi në Milano kam gjetur një grup fituesish”, arsyetoi 46-vjeçari.

De Bur konference

Konferenca

Mbrëmjen e djeshme ai u shoi kureshtjen gazetarëve në sallën e konferencave të stadiumit “Generali Arena”. Pyetjet më pikante ishin ato në lidhje me rrotacionin e dendur që ka përdorur vetëm në Ligën e Europës si dhe për “dënimin” e Brozoviçit.

“Mua më duhet që të mendoj për gjendjen fizike të lojtarëve të mi dhe për këtë arsye kam menduar se tre ndeshje radhazi do të ishin të tepërta për Santonin. Për këtë arsye nuk e kam grumbulluar. Sa i përket Brozoviçit, mendoj se duhet që të rifitojë formën fizike hap pas hapi duke punuar me ekipin. Ajo që ka ndodhur tashmë e kemi hedhur pas krahëve. Mbase mund të rikthehet kundër Romës”, tha De Bur.

Sparta-Inter formacionet

Pankina “e nxehtë”

Dy ekipet që zbresin në fushë sot kanë një të përbashkët sa i përket pankinës. Edhe trajneri i Spartës, ashtu si De Buri, është ulur në stolin e ekipit prej pak ditësh. “Nuk mund të them nëse është një avantazh ose jo fakti që ata kanë ndryshuar trajner”, tha tekniku zikaltër.

Rëndësia

Njëri prej gazetarëve në sallë pyeti De Burin për rëndësinë që kishte kompeticioni për Interin. “Sigurisht që duam të fitojmë këtë kupë. Ne duam që të fitojmë gjithmonë. Po flasim për një kompeticion shumë të ndryshëm nga kampionati, prandaj them se duhet që të japim maksimumin”, komentoi De Bur.

“Sa i përket duelit me Spartën, mendoj se është thelbësor për fatin tonë në këtë kompeticion. Kjo ndeshje është fondamentale për të dy ekipet pasi të dy formacionet e kanë nisur me humbje takimin e parë”, përfundoi De Bur.

Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"