Çoçlli: Barazimi është si humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2012 | 13:22

Çoçlli: Barazimi është si humbje

Pasi ka zhvilluar dje një stërvitje të lehtë te kompleksi stërvitor në Kamzë, Partizani është nisur drejt Sarandës për t’u grumbulluar në kuadër të ndeshjes së sotme ndaj Himarës. Skuadra e drejtuar nga Nikolin Çoçlli do të ketë një test mjaft të vështirë, pasi fitorja do të jetë një detyrim dhe një gjë e tillë mund të rrisë presionin në radhët e lojtarëve. Fakti që diferenca me skuadrat e tjera rivale për vendin e dytë është ngushtuar, i detyron “demat” të mos bëjnë asnjë hap fals, pasi një gjë e tillë do t’u kushtonte shumë. “E dimë që do të jetë një takim i vështirë, pasi ashtu si ne që synojmë vendin e dytë, edhe Himara ka problemet e saj në fundin e tabelës. Për këtë arsye u kam kërkuar lojtarëve të mi që të japin maksimumin dhe të marrin fitoren me çdo kusht. Unë personalisht, duke parë edhe përgatitjen e skuadrës sime, mendoj se ky është një objektiv tërësisht i arritshëm. Barazimin nuk e diskutoj në asnjë moment, pasi nëse skuadra del me një pikë nga stadiumi i Sarandës, për mua do të ishte një disfatë”, është shprehur trajneri Çoçlli në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”. Më pas, tekniku ka folur edhe për atmosferën në ekip. “Lojtarët në stërvitje kanë treguar një formë të mirë dhe shtyrja e ndeshjes na lehtësoi disi, pasi kishim një javë tejet të ngjeshur në kampionat, ku më parë kishim zhvilluar dy ndeshje. Me Himarën është testi i radhës dhe duhet ta kalojmë më sukses”, ka numri një i pankinës së kuqe, i cili për këtë takim delikat në transfertë nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Alert Alcani dhe mesfushorin Orgest Lini, për shkak kartonësh.
Premio – Ashtu siç kishte premtuar ditën e diel, presidenti i Partizanit, Lulëzim Sallaku, ka konfirmuar edhe njëherë premion që do të japë për futbollistët në rast se ata arrijnë të fitojnë në këtë takim. “Skuadra do të ketë dy milionë lekë të vjetër premio, në rast se arrin të fitojë. E kam thënë edhe përpara se ndeshja të shtyhej dhe e konfirmoj sërish”, – është shprehur Sallaku, i cili gjithashtu ka bërë me dije se do të jetë i pranishëm në stadiumin “Andon Lapa” të Sarandës, për ta ndjekur nga afër ekipin në këtë përballje.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"