Basketbollisti i kombëtares: Më vinte për të qeshur kur flitej për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 10:33

Basketbollisti i kombëtares: Më vinte për të qeshur kur flitej për fitore

Shqipëria në basketbollin e meshkujve e mbyll grupin B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019 me takimin me Holandën, që do të zhvillohet sot, në sallën sportive të lojërave me dorë “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës. Përtej euforisë përpara nisjes së aventurës ndërkombëtare deri në kualifikim për në turin tjetër, fundi i tri ndeshjeve të para rezervoi të kundërtën për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri qipriot Antonis Konstantinides. Tri humbje në po kaq ndeshje të zhvilluara.

Franko Bushati

Ndryshe nga “rryma”, duke folur për Televizionin Shqiptar, titullari i kombëtares shqiptare Franko Bushati ka pranuar se mundësitë që Shqipëria të fitonte ndeshje në këto paraeliminatore kanë qenë thuajse të pamundura.

“Unë e kisha thënë edhe përpara se të nisnim paraeliminatoret se do të ishte shumë e vështirë se do të arrinim të fitonim një ndeshje. Duke parë grupin tonë, lojtarët që kemi, duhet të jemi objektiv dhe jo të gënjejmë. Problemi që unë shoh, është se të ardhmen këtu nuk e shoh të mirë për Shqipërinë sepse kemi shtyllat e kombëtares që luajnë këtu prej 15 viteve me përfaqësuesen dhe vazhdojnë.

Por nesër apo pasnesër kur të mos luajnë më Bushati, Hysenagolli, Shima nuk shoh djem të rinj që të jenë gati të zëvendësojnë. Dhe kjo është gjëja më e keqe”, deklaroi titullari kuqezi, Franko Bushati. Basketbollisti, i cili luan me Breshian në kampionatin italian, tha se kombëtarja dha maksimumin, por sportistët e saj duhet të shndërrohen gradualisht në profesionistë.

“Në kampionatin shqiptar nuk ke profesionalizëm dhe nuk është faji i këtyre djemve. Ata studiojnë, merren me punë dhe shkojnë në stërvitje tre-katër herë pasdite. Kështu që do të luash kundër Austrisë që ka 12 lojtarë, që të 12-të merren vetëm me atë punë, Holanda e njëjta gjë.

Prandaj kur dëgjoja përpara ndeshjeve më vinte gati për të qeshur, sepse më dukej se sikur nuk shohim tamam kush është realiteti. Në këtë kombëtare janë tre profesionistë, plus trajneri. Kështu që nuk mund të kërkosh më shumë se çfarë ka bërë kjo kombëtare”, përfundoi Bushati. Në tri ndeshjet e para, Bushati ka arritur një mesatare prej 15 pikësh dhe 2.3 topave në tabelë/ndeshje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"