Basketboll meshkuj/ Besëlidhja harron Kupën, rikthehet fuqishëm në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 17:18

Basketboll meshkuj/ Besëlidhja harron Kupën, rikthehet fuqishëm në kampionat

Me tri sfida të luajtura të shtunën dhe të dielën, Kategoria e Parë e basketbollit për meshkuj ka kompletuar javën e 12-të, duke shënuar kështu edhe startin e fazës së dytë të kampionatit. Besëlidhja ka lënë pas zhgënjimin e Kupës, pas asaj finaleje të humbur ndaj Tiranës, duke marrë suksesin e 11-të në kampionat në po kaq takime të luajtura.

beselidhja basket

Lezhjanët likuiduan Teutën në “Asllan Rusi” në shifra të thella. Fitore regjistroi edhe kampionia në fuqi, Tirana, me bardheblutë që mposhtën Apoloninë në kryeqytet. Ndërsa Kamza vijon gjithashtu ecurinë pozitive në kampionat, teksa kaloi me sukses transfertën e Vlorës përballë Flamurtarit.

BESËLIDHJA-TEUTA –

Pas zhgënjimit të Kupës, lezhjanët e Afrim Bilalit rigjetën formën e tyre më të mirë, duke bindur me lojë dhe rezultat ndaj një rivali aspak të lehtë si Teuta. Besëlidhja tregoi forcën të shtunën, duke i mundur në kryeqytet durrsakët me rezultatin treshifror 117-90 (38-19, 18-16, 27-25, 34-30). Besëlidhja e nisi lojën furishëm, me ritëm shumë të lartë në sulm, duke dominuar tërësisht në periodën e parë, për ta fituar këtë fraksion me 19 pikë diferencë. Më tej lezhjanët e menaxhuan në mënyrë perfekte takimin deri në fund. Teuta ndonëse tregoi rritje në lojën e saj, e kishte të pamundur që të afrohej aq sa për të shpresuar përmbysjen. Për Besëlidhjen, që mbetet ekipi i vetëm i pamposhtur në kampionat, spikati paraqitja fantastike nga Blake Marquardt. Amerikani ishte lojtari i ndeshjes, duke regjistruar 45 pikë, 6 kërcime dhe 1 asistim. Për Teutën shkëlqeu amerikani Patrick Bacon me 33 pikë, 6 kërcime dhe 5 asitime, por që mbeten sa për vlerë statistikore.

TIRANA-APOLONIA –

Pas luhatjeve të fillim-sezonit, bardheblutë duket se kanë gjetur formën e tyre më të mirë. Skuadra e Erkand Karajit po bind me lojëra dhe rezultate, ndërsa pas triumfit në Kupë ka ardhur edhe suksesi i radhës në kampionat. Tirana e mposhti dje Apoloninë me rezultatin e thellë 96- 74 (25-9, 22-17, 28-16, 20-32) në “Farie Hoti”. Një ndeshje pa shumë histori, e komanduar nga kampionët në fuqi, të cilët shkuan deri në +33 pikë epërsi. Vlerësimin MVP e meritoi Endrit Hysenagolli, me qendrën bardheblu që regjistroi 20 pikë dhe 19 kërcime, i mbështetur nga Gerard Davis me 24 pikë dhe Isayas Aris me 19. Për fierakët spikatën Jamarcus Jones me 24 pikë e 18 kërcime, si dhe Brian Tolefree me 24 pikë dhe 9 kërcime.

FLAMURTARI-KAMZA –

Skuadra e Eni Llazanit mbetet forcë e dytë në kampionat, teksa dje likuidoi Flamurtarin në transfertë me rezultatin e thellë 64-81 (11-19, 26-16, 13-19, 14-27). Vlonjatët mundën të rezistonin vetëm në gjysmën e parë të ndeshjes, ndërsa miqtë e bënë më pas diferencën në 20 minutat e dyta. Njeriu i ndeshjes në suksesin e Kamzës ishte amerikani Dominique Keyes, protagonist me 35 pikë dhe 8 kërcime. Për Flamurtarin i vetmi që mbërriti në dopioshifër pikësh ishte Dusan Stocic, autor i 21 pikëve.

1 0

2

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"