Borxhe pa fund, pasiguri dhe refuzime, ja çfarë po ndodh me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2019 | 17:30

Borxhe pa fund, pasiguri dhe refuzime, ja çfarë po ndodh me Flamurtarin

Zbulohen arsyet se përse Flamurtari nuk nis dot stërvitjen. “Panorama Sport”, duke iu referuar situatës aktuale, burimeve në klub, por edhe vetë lojtarëve, zbardh sesi qëndron e vërteta e vonesës së nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri.

Flamurtari

Së pari, të gjithë lojtarët që janë kontaktuar këtë periudhë e kanë paragjykuar ftesën e klubit, pasi siç dihet, Flamurtari është i zhytur në borxhe. Një situatë e tillë e mbartur nga vitet e kaluara ku shumë ish-lojtarë dhe ish-trajnerë nuk janë paguar ende, ka ndikuar mjaft negativisht në imazhin e klubit.

Lojtarët që po kontaktohen duan garanci financiare dhe para kesh në dorë për të firmosur. Në këto kushte, përveç boshnjakut Semir Bajraktareviç dhe vlonjatit Ardit Hoxhaj, të gjithë që ka kontaktuar klubi kanë refuzuar. Me merkaton personi përgjegjës në klub që merret është drejtori i sapoemëruar, Artim Pollozhani.

Gazeta mëson se ky i fundit ka telefonuar shumë futbollistë në këtë periudhë, por thuajse të gjithë e kanë refuzuar, pasi duan garanci financiare. Klubi nuk e ofron këtë dhe tani është në hall të madh, pasi stërvitja nuk mund të nisë vetëm me lojtarët nga akademia dhe 2-3 të mbetur nën kontratë.

Ndërkohë, administratori Sinan Idrizi është munduar të bindë disa nga sezoni i shkuar: si Sukaj, Ribaj apo edhe Veliu. Duket se këta i kanë premtuar diçka, por pa u formuar ekipi dhe gjërat të bëhen serioze, as Sukaj&CO nuk mund të dalin në stërvitje.

Një tjetër arsye që mund të duket banale për startin e përgatitjeve në Vlorë është akomodimi i futbollistëve që nuk janë vendës. Klubi e ka të vështirë në këtë moment të japë garanci edhe për akomodimin apo ushqimin. Problemi qëndron në faktin se në shtëpitë me qira që ka marrë klubi gjatë viteve të fundit, ka detyrime të pashlyera. Në këto kushte, pronarët e tyre refuzojnë të marrin përsipër akomodimin pa marrë garanci nga klubi për pagesat e prapambetura.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"