Basketboll meshkuj/ “Shah mat” Besëlidhjes, Kupa është e Tiranës. Flasin trajnerët Karaj dhe Bilali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 16:49

Basketboll meshkuj/ “Shah mat” Besëlidhjes, Kupa është e Tiranës. Flasin trajnerët Karaj dhe Bilali

Tirana e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2024, duke fituar Kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Bardheblutë e Erkand Karajit kanë zhvilluar një ndeshje fantastike, teksa mbrëmjen e së shtunës kanë shkatërruar Besëlidhjen në sallën “Feti Borova” me rezultatin 91-74. Ndonëse në letër ishin lezhjanët ata që konsideroheshin favoritë, finalja foli tërësisht për kryeqytetasit, të cilët u shfaqën dominues në parket, duke ngritur lart për herë të 20-të në historinë e klubit Kupën.

tirana basket

Foto: F.Hazizllari

Ky ishte trofeu i dytë sezonal për bardheblutë, të cilët disa muaj më parë fituan edhe Superkupën. Protagonisti absolut i finales ishte Isayas Aris. Amerikani, i afruar vetëm disa ditë më parë në merkato, ishte asi nën mëngë i trajnerit Erkand Karaj, duke merituar edhe vlerësimin MVP në finale.

sked

PERIODAT – Me një bosht solid lojtarësh vendorë, të cilët kanë shumë eksperiencë mbi shpatulla, Tirana transformohet kur bëhet fjalë për finale. Kjo u konfirmua edhe të shtunën në Kupë, teksa kryeqytetasit e nisën takimin menjëherë me përqendrimin e duhur, me periodën e parë që fillimisht prodhoi rivalitet. Por në 2 minutat e fundit Tirana e rriti ritmin për të shkuar në pushim me avantazhin 23- 18. Kampionët e Shqipërisë luajnë edhe më mirë në periodën e dytë, teksa mbrohen në mënyrën e duhur dhe kanë rendiment të lartë në sulm, për ta fituar këtë periodë 26-17, duke kryesuar 49-35 pas gjysmës së takimit. Pjesa e dytë nuk ndryshon asgjë, pasi bardheblutë e administrojnë në mënyrë perfekte epërsinë, madje duke shkuar deri në +21 pikë avantazh. Kështu Tirana i fiton dy periodat e mbetura 19-18 dhe 23-21, duke hipotekuar suksesin final me 17 pikë diferencë.

STATISTIKAT – Ndeshje e jashtëzakonshme nga Isyas Aris. Amerikani, i cili e nis lojën nga stoli, duke u aktivizuar gjithsej 28 minuta, regjistroi 35 pikë, 15 kërcime dhe 2 asistime për Tiranën. Dopietë dyshifrore edhe për Endrit Hysenagolli, me 12 pikë dhe 16 kërcime, ndërsa kuotë dyshifrore pikësh prekën edhe kapiteni Red Vogli (11) dhe Richard Lilaj (10). Në radhët e Besëlidhjes ra në sy forma e dobët e amerikanëve, ndërsa më të mirët për lezhjanët ishin Julian Hamati dhe Eldi Hysa, me të parin që realizoi 21 pikë, ndërsa i dyti 18. Kjo ishte humbja e parë sezonale për skuadrën e Afrim Bilalit, disfatë që u kushton lezhjanëve një trofe. Kujtojmë që kjo ishte edhe finalja e parë në histori e Besëlidhjes në Kupën e Shqipërisë, takim që nuk përfundoi ashtu sikurse ekipi verior kishte shpresuar. Në fund ishte edhe radha e ceremonisë tradicionale të dorëzimit të medaljeve dhe të trofeut për ekipin fitues, teksa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i dorëzoi Kupën kapitenit bardheblu, Red Vogli, për t’i lënë më tej vend festës së Tiranës.

tir basket

Trajneri i Tiranës

Erkand Karaj: Po rritemi, të vijojmë kështu edhe në kampionat

Erkand Karaji u shfaq nga paraqitja e Tiranës, që solli edhe triumfin në Kupë. Pas suksesit në finalen kundër Besëlidhjes trajneri bardheblu ndër të tjera deklaroi: “Pamë një finale të bukur. Sigurisht që trofeu na gëzon, duke e nisur vitin kaq bukur. Nuk e mendonim se do ta fitonim këtë finale kaq bukur. Kjo tregon se skuadra jonë është përforcuar dhe po rritet dita-ditës. Tani këtë performancë duhet ta tregojmë edhe gjatë kampionatit. Bëmë një lojë të fortë, pasi kishim përballë një nga ekipet më të mira të momentit, duke qenë edhe ata pretendentë. Sigurisht dhe përvoja e lojtarëve tanë ndikoi dhe dha atë që ne kërkonim”, u shpreh Karaj.

Trajneri i Besëlidhjes

Afrim Bilali: Finalja të na vlejë për t’u korrigjuar

Trajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali, u shpreh se në finalen ndaj Tiranës ndikoi periudha e gjatë e pushimit dimëror, por edhe mungesa e fatit. Megjithatë trajneri theksoi se ky takim duhet tu shërbejë për të korrigjuar gabimet. “Nuk dua që skuadra të luajë me ulje e ngritje, e cila u panë edhe në këtë finale. Në disa momente krijuam diferenca të mëdha, por me interval të shkurtër kohor, ku lojtarët treguan dhe emocione. U munduam që të forconim mbrojtjen, ti mbulonim një për një lojtarët e Tiranës, por dhe fati nuk ishte me ne pasi humbëm shumë pikë nga gjuajtjet drejt koshit. Gjithsesi ishte një finale e bukur që na jep mundësinë të korrigjojmë më shumë nga gabimet tona. Lojtarë janë të përgatitur fizikisht dhe kjo e tregoi se ato asnjëherë nuk treguan shenja lodhje, edhe pse kishin luajtur një natë më parë. Shumë ndikoi dhe periudha e pushimit prej afro më shumë se një muaj”, deklaroi ndër të tjera trajneri Bilali.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"