Çekiçi: Luftëtari, ekipi më i dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2015 | 17:53

Çekiçi: Luftëtari, ekipi më i dobët

cekiciPogradeci arriti të mundte Luftëtarin në fushën e tij, duke u shkaktuar gjirokastritëve humbjen e parë në kampionat. Një sfidë shumë e rëndësishme për të dy ekipet që synojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Në lidhje me atë humbje, gjirokastritët fajësuan gjykimin duke hedhur akuza në adresë të tyre. Pas akuzave të bluzinjve, është drejtori teknik i Pogradecit, Ylli Çekiçi, i cili shprehet:

“Jemi të indinjuar nga deklaratat e stafit drejtues të Luftëtarit në lidhje me arbitrimin e ndeshjes. Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzat dhe për këtë do të jenë pamjet filmike që do të vërtetojnë më së miri se çfarë ka ndodhur. Ne nuk jemi marrë dhe s’do të merremi me arbitrimet, megjithëse jemi dëmtuar nga ndonjë padrejtësi.

Thëniet e tyre ne i hedhim poshtë si të pavërteta. Sa për lojën e Luftëtarit, mund të themi që ka qenë ndeshja më e dobët që kemi parë në këto 12 javë. Fajin ta gjejnë te vetja dhe jo tek arbitrimi, pasi ai ka qenë korrekt. Po ashtu, mund të them edhe për publikun që ishte në lartësinë e duhur dhe e ndoqi takimin normalisht. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë që kemi nisur dhe shpresojmë që në fund të arrijmë të ngjitemi në Superiore”, përfundon prononcimin drejtori teknik i liqenorëve, Çekiçi. Me fitoren e së shtunës, Pogradeci e shkurtoi diferencën me Luftëtarin e vendit të parë në tri pikë dhe “lufta” mbetet e hapur deri në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"