Borxhet/ Flamurtari, letër FSHF-së: Mjaft me ultimatume

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2019 | 9:49

Borxhet/ Flamurtari, letër FSHF-së: Mjaft me ultimatume

Flamurtari, letër zyrtare FSHF-së për ultimatumin. Një javë para skadimit të 31 korrikut, klubi vlonjat kërkon nga institucioni më i rëndësishëm i futbollit në vend që të rishikojë qëndrimin dhe të mos vendosë ultimatume.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

“Panorama Sport” zbulon letrën që pritet t’i niset FSHF-së nga drejtuesit e klubit vlonjat, për të mos penguar licencimin e këtij viti në Superiore. Në këtë shkresë zyrtare thuhet se Flamurtari i njeh të gjitha detyrimet dhe se do të fillojë t’i paguajë, ndërsa kërkon që FSHF të bëjë prapaktheu nga qëndrimi i saj. Në letër, drejtuesit e Flamurtarit vënë në dukje edhe korrektësinë e tyre në Tatime gjatë këtyre viteve, ndryshe nga klubet e tjera, siç shprehen ata. “Koha e ultimatumeve ka ikur. Është koha e zgjidhjeve konkrete. I bëjmë thirrje FSHF-së si institucioni më i lartë, që të bëhet pjesë e zgjidhjes. Ne si klub i njohim të gjitha detyrimet që kemi. Do të paguajmë çdo borxh që rrjedh prej këtyre detyrimeve, por kjo nuk duhet të na penalizojë me masa ekstreme. Kujtojmë se kemi qenë i vetmi klub në këto vite që në Tatime deklarojmë pagat reale. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Ndaj, kërkojmë bashkëpunimin tuaj për ecurinë sa më mirë të garës dhe të futbollit në vend”, thuhet ndër të tjera në letrën e Flamurtarit drejtuar FSHF-së.

KONFIRMIMI

Kjo lëvizje e klubit vlonjat, një javë para skadimit të afatit, konfirmohet për “Panorama Sport” nga administratori Sinan Idrizi. “Secili do të bëjë punën e tij. Edhe ata kanë të drejtën e tyre. Por edhe ne kemi të drejtën tonë. Nuk ma ha mendja që FSHF të marrë ndonjë masë për të mos na licencuar. Megjithatë, këto ditë unë do të marr një kontakt me drejtues të FSHFsë. Ne këto detyrime që kemi do t’i mbyllim, nuk diskutohet kjo punë. Ne do ta mbyllim obligimin tonë. Më i rëndësishëm është statusi. Unë e kam thënë që nuk di të bëj ekip dhe që të bëj klub, duhet të kem statusin se jemi një katastrofë e vërtetë në të gjitha drejtimet”, tha Idrizi.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"