Çështja “Sabien Lilaj”, polakët kërcënojnë Skënderbeun në UEFA: Të pezullohet lojtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2014 | 22:00

Çështja “Sabien Lilaj”, polakët kërcënojnë Skënderbeun në UEFA: Të pezullohet lojtari

Sabjen LilajKlubi polak Ruh Horzhov kërcënon Skënderbeun dhe mesfushorin Sabien Lilaj me padi në UEFA. Mediat polake kanë zbardhur dje ankesën zyrtare të drejtuesve të Ruh, të cilët pretendojnë se Lilaj është futbollist i tyre deri në verën e vitit 2015. Mirëpo, të njëjtën gjë pretendon edhe klubi i Skënderbeut, ndërkohë që mesfushori u aktivizua për korçarët edhe në ndeshjen e javës së parë të kampionatit ndaj Elbasanit. “Në klubin e Ruh janë të gjithë të nervozuar. Megjithëse Lilaj nënshkroi kontratën, ai nuk u paraqit më në skuadër”, – citonte dje uebsajti polak “sport.pl”. Për çështjen “Lilaj” ka folur vetë drejtori sportiv i Ruh Horzhov, Marius Klimek. “Lojtari ka firmosur për ne, ka ikur më pas në Shqipëri dhe nuk është paraqitur më në klub për të nisur stërvitjen. I bëjmë thirrje Lilajt të kthehet sa më shpejt dhe të respektojë marrëveshjen, pasi do ta denoncojmë në UEFA! Do të kërkojmë pezullimin e tij nga aktivitetet, ndërsa një padi do të bëjmë edhe kundër klubit të Skënderbeut, që e ka aktivizuar lojtarin në kampionatin shqiptar, duke shkelur rregulloren e UEFA-s. Më vjen keq, por presidenti i Skënderbeut po bën të njëjtën lojë si me Sebino Plakun, i cili është pjesë e Slask Vroklav. Kjo është e padrejtë dhe e papranueshme. Me të vërtetë ne e lejuam Lilajn të luajë për Ligën e Kampioneve me Skënderbeun, por ekipi shqiptar u eliminua dhe tani lojtari duhet të kthehet”, – deklaroi Klimek. Sipas mediave polake, Lilaj ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër te Ruh. Mirëpo, presidenti Takaj ka thënë për “Panorama Sport” se mesfushori ka një marrëveshje me Skënderbeun që e mban të lidhur deri në verën e vitit 2015. “Lilaj kishte një kontratë me klubin shqiptar vetëm për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Nuk është e vërtetë ajo që kanë thënë drejtuesit e Skënderbeut”, – theksoi drejtori sportiv i Ruh Horzhov gjatë prononcimit për “sport.pl”. Ndërkohë, mesfushori korçar dje iu rikthye stërvitjes me Skënderbeun pas problemeve shëndetësore që pati në fillimin e kësaj jave. Mësohet se klubi korçar ka kërkuar 50 mijë euro për lënien të lirë të lojtarit, por kjo shumë nuk është paguar.

Sulmuesi Peter Olaynka firmos për Skënderbeun
Sulmuesi Peter Olaynka është larguar nga Kukësi dhe ka firmosur me klubin e Skëndërbeut. Sulmuesi ka udhëtuar drejt Ballshit, ku edhe ka darkuar me ish-presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj dhe kreun e klubit korçar, Ardian Takaj. Tashmë është konfirmuar që lojtari është bërë pjesë e kampionëve të Shqipërisë. Paradoski ka të bëjë me faktin që Peter u largua prej Bylisit me akuza të forta, për mënyrën se si e trajtonin dhe për paracaktimet e rezultateve. Gjithsesi, ballshiotët kanë pretenduar për një kontratë 5-vjeçare me lojtarin, prej së cilës edhe kanë administruar të ardhmen e tij në Shqipëri.

Samir Sahiti ikën nga korçarët
Mbrojtësi Samir Sahiti është larguar zyrtarisht nga Skënderbeu, teksa në gjashtë muajt e ardhshëm do të luajë për skuadrën nga Mitrovica, Trepça ’89. Dje lojtari zbuloi për gazetën kosovare “Sport Plus” arsyet e “divorcit” me kampionët në fuqi të Shqipërisë. “Skënderbeu mori mbrojtësin Kristi Vangjeli dhe unë nuk kam qenë i interesuar që të mbetem alternativë në këtë skuadër. Nuk mendoj se kam bërë hapa prapa në karrierë, pasi kam ardhur në një ekip mjaft të organizuar siç është Trepça ’89”, – deklaroi Sahiti, i cili luajti vetëm 4 ndeshje me korçarët.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"