Besëlidhja kërkon fitoren e parë në kampionat, Lushnja vjen si e barabartë në këtë takim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2021 | 9:59

Besëlidhja kërkon fitoren e parë në kampionat, Lushnja vjen si e barabartë në këtë takim

Besëlidhjes nuk i mbarojnë hallet. Sikur të mos mjaftonte fakti që janë në vendin e fundit me një pikë dhe vijnë pas asaj humbjeje turpëruese me Burrelin, duhet t’i bëjnë llogaritë edhe me dëmtimet.

bruka

Janë jo pak, por 4 lojtarë me probleme nga porta te sulmi. Kjo ia ka bërë “malore” ndërtimin e formacionit trajnerit, të cilit i është dashur të sajohet. Alban Bruka e pranon që nuk po kalojnë gjendjen më të mirë të mundshme, por nuk ka në plan që të dorëzohet. Kjo javë i çon në transfertë dhe vështirësia rritet, megjithatë kjo nuk e ndryshon objektivin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thekson se fitorja është domosdoshmëri.

Nëse nuk duan që të zhyten edhe më keq në krizë, zgjidhje tjetër nuk kanë. “Gjatë gjithë javës, kemi punuar intensivisht për të korrigjuar gabimet e shfaqura në javët e fundit dhe fituar energjitë e duhura për të sfiduar Lushnjën. Jemi të karikuar dhe gati për ndeshjen e nesërme (sotme). Humbja e thellë e së dielës na ka demoralizuar, por ekipi tashmë e ka marrë veten plotësisht edhe nga ana psikologjike.

Unë shpresoj shumë që të gjejmë rrugën e kthesës dhe në ‘Roza Haxhiu’ të hapim një faqe të re për Besëlidhjen. Më shqetëson fakti se kam disa mungesa shumë të rëndësishme titullarësh, duke nisur që nga porta. E megjithatë, e kemi gjetur zgjidhjen. Jemi të ndërgjegjshëm se është transfertë e vështirë, pasi vendësit jo vetëm luajnë në shtëpinë e tyre dhe mbi të gjitha kanë mungesë pikësh, por nuk na mungon motivimi për ta kaluar me sukses”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane.

GJYLA

Lushnja është gati për Besëlidhjen, kundërshtar që e pret sot në orën 14:00 në stadiumin “Roza Haxhiu”. Dy ekipe me traditë “piqen” në Kategorinë e Parë dhe në një situatë aspak normale, pasi ndodhen në zonën e rënies. Nëse verdhejeshilët janë të 13-ët me 4 pikë, lezhjanët janë ngujuar në fund me vetëm një pikë. Ilir Gjyla përballet me të shkuarën, pasi dikur e ka drejtuar edhe Besëlidhjen.

Ilir Gjyla Lushnja

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se renditja nuk duhet të merret në konsideratë, ndaj pret që lojtarët të kenë angazhim maksimal në fushë. “Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për Besëlidhjen. Nuk e kemi parë si një ekip që humbi me 5 gola ndaj Burrelit apo ndodhet në vendet e fundit, sepse as ne nuk jemi më lart se ata. E kemi parë, si një kundërshtar elite të kampionatit shqiptar. Të gjitha ekipet, ashtu si dhe ne bëjnë hapa falsë. Bëjnë gabimet e veta. Por, unë e kam thënë dhe e them, që të gjitha ekipet janë të barabarta. Nëse nuk luan i angazhuar, nuk ia del dot. Mendoj që, këtë javë do të japim maksimumin dhe obligimi ynë është vetëm fitorja. Alternativa jonë e vetme është triumfi. Trepikëshi si rezultat i një loje të mirë dhe respektimit të kundërshtarit”, tha fillimisht Gjyla.

Tekniku i lushnjarëve ndalet edhe në aspektin psikologjik, si edhe bën një thirrje për tifozët. “Ana psikologjike lidhet ngushtë me mungesën e golit, gjë që e kemi dhënë dhe stërthënë. Ne kemi pasur shumë raste për shënim, madje jemi skuadra e cila shpërdoron më shumë… Ajo çfarë dua t’u them futbollistëve është që kur pësojmë gol, morali bie poshtë. Kjo nuk do të thotë… Mund të pësosh gol dhe mund ta fitosh ndeshjen. Morali duhet mbajtur lart. Ndërkohë që kërkoj edhe ndihmën e tifozëve, të na mbështesin. Ama të na mbështesin, sepse mend kemi ne. Po nuk patëm ne, kemi kolegë, kemi shokë, nga të cilët marrim mend. Ne duam tifozllikun, të na mbështesin ashtu siç mbështet çdo tifozëri. Ose, ashtu si di Lushnja të mbështesë”, përfundoi numri një i pankinës verdhejeshile.

PRENG GJIKOLA/ ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"