Bylisi “goditi” në merkato me Kërçikun, mbrojtësi : Nuk u mendova dy herë, presidenti Kapllanaj u tregua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 11:42

Bylisi “goditi” në merkato me Kërçikun, mbrojtësi : Nuk u mendova dy herë, presidenti Kapllanaj u tregua…

Bylisi godet në merkato. Nuk ka kohë për teste, ndaj edhe presidenca ka menduar që të bëjë lëvizje të zgjuara. Afrimi i parë është Dorian Kërçiku. I larguar pak kohë më parë nga Tirana, mallakastriotët e kanë bindur 26-vjeçarin. Edhe pse për të kishin shfaqur interes ekipe si Skënderbeu, Kukësi apo Partizani, ballshiotët janë treguar më të shpejtë. 

dorian kerciku

Një okazion merkatoje, kur dihet që jo vetëm erdhi me parametra zero, por fare mirë mund të luajë edhe si mesfushor linje. Akordi është arritur tashmë dhe sot ai do të vihet nën urdhrat e Veljko Dovedanit. Fill pas firmës, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me lojtarin. Ai është shprehur i lumtur për këtë transferim, ndërsa direkt shpalli edhe objektivat.

“Kisha oferta nga skuadra të tjera, por presidenti Besnik Kapllanaj u tregua korrekt. Më realizoi kërkesat dhe duke ditur ambientin e Ballshit dhe ecurinë e skuadrës, nuk u mendova dy herë. Dua që të kapim Europën dhe ky është një qëllim pse po shkoj në Ballsh. Shoh që në ekip ka shumë djem të rinj, me një pjesë kam luajtur, ndaj edhe kam besim se do të ecim. Tirana? I uroj suksese. Tashmë mendoj për Bylisin dhe nesër (sot) do të jem në Ballsh do të bashkohem me pjesën tjetër të skuadrës”, përfundoi Kërçiku.

dorian kerciku

Ndërkohë, gazeta mëson se klubi i ka bërë ofertë edhe sulmuesit të krahut, Bedri Greca, i cili është pjesë e Gjilanit në Kosovë.

SITUATA – Në Ballsh e mbyllën 2019-ën në perfeskion. Vendi i dytë ishte si një ëndërr, e megjithatë tashmë ambiciet janë shtuar. E kanë të qartë që pjesa e mbetur e këtij sezoni do të jetë edhe më e vështirë, ndaj për të pasur vazhdimësi kanë menduar që të nisin punën herët. Prej të premtes së 3 janarit, skuadra zbarkoi në fushë. Që të gjithë lojtarët të cilët janë nën kontratë, janë vënë nën urdhrat e Dovedanit, duke përjashtuar të larguarit Mishel, Opoku apo edhe Celis. Mungesa të arsyetuara janë ato të Bicajt, Ymeralilajt apo Aliajt (të dëmtuar). Pezull mbetet Turabovi, për të cilin klubi pret një përgjigje, nëse do të vijojë ose jo bashkëpunimin edhe në pjesën tjetër të garës.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"