Bylisi paditet në FIFA nga mbrojtësi Abdelaje Diakite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2016 | 10:03

Bylisi paditet në FIFA nga mbrojtësi Abdelaje Diakite

Bylisi rrezikon heqjen e pikëve nga FIFA për shkak të një gjyqi të humbur ndaj sulmuesit slloven, Patrik Bordon, që ka luajtur për ballshiotët dy vite më parë.

bylisBurime zyrtare në FSHF konfirmojnë për “Panorama Sport” se ka një ultimatum për klubin ballshiot në lidhje me pagesën që duhet t’i bëjë sllovenit. Nga ana tjetër, konfirmohet se mbrojtësi që luajti pjesën e parë të sezonit me Bylisin, Abdelaje Diakite, ka paditur Bylisin në FIFA për shkak të moskorrektësisë financiare.

Të njëjtat burime treguan për gazetën se klubi ballshiot është njoftuar për këtë, ndërsa gjithçka tashmë është në proces.

Ndeshja

Bylisi u ka dhënë fund përgatitjeve ditën e djeshme, teksa sot në “Adush Muça” do të presë skuadrën e vendit të fundit, Tërbunin. Pritet që tekniku Zildoviç të bëjë disa ndryshime në formacion në krahasim me sfidën e parë që patën ndaj Kukësit, duke parë se diçka stonoi në atë përballje. Afrimet e shumta në merkato i japin këtë mundësi teknikut boshnjak, i cili pret të shijojë fitoren e parë me ballshiotët këtë kampionat.

Surpriza më e madhe ka të bëjë me lojtarët e afruar vetëm në fund të merkatos, brazilianin Edmilson, i cili me shumë gjasa do ta nisë si titullar dhe do të bëjë rolin e një ndihmëssulmuesi, ku i vetëm në majën e tij pritet të jetë Hoxhaj. Ndërkohë, edhe në portë pritet të debutojë këtë sezon Stivi Frashëri, i rikthyer në skuadrën mallakastriote pas aventurës që pati në kryeqytet me Tiranën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"