Barazim i “ëmbël” ndaj krutanëve, Elbasani pa goleadorin kryesor kundër Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 14:52

Barazim i “ëmbël” ndaj krutanëve, Elbasani pa goleadorin kryesor kundër Lushnjës

Ndonëse Elbasani doli me vetëm një pikë nga ndeshja në Fushë–Krujë përballë Kastriotit, në fund rezultoi një javë që foli sërish për ta. Thuhet kështu, pasi humbja e Bylisit të vendit të dytë i dha mundësinë elbasanasve të rikuperojnë dhe një tjetër pikë ndaj tyre, duke qëndruar të vetëm në krye të klasifikimit për të tretën javë radhazi.

GRECA

Për këtë arsye, kjo pikë duke parë se si shkuan gjërat është konsideruar pozitive, për më tepër që kampionati sa vjen e bëhet më i fortë dhe nuk është e lehtë të fitosh gjithnjë. Si për ironi të fatit, krutanët vijojnë të mbeten e vetmja skuadër nga gjashtë ekipet e vendeve të fundit që kanë mundur të ndalin verdheblutë. Fillimisht në javën e parë në barazimin 1-1 po në Fushë–Krujë dhe së fundmi në barazimin 2-2. Gjithsesi, ky i fundit ishte një barazim i “ëmbël” dhe pa dëme për verdheblutë.

LUSHNJA – Nevil Dede ka vendosur që skuadra të mos bëjë pushim një ditë pas ndeshjes, por të rikthehet menjëherë në stërvitje. Nuk bëhet fjalë për ndonjë dënim, por koha në dispozicion për t’u përgatitur për sfidën e radhës ndaj Lushnjës në “Elbasan Arena” është më e paktë. Kjo ndeshje do të luhet ditën e dielë dhe në Elbasan kanë preferuar të nisin menjëherë përgatitjet dhe të mos humbin kohë. Edhe pse në dy përballjet e kaluara verdheblutë ia kanë dalë të fitojnë, sërish lushnjarët shihen si një skuadër me potencial që do kujdes për t’u kaluar me sukses.

MUNGON GRECA – Për ndeshjen me lushnjarët, Nevil Dede duhet t’i bëjë llogaritë pa sulmuesin kryesor, golashënuesin Bedri Greca. Autori i 13 golave këtë edicion ka mbushur numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do i duhet të bëjë një javë stop. 33-vjeçari u rikthye me elbasanasit pas një dëmtimi që pësoi në janarin e këtij viti dhe kapi menjëherë formën e mirë.

Mirëpo, duke qenë se sulmuesi do të mungojë, në seancat stërvitore të këtyre pak ditëve, Dedes i duhet të rindërtojë skuadrën në fazën ofensive pa lojtarin më në formë për momentin. Gjithsesi, përpos mungesave apo gjendjes së lojtarëve, në fund verdheblutë do të tentojnë maksimumin për të mos vënë më në rrezik vendin e parë dhe titullin kampion.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"