“Blindohet” Gilberto, do rinovojë për 10 mijë dollarë. Sina do të tërhiqet në fund të sezonit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Prill 9, 2014 | 9:00

“Blindohet” Gilberto, do rinovojë për 10 mijë dollarë. Sina do të tërhiqet në fund të sezonit

GILBERTOGilberto Fortunato do të qëndrojë edhe sezonin tjetër te Tirana. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta në klubin bardheblu, si dhe nga vetë lojtari. I pyetur dje para stërvitjes në lidhje me bisedimet për rinovimin e kontratës, braziliani ka konfirmuar se gjithçka është OK. Ndonëse nuk është ende zyrtare, pasi palët (klubi dhe lojtari) nuk kanë firmosur kontratën e re, e cila do ta lidhë brazilianin me fanellën bardheblu edhe për sezonin 2014- 2015, bëhet me dije se dje ai ka takuar donatorin Refik Halili, me të cilën është dakorduar për sa më sipër. Tirana i ka ofruar një rrogë neto prej 10 mijë dollarësh në muaj, madje edhe një paradhënie prej dy rrogash. Gjithçka bëhet fjalë për sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht lojtari e ka një kontratë të vlefshme për deri në fund të muajit, nga e cila përfiton 3500 dollarë në muaj. Braziliani erdhi te Tirana gjatë merkatos së janarit nga kampionati vietnamez. Gjatë fazës përgatitore ai nuk i bindi drejtuesit dhe trajnerin Magani dhe disa ditë para mbylljes së merkatos ishte gati të largohej nga bardheblutë, kjo edhe për faktin se lojtari kërkoi 5 mijë dollarë në muaj rrogë. Në fund u gjet një akord për 3500 dollarë në muaj dhe Gilberto firmosi për deri në fund të këtij sezoni. Por që në ndeshjen e parë me Kastriotin në fushë u pa një tjetër sulmues, totalisht ndryshe dhe absolutisht ndër më të mirët e afruar në merkatot e fundit të Tiranës. Që këtu nisën ofertat ndaj tij, ndërsa nuk munguan edhe provokimet nga ana e Partizanit. Gjithsesi, ajo që e detyroi në një farë mënyre Tiranën ta “blindonte” sulmuesin ishin ofertat që ai ka marrë së fundmi nga jashtë. Fillimisht Gilberto mori një ofertë nga Kazakistani. Kazakët i patën ofruar 10 mijë dollarë në muaj dhe ai kërkoi që Tirana ta linte të lirë që në mes të marsit. Ndërkohë ditët e fundit mësohet se braziliani ka marrë edhe një ofertë nga Malajzia, edhe kjo po aq joshëse sikundër oferta e parë, ndaj edhe donatori Halili ka kërkuar që të mbyllë menjëherë rinovimin me lojtarin, për të mos ta humbur në fund të këtij sezoni.

Sina dhe Semedo ne konference per shtypElvis Sina “var këpucët”, tërhiqet në fund të sezonit
Një jetë si bardheblu, me trofe e medalje që peshojnë në qafën e kujtdo. Tanimë, kur po “tingëllon” ditëlindja e 36-të, mbrojtësi legjendar i Tiranës, Elvis Sina, po mendon tërheqjen nga futbolli. Sipas informacioneve të konfirmuara edhe nga vetë futbollisti, këto do të jenë javët e fundit që ai do vijojë të stërvitet dhe kontribuojë, nëse do t’i kërkohet, për fanellën e Tiranës. Në fund të sezonit Sina do ta mbyllë përfundimisht karrierën te klubi, ku e pat nisur 26 vite më parë, që në 1996-ën kur luante me skuadrën e të rinjve të Tiranës. Më pas më 1999-ën, ai është pjesë e organikës së parë të bardhebluve dhe nga ai vit është shkëputur vetëm dy sezone nga kjo fanellë: më 2006-2007, kur luajti për Elbasanin dhe në 2008-2009 me Dinamon. Në gjithë këto vite Elvis Sina numëron gjashtë tituj kampionë: 1996-’97, 1998-’99, 1999-’00, 2002-’03, 2003-’04 dhe 2004-’05, gjashtë Kupa të Shqipërisë 1998- ’99, 2000-’01, 2001-’02, 2005-’06, 2010-’11 dhe 2011-’12 dhe tetë Superkupa 2000, 2002, 2003, 2005, 2006, 2008, 2011 dhe 2012, duke qenë një nga lojtarët më të titulluar jo vetëm te Tirana, por në të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Ndërkohë, Sina rezulton edhe si lojtari i Tiranës me më shumë ndeshje në Kupat e Europës. Ai ka luajtur në 30 ndeshje në Champions League, Kupën UEFA dhe Ligën e Europës. Sa u përket ndeshjeve me ekipin përfaqësues, Sina ka luajtur pesë takime me Kombëtaren. Ai ka debutuar më 12 tetor 2002 në përballjen Shqipëri-Zvicër 1-1, kur skuadra jonë drejtohej nga italiani Xhuzepe Dosena. Sina zëvendësoi Ervin Fakajn në minutën e 89-të. Në ndeshjen pasardhëse ai luajti sërish si zëvendësues në përballjen ndaj Rusisë 4-1, kur u fut në lojë në minutën e 60-të në vend të Fatmir Vatës. Tri ndeshjet e tjera të Elvis Sinës kanë qenë ndaj Polonisë më 29 maj 2005, kundër Danimarkës më 8 qershor 2005 dhe Azerbajxhanit më 17 gusht 2005. Më pas, vendin e tij në Kombëtare e zuri Armend Dallku. Për sa i përket sezonit të fundit (aktualisht), mbrojtësi 35-vjeçar është aktivizuar në 15 ndeshje, nga ku në 10 të tilla ka luajtur si titullar, për një total prej 953 minutash lojë. Mbrojtësi ka regjistruar vetëm një karton të verdhë (ndaj Teutës në Durrës), ndërkohë që duhet thënë se që nga 2010-ta, pra që nga largimi i Devi Mukës, ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te skuadra bardheblu, kjo natyrisht edhe për faktin se ka qenë një nga lojtarët me më shumë eksperiencë.

5 lojtarë rrezikojnë Vllazninë
Renaldo Kalari, Entonio Pashaj, Endri Vrapi, Afrim Taku dhe Erlind Koreshi duhet të bëjnë shumë kujdes në ndeshjen ndaj Lushnjës këtë javë, pasi një karton i verdhë në këtë përballje do të thotë pezullim për ndeshjen tejet të rëndësishme ndaj Vllaznisë në javën e 30- të. Pashaj ka 8 kartonë të verdhë, ndërsa Kalari, Vrapi, Taku nga 5 kartonë, kurse Koreshi 2 të tillë. Nëse do të ndëshkoheshin këtë fundjavë ndaj Lushnjës, ata nuk do të kishin mundësi të luanin ndaj kuqebluve, duke qenë se pezullimi nuk mund të shlyhet në ndeshjen ndaj Bylisit në javën e 29-të, përderisa skuadra ballshiote është e përjashtuar nga kampionati.
Leonard Karaj





www.minuta90.com