BASKETBOLL/ Paraeliminatoret e Kupës, Elbasani dhe Partizani ‘OK’ në raundin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2024 | 19:47

BASKETBOLL/ Paraeliminatoret e Kupës, Elbasani dhe Partizani ‘OK’ në raundin e parë

Pas pushimit të festave, basketbolli ka “ndezur motorët” për pjesën e dytë të sezonit, teksa dje janë luajtur edhe dy takimet e para për vitin 2024, sfida të vlefshme për Kupën e Shqipërisë në radhët e meshkujve. Elbasani dhe Partizani e kanë kaluar me sukses raundin e parë të fazës paraeliminatore, ndërsa tashmë do të matin forcat me njëri-tjetrin për një vend në çerekfinale.

BASKET MESHKUJ

Ndeshja e parë e ditës së djeshme ishte ajo ndërmjet Elbasanit dhe Skënderbeut, takim i fituar nga verdheblutë me rezultatin 109-104 (29-18, 32-33, 27-25, 21-28). Një sfidë interesante dhe me rendiment të lartë në sulm nga të dyja ekipet, por të zotët e shtëpisë u treguan më të saktë. I gjithë formacioni i Elbasanit shkoi në dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte kapiteni Çela me 16 pikë, 11 kërcime dhe 7 asistime

. Në radhët e korçarëve kjo mund të konsiderohet paraqitja më e mirë sezonale, por e pamjaftueshme për të avancuar më tej në Kupë. Gjikas, me 22 pikë ishte shënuesi më i mirë për Skënderbeun. Fitore të ngushtë shënoi edhe Partizani që mposhti Fierin në “Asllan Rusi” me rezultatin 74-70 (23-16, 16-17, 14-21, 21-16).

Edhe kjo ishte një përballje shumë e luftuar, por “demat” ishin më të vendosur, duke dalë me suksesin e merituar. Brown me 24 pikë e 14 kërcime dhe kapiteni Gjyzeli me 27 pikë e 10 kërcime ishin më të mirët për kryeqytetasit. Për Fierin spikati amerikani Anyanwu, autor i 27 pikëve.

B1

B2

VLADIMIR MEMA/ NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"