Çelsi dhe Junajtidi në pikiatë, Arsenali ekipi më i çmuar. Si ka ndryshuar vlera e klubeve angleze në treg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2023 | 12:50

Çelsi dhe Junajtidi në pikiatë, Arsenali ekipi më i çmuar. Si ka ndryshuar vlera e klubeve angleze në treg

Skuadra e Çelsit vlen 124 milionë paund më pak sesa klubi ka paguar për ta ndërtuar atë, ndërsa Mançester Junajtidi ka pësuar një humbje prej 115 milionë paundësh rënie vlere nga lojtarët e tyre. Ndërkohë që Arsenali është klubi që i ka rritur më shumë vlerën skuadrës së vet, me lojtarë që kushtojnë +343 milionë paund nga investimi fillestar.

PREMIER LIGA TITULLI

Por blutë e Londrës renditen në fund të vlerësimit të vlerave të futbollistëve të Premier Ligës të llogaritura nga “Transfermarkt”, pasi kanë shpenzuar rreth 880 milionë paund për të ndërtuar grupin e tyre aktual të lojtarëve, të cilët kanë një vlerë kolektive të vlerësuar prej vetëm 756 milionë sterlinash.

Kjo ndihmon për të shpjeguar pse pronari i Çelsit, Tod Bohli, po largon kaq shumë lojtarë që konsiderohen të tepërt këtë verë, pasi ka shpenzuar mbi 630 milionë paund gjatë dy merkatove të fundit të transferimeve për lojtarë si Enzo Fernandez, Mikhail Mudrik dhe Uesli Fofana.

Shumë lojtarë që trashëgoi pronësia e re amerikane e Çelsit janë zhvlerësuar ndjeshëm në çmimin e tyre, dhe jo më pak sulmuesi Romelu Lukaku, i cili i kushtoi klubit vendosjen e një rekordi kur pagoi 97.5 milionë paund në 2021, por tani vlerësohet nga “Transfermarkt” me vetëm 34 milionë paund.

Junajtidi është një tjetër klub që po përgatitet të zbresë humbjet e tyre me një numër lojtarësh, pasi ata të shesin për të mbledhur fonde për trajnerin Erik ten Hag në mënyrë që të vazhdojë procesin e rindërtimit të skuadrës së tij këtë verë.

Shifrat tregojnë se “djajtë” shpenzuan pothuajse 830 milionë paund për të mbledhur skuadrën e tyre aktuale, por tani ka vetëm një vlerë prej rreth 715 milionë paundësh në total.

Herri Meguajër dhe Xhejdën Sanço janë mes lojtarëve të Junajtidit, vlerat e të cilëve kanë rënë në pikatë gjatë sezoneve të fundit, pasi klubi pagoi respektivisht 80 dhe 73 milionë paund për t’i transferuar.

Statistikat e “Transfermarkt”-it zbulojnë se Uolverhemptoni dhe Shefild Junajtidi janë të vetmet klube të tjera të Premier Ligës të cilat kanë një vlerë totale të skuadrës më të ulët sesa kanë paguar për ta ndërtuar atë. Por humbjet e tyre prej 20.5 milionë paundësh dhe 1 milion paundësh respektivisht janë shumë më modeste sesa ato të Çelsit dhe Junajtidit.

Në anën tjetër të klasifikimit, Arsenali ka marrë një tjetër vlerë nga rritja e çmimit të kartonit të lojtarëve të tyre. Ndërsa lojtarët e Mikel Artetës kanë kushtuar vetëm rreth 572 milionë paund për t’u transferuar, ata sot kanë një vlerë tregu prej 915 milionë sterlinash.

Kjo tregon se është bërë një proces i shkëlqyer rekrutimi, por edhe përmirësimin e lojtarëve të akademisë si Bukajo Saka, i cili nuk kushtoi asgjë, por tani vlen rreth 102 milionë paund sipas “Transfermarkt”.

Martin Odegard dhe Uilliam Saliba janë ndër lojtarët e Arsenalit, vlerat e të cilëve janë rritur vetëm pas një sezoni të suksesshëm 2022-‘23. Statistikat gjithashtu nxjerrin në pah procesin e rekrutimit të jashtëzakonshëm të Brajtonit dhe Brentfordit, klube të cilat qëndrojnë në vendin e dytë dhe të tretë pas Arsenalit, me diferenca prej 243 milionë paund dhe 179 milionë paund respektivisht mes totalit të shpenzuar për blerjet dhe vlerës aktuale.

Lojtarët e suksesshëm të Mançester Sitit gjithashtu konfirmohen se e ruajnë mirë vlerën e tyre. Pavarësisht se skuadra e Pep Guardiolës kushtoi 852 milionë paund për t’u ndërtuar, ajo në fakt sot ka një vlerë prej gati 1.02 miliardë paund pas tripletës së sezonit të fundit.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Liverpulin, i cili e ka rritur vlerën e skuadrës pak më shumë se 150 milionë paund, me ekipin që ka kushtuar 726 milionë paund për ta ndërtuar. Aston Vila dhe Kristal Palasi renditen gjithashtu në pozicione të larta në klasifikimin e vlerës së skuadrës.

2132132132132

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"