Bekim Kuli beson: Kastrioti ndaj Kukësit përsërit fazën e parë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2022 | 12:46

Bekim Kuli beson: Kastrioti ndaj Kukësit përsërit fazën e parë!

Kastrioti u është kthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Kukësit, që do të zhvillohet të dielën në Kamzë. Performanca mjaft e mirë, e bërë në dy ndeshjet e fundit, ka rritur dukshëm optimizmin në radhët e skuadrës krutane.

Bekim Kuli

Duke folur për “Panorama Sport”, numri dy i stolit të krutanëve, Bekim Kuli, i bën një analizë skuadrës pas barazimit të fundit ndaj Erzenit.

“Mendoj se Kastrioti është në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Fitorja ndaj ballshiotëve u pasua dhe me barazimin e arritur ndaj shijakasve.

Në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit, ishim pranë fitores, por nga pakujdesia e sulmuesve tanë, shifrat mbeten të barabarta deri në fund të ndeshjes.

E rëndësishme është se skuadra prodhon lojë dhe ajo shoqërohet dhe rezultate pozitive”, ka thënë fillimisht Kuli.

Në vijim të prononcimit të tij, ish-futbollisti i njohur kavajas, analizon dhe kampionatin, sipas tij nuk ka më skuadra të mëdha apo të vogla.

“Kampionati nga java në javë po bëhet interesant. Nuk ka më skuadra të mëdha apo të vogla.

Mjaftojmë të shohim Erzenin e Shijakut, që në këtë sezon futbollistik është debutuese dhe aktualisht është në katër më të mirat e kampionatit. Çdo ndeshje kërkon vëmendje dhe çdo ndeshje duhet të konsiderohet finale më vete”, shprehet kavajasi, i cili në karrierën e tij ka provuar të veshë bluzat e disa skuadrave me emër në futbollin shqiptar.

NDESHJA – Sfida ndaj Kukësit është një tjetër betejë e vështirë për djemtë e Emiljano Çelës, por Kuli mbetet optimist për një tjetër rezultat pozitiv pas atij barazimi ndaj shijakasve.

“Ndaj Kukësit e parashikoj të fortë. Kam besim se skuadra do të dijë të përsërisë rezultatin e fazës së parë.

Ne e kemi treguar veten se dhe me skuadra të elitës kemi marrë rezultate pozitive.

Shpresojmë se një gjë të tillë ta bëjmë realitet këtë fundjavë”, mbylli prononcimin ndihmësi i Çelës. Kujtojmë që pas 11 javësh kampionat, Kastrioti pozicionohet në vendin e gjashtë me 14 pikë.

NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"