BASKETBOLL/ Kampionati kombëtar mbyll fazën e parë, Teuta e Vllaznia triumfe treshifrore në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2023 | 11:10

BASKETBOLL/ Kampionati kombëtar mbyll fazën e parë, Teuta e Vllaznia triumfe treshifrore në shtëpi

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka përfunduar fazën e parë, me dy sfidat të luajtura të shtunën. Teuta dhe Vllaznia e kanë mbyllur me triumfe treshifore, duke mposhtur përkatësisht, Flamurtarin dhe Elbasanin.

teuta basket

TEUTA-FLAMURTARI – Durrsakët e Nikola Milatoviçit nuk falën në “Ramazan Njala”, teksa e likuiduan Flamurtarin me rezultatin 102-80 në një takim të udhëhequr nga fillimi e deri në fund. Teuta e nisi me përqendrimin e duhur lojën, duke e treguar forcën që në periodën e parë. Bregdetarët luajnë mirë në të dyja fazat për ta fituar çerekun e parë 32-16.

Në periodën e dytë vlonjatët përmirësohen, teksa ky fraksion loje mbyllet 21-26 në favor të tyre, ndërsa shifrat e përgjithshme pas 20 minutash shënojnë 53-42 për vendësit. Megjithatë, në pjesën e dytë durrsakët e kontrollojnë qetësisht takimin, për ti fituar edhe dy periodat e mbetura, përkatësisht 22-14 dhe 27-24, duke vulosur suksesin final me 22 pikë diferencë, falë një lojë mjaft të mirë grupi.

I gjithë formacioni i Teutës e mbylli sfidën në dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e shënoi Patrick Bacon, autor i 26 pikëve, 10 kërcimeve dhe 5 asistimeve.

Për Flamurtarin nuk mjaftoi Dyquavis Wilkins, protagonist me 28 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime. Me këtë fitore Teuta e përfundon fazën e parë në vend të katërt, ndërsa vlonjatët pozicionohen në vend të shtatë.

01

VLLAZNIA-ELBASANI – Fitore pa shumë vuajtje edhe për kuqeblutë, të cilët mundën Elbasanin me rezultatin 102-84 (25-21, 21-16, 24-19, 32-28) në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Vllaznia u tregua superiore në të katërta periodat, duke u shpërblyer edhe me suksesin e merituar. Më i miri në radhët e skuadrës së Damian Bekteshit ishte Veton Gjeçaj, i cili meritoi vlerësimin MVP me 22 pikë, 10 kërcime dhe 8 asistime.

Në radhët e Elbasanit shkëlqeu kapiteni Alban Çela, autor i 33 pikëve, 13 kërcime dhe 3 asistime. Me këtë triumf Vllaznia e mbyll fazën e parë në vend të pestë, me pikë të barabarta me Teutën e vendit të katërt dhe Tiranën e vendit të tretë. Ndërsa Elbasani vijon rënien e lirë, teksa pas fitoreve në 3 javët e para, shënoi humbjen e shtatë radhazi.

Ndërkohë kampione e dimrit në sportin e koshit është shpallur Besëlidhja, e cila ka pasur deri më tani një ecuri perfekte, si ekipi i vetëm i pamposhtur në kampionat, duke regjistruar 10 fitore. Pas lezhjanëve të Afrim Bilalit, në vend të dytë pozicionohet Kamza me 8 fitore dhe 2 humbje.

02

03

R.GJINI/N.GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"