“Bomberi” Raboshta karikon Vorën: E dimë çfarë duam, shihemi në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2023 | 22:00

“Bomberi” Raboshta karikon Vorën: E dimë çfarë duam, shihemi në elitë

Vora ka kaluar me sukses provën në Berat, ndonëse jo pa vështirësi. Vetëm 14 minuta lojë dhe një ndërhyrje pa ndonjë rrezikshmëri, tërboi Tomorin. Kjo solli edhe një sulm ndaj kryesorit Sokol Bebja. Sidoqoftë, loja rifilloi dhe u mbyll pa probleme. Një penallti e fituar para pushimit, nuk u kursye nga Jasmin Raboshta.

raboshtra

Goditi në anën e kundërt të Kristian Rrokut dhe shifrat shkuan në 0-1. Një gol që i dha mundësi sulmuesit që të kapë zyrtarisht listën e golashënuesve të Kategorisë së Parë. Me 10 rrjeta, ai kryeson. E megjithatë, prioriteti i 33-vjeçarit është krejt tjetër. Nuk është se i jep rëndësi kësaj pjese, para misionit madhor që klubi ka. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë:

“Nuk ka qenë fort e lehtë ndeshja me Tomorin, por është e rëndësishme që kemi fituar ndaj një kundërshtari me cilësi. Tani jemi rikthyer në garë për vendin e dytë, por kjo fitore na ka rritur akoma më shumë besimin për javët në vazhdim. Dëshiroj një garë treshe për dy vendet e para, ku Vora do të luajë të gjitha shanset dhe mundësitë.

Goli i fitores, ishte i 10-ti në total për mua. Deri në fund do të jap gjithçka që të jemi në garë për elitën me skuadrën dhe pse jo të marr ‘kurorën’ e golashënuesit. Vora nuk do të ndalet në realizimin e objektivit ‘Superiore’. Ne kemi arritur deri këtu falë investimit të drejtuesve dhe punës së stafit teknik. Kemi kryer gjysmën e punës dhe kërkojmë që ta çojmë deri në fund, duke kapur elitën”.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"