Brazili në superformë, shkatërron Panamanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2014 | 9:10

Brazili në superformë, shkatërron Panamanë

NejmarPak ditë më parë, trajneri i “Seleçaos”, Luis Felipe Skolari, ngriti alarmin se shumë nga futbollistët e tij e kishin marrë me shumë lehtësi Botërorin që afronte dhe vuri në rresht liderët e kombëtares. Dhe përgjigja ka qenë nga më të mirat, sepse me Panamanë Brazili dhuron spektakël dhe jep sinjale bindëse se ata janë pa dyshim favoritët për fitoren e tyre në shtëpi. Takimi emocionues ka dhuruar gjithçka, luftë sportive, ndonjë shqelm që solli disi frikë, gola dhe spektakël.

BRAZIL-PANAMA  4-0
GOLAT: Nejmar 27′, Alvesh 40′, Hulk 46′, Uillian 73
BRAZIL (4-3-3): Hulio Sezar, Dani Alvesh (Maikon 46′), David Luiz (Henrike 70′), Marselo (Maksuell 46′), Dante, Ramirez (Hernanes 46′), Luiz Gustavo, Oskar (Uillian 63′), Fred (Xho 61′), Hulk, Nejmar. Trajner: L.Skolari
PANAMA (4-1-4-1): MekFarlane (Kalderon 58′), Baloi, R.Torres (Kamings 59′), Maçado (Jimenez 56′), Karrol (Rodrigez 67′), Gomez, Henrikez, Kuper (G.Torres 56′), Kuintero, Tejada (Nurse 46′), Munoz. Trajner: H.Gomez
GJYQTARË: R.Orozgo (Bolivi)
KARTONË TË VERDHË: David Luiz 11′, Nejmar 44′ /Tejada 25′, Kuper 44′, Gomez 68′

Ndeshja Kundërshtarët nga Panamaja mundën t’u rezistonin “kanarinave” vetëm për 26 minuta lojë, sepse Nejmar tregon se kur vesh fanellën e përfaqësueses transformohet në një “snajper” të pagabueshëm. Pikërisht ylli i Barcelonës zhbllokon ndeshjen, kur pas një faulli të frikshëm të Tejadas, Nejmar me goditje dënimi kalon saktësisht murin dhe depoziton topin në rrjetë. Kaq mjafton dhe Brazili lëshohet me siguri drejt goleadës, pasi Daniel Alvesh, në minutën e 40-të do të dyfishonte shifrat. Mbrojtësi imiton lojtarët e kalçetos dhe me një goditje nga jashtë zone me majën e këpucës tund për herë të dytë rrjetën. Pjesa e dytë është edhe më e zhdërvjellët, por është sërish vetëm Brazili protagonist. Nuk kalon asnjë minutë lojë nga fillimi i fraksionit të dytë dhe Hulk merr një “ftesë” me thembër nga Nejmar në zonë dhe me të djathtën mposht për herë të tretë portierin panamez. Skolari duartroket të tijtë dhe nis një sërë zëvendësimesh, publiku në stadium ekzaltohet, edhe pse disa të tjerë jashtë vazhdojnë protestat e tyre. Por në fushën e lojës, “Seleçao” kërkon të dëfrehet dhe në minutën e 73-të vjen edhe goli i katërt. Sërish Nejmar ekzalton shokët e tij dhe ofron një asist në thellësi të zonës për Maksuell, i cili pason në qendër për Uillian, që nuk mund të gabojë. 4-0 për verdhegjelbrit. Edhe pse me 20 minuta të mbetura deri në përfundim të sfidës, Brazili kënaqet edhe me “pokerin” e golave, duke “respektuar” disi dhe kundërshtarin. Në fund, publiku i Goiasit duartroket idhujt e tyre, që duken në formë të shkëlqyer, në pritje të debutimit kundër Kroacisë, më 12 qershor.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"