BASKETBOLL/ Afrim Bilali: Besëlidhja, e formatuar për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 17:20

BASKETBOLL/ Afrim Bilali: Besëlidhja, e formatuar për titullin

Pas iu afrua shumë tit ullit që në debutimin e saj në Superligë gjatë edicionit të kaluar, Besëlidhja e basketbollit të meshkujve po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm. Me të gjitha ndeshjet e fituara në kampionat, ekipi lezhjan ka kaluar edhe gjysmëfinalet e “play off”-it, duke mundur Tiranën 3-0, për t’u bërë skuadra e parë finaliste e këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Afrim Bilali deklaron se Besëlidhja është e formatuar për të arritur këto rezultate “top”. Për Bilalin sekreti i skuadrës është baza vendore, ndërsa bën të ditur se lezhjanët do të jenë kryefjalë në basketbollin shqiptar për disa vite. Me 6 fitore sezonale kundër Tiranës, Bilali thotë se Besëlidhja i ka shkurorëzuar bardheblutë dhe se është gati të marrë kurorën e kampiones. 44- vjeçari shkodran ka komentuar edhe polemikat për arbitrimin, teksa sipas tij gjyqtarët nuk janë në nivelin e ekipeve dhe se duhet të azhurnohen me evolucionin dhe dinamikën e këtij sporti.

03ae4b02-4158-4c07-b03a-a5b73c3b4c3d

Bilali, 23 ndeshje dhe 23 fitore mes sezonit të rregullit dhe “play off”-it. E kishit menduar një ecuri të tillë në fillim të kampionatit?

Që në fillim Besëlidhja është formatuar për të patur këto rezultate. Nga mënyra se si është krijuar ekipi dhe se si ka ardhur deri këtu, për këto rezultate është menduar që nga viti i kaluar faktikisht dhe pas sezonit të vjetshëm bashkë me bordin drejtues vendosëm që të ndryshonim strukturën e skuadrës. Vendosëm që të kishin në gjirin e skuadrës lojtarë shqiptarë, lojtarë të cilët kanë peshë edhe në Kombëtare. Afrimi i tyre ka bërë që bërthama e skuadrës të jetë e fortë dhe çdo lojtarë tjetër që i është bashkuar ekipit, konkretisht basketbollistët amerikanë, t’i përshtaten grupit vendor. Pikërisht kjo gjë ka bërë që edhe ecuria e të gjithë sezonit të Besëlidhjes të jetë konstante dhe rezultatet të jenë pozitive. Që në fillim e kemi menduar që do të kemi një ecuri të mirë, por që të arrinim 23 fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara nuk e kishim menduar. Por çdo javë dhe muaj që kalonte, ekipi ka pasur besimin që ecuria do të ishte shumë e mirë dhe me këto rezultate që sot i shikojnë të gjithë.

Cili është sekreti i Besëlidhjes?

Siç e thashë edhe më lart, sekreti i Besëlidhjes është bërthama me lojtarët shqiptarë. Por duhet përmendur edhe fakti që amerikanët e përzgjedhur këtë vit kanë qenë shumë cilësorë, korrektë dhe profesionistë, si dhe janë përshtatur shumë mirë me ekipin dhe kampionatin shqiptar. Pra, falë kombinimit të shqiptarëve me më lojtarët e huaj, ne kemi arritur që të kemi këtë perfeksion dhe deri në këto momente që po flasim kemi mbërritur në finale pas pësuar asnjë humbje. Tani presim konkurrentin e radhës.

Duke u kthyer te gjysmëfinalja, fituat bindshëm kundër Tiranës. A mund ta quajmë si hakmarrje për finalet e edicionit të kaluar?

Faktikisht, kundërshtari ynë direkt këtë vit ka Tirana, pasi është edhe ekipi kampion dhe në përbërjen e vet ka pasur lojtarë shqiptarë shumë të mirë, por edhe lojtarë amerikanë cilësorë. Tiranën këtë vit e kemi mundur gjashtë herë, jo vetëm në tri ndeshjet gjysmëfinale. E kemi mundur në të gjitha rastet bindshëm me lojë, duke treguar karakter ndaj tyre. Nuk mund të them që këto fitore janë hakmarrje, pasi për ne ka qenë një konkurrent i radhës dhe objektivat tona kanë qenë të qarta, pra Tirana për ne ka qenë konkurrenti i radhës. Jemi ne ata që e kemi shkurorëzuar Tiranën, për t’i lënë vend kurorëzimit tonë në këtë sezon të suksesshëm të Besëlidhjes.

4522c3cb-285d-4d3b-aa0f-310b08f75d10

Një ecuri që ju bën favoritë të padiskutueshëm për titullin…

Ecuria gjithë vjetore e Besëlidhjes është tregues që jemi pretendent kryesorë për titull, për vetë faktin që të gjitha ekipet i kemi mundur nga dy herë, si në fushën tonë, gjithashtu edhe në shtëpitë e tyre. Këtu flas konkretisht për Teutën dhe Vllazninë, pasi njërën nga këto dy ekipe do ta kemi dhe përballë edhe në finale. Mendoj që organika jonë është më e plotë, jemi më të qartë në lojën tonë dhe të përgatitur fizikisht shumë më mirë sesa ekipet në fjalë që do të kemi përballë në finale. Gjithashtu, edhe për mënyrën sesi kemi ardhur në finale mendoj që e meritojmë titullin, por pa dyshim nuk jemi akoma kampionë dhe duhet të përpiqem në maksimum që mos të bëjmë asnjë fals në këto finale.

Ndryshe nga ju që i mbyllët llogaritë me 3 ndeshje kundër Tiranës, gjysmëfinalja tjetër mes Teutës dhe Vllaznisë po rezulton me shumë rivalitet. I keni ndjekur ndeshjet dhe cilët do të preferonit në finale mes durrsakëve dhe shkodranëve?

Po, është e vërtetë që ne e kemi mbyllur kualifikimin me tri ndeshje në gjysmëfinale, ndërsa Teuta dhe Vllaznia vazhdojnë përballjet. Kjo nga njëra anë bën që ne të jemi më të pushuar fizikisht, por pa dyshim që stërvitja jonë nuk është ndërprerë asnjëherë dhe përgatitemi dy herë në ditë për kundërshtarin e radhës. Unë e kam thënë edhe më përpara që do të preferoja Vllazninë në finale. Për mënyrën sesi ka ardhur Vllaznia këtu ka dëshirë që ndeshjet finale të luhen në Shkodër, për vetë atmosferën që krijohet në atë qytet. Më vjen keq që në këtë rast, pra si me Vllazninë, gjithashtu edhe me Teutën ne do të futemi për të fituar dhe kjo është e vetmja keqardhje nëse ndeshemi me kuqeblutë.

94c994e6-32f5-4fe3-9dcf-8cc6d7ba1ce6

Gjithashtu, si gjithmonë nuk kanë munguar as polemikat për arbitrimin. Mendoni që gjykimi është vërtetë një problem shqetësues, apo teprohet me tonet e përdorura?

Unë e kam thënë dhe vazhdoj që të theksoj që arbitrimi nuk është në nivelin e ekipeve. Arbitrimi lë për të dëshiruar dhe ka shumë vend për t’u përmirësuar. Më e keqja në kampionatin shqiptar është se arbitrat nuk merren në analizë për të parë sesi arbitrohet një ndeshje dhe si arbitrohet një ndeshje tjetër, por thjesht qëndrojnë në kuadrin e fjalëve si nga ana e drejtuesve, si nga ana e ekipeve dhe gjëra konkrete nuk ka. Unë personalisht bashkë me ekipin jemi mundur që ta anashkalojmë arbitrimin në mënyrë që ta kemi fokusin kryesor te skuadra dhe te kundërshtarët. Në gjykimin tim mendoj që arbitrimi ka vend për përmirësim të madh dhe nuk është se Shqipëria ka arbitra të këqij, pasi faktikisht kemi gjyqtarë të mirë. Por duhet të përmirësohen dhe të azhurnohen me çdo gjë që ndodh në sportin e basketbollit. Siç dihet ky është një sport dinamik dhe arbitrat duhet të jenë në nivelin e kësaj dinamike.

Ju vjen keq që një ekip i tillë si Besëlidhja nuk luan para publikut të qytetit që përfaqëson, por duhet t’i zhvillojë ndeshjet në Tiranë apo Shkodër së fundmi…

Realisht më vjen keq për këtë pjesë, pasi do të doja shumë që Besëlidhja të kishte fushën e sajë në Lezhë. Megjithatë, nuk na ka munguar mbështetja e tifozëve edhe në Tiranë, apo edhe në Shkodër në gjysmëfinalen e tretë. Unë do të doja shumë që të luanim në Lezhë. E di që ka një iniciativë nga kryetari i bashkisë për të bërë një pallat sporti në Lezhë dhe ka hapa konkretë faktikisht, por për aq kohë sa nuk ka diçka të shkuar mbi letra nuk mund të them më tepër. Mendoj që Besëlidhja e meriton një pallat sporti, ashtu sikurse e meritojnë të gjitha ekipet, por ne jemi të vetmit pa një sallë për të zhvilluar ndeshjet në qytetin tonë. Sigurisht që do të doja shumë që të luanim në qytetin tonë dhe të kishim tifozërinë në pallatin e sportit që do të na jepte një avantazh fushe.

13a642fb-d15a-4ba6-8901-67e9e4b026e7

Çfarë prisni nga finalet?

Finalet janë gjithmonë finale dhe pavarësisht kush do të dalë, ndeshjet janë me emocion, ka ngarkesë, pasi shpallet fituesi i titullit kampion. Na pret një seri e gjatë finalesh, sepse këtë vit formula ka ndryshuar dhe nuk është më me 5 ndeshje dhe 3 fitore, por është me 7 ndeshje dhe 4 fitore. Do të jenë shteruese si finale të them drejtën, megjithatë ne jemi të përgatitur për çdo kundërshtar që do të kemi përballë, për të dhënë maksimumin dhe për të dalë kampionë. Besëlidhja është këtu edhe falë mbështetjes së Bashkisë Lezhë dhe sponsorëve lezhjanë. Dua të përmend presidentin e ekipit, Ylli Ujka, i cili është pranë ekipit dhe me mbështetjen e tij mendoj që me përkrahjen e tij dhe të gjithë mbështetësve të Besëlidhjes, kjo skuadër do të jetë kryefjala e basketbollit shqiptar për shumë vite në vazhdim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"