“Çdo sfidë do të vlerësohet si finale mbijetese”, trajneri Hima: Në Vlorë, Burreli tregon se meriton më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 14:59

“Çdo sfidë do të vlerësohet si finale mbijetese”, trajneri Hima: Në Vlorë, Burreli tregon se meriton më shumë

Në përfundim të dy fazave të kampionatit, skuadra matjane u rendit në vendin e nëntë me 22 pikë. Luzi është mes tre ekipeve që i kanë marrë pikët e plota matjanëve në dy faza. Para seancës së djeshme, skuadra matjane iu nënshtrua një analize të hollësishme të ndeshjes së fundit, ku sipas trajnerit Hima Burreli nuk meritonte të humbiste.

HIMA BURRELI

“Skuadra kishte shumë mundësi që të mos kthehej duar bosh nga ndeshja e fundit. Krijuam disa raste, duke iu afruar ndjeshëm golit. Kundërshtarët dy raste patën dhe i shfrytëzuan. Me pak kujdes, rezultati do të kishte tjetër përfundim”, u shpreh fillimisht trajneri Hima. Në fundjavë, startojnë ndeshjet e fazës së tretë. Në bazë të shortit, Burrelin e pret një përballje e fortë, në transfertë ndaj Flamurtarit.

“Ndeshjet e kësaj faze parashikohen të jenë të vështira. Çdo sfidë do të vlerësohet si finale. E nisim me Flamurtarin dhe pavarësisht emrit dhe pretendimeve që ka kjo skuadër, ne do të tregojmë se nuk e meritojmë pozicion që kemi aktualisht në renditje”, u shpreh trajneri Klevis Hima.

Katër sfidat e para rezervojnë sfida të vështira për matjanët. Fillimisht do të udhëtojnë në Vlorë, më pas presin Vorën. Për të vazhduar në transfertën e Elbasanit dhe përballjen në “Liri Ballabani” me Bylisin kryesues.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"