Bakaj sfidon Tiranën: Dua Superkupën, nuk më tremb presioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 20:08

Bakaj sfidon Tiranën: Dua Superkupën, nuk më tremb presioni

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, tashmë pjesë e Kukësit, Elis Bakaj, në një intervistë për “Panorama Sport” rrëfen të vërtetat e transferimit të tij, ku zgjedhja e kampionëve ishte e lehtë. Duke parë objektivat e Kukësit, Bakaj thotë se rruga mes tyre është e njëjtë, pasi dhe ai i shkrirë me ekipin synon mbrojtjen e titullit kampion.

bakaj

Ndërsa në aspektin personal nuk jep shifra golash, por premton se do japë maksimumin për ekipin, me qëllim që të arrihen objektivat. Bakaj thotë se Kukësi ka lojtarë mjaft cilësorë dhe jo më kot janë kampionët në fuqi, ndërsa falë eksperiencës së tij të gjatë e ka shumë më të lehtë përshtatjen.

Rivalët e Kukësit për titull janë Skënderbeu dhe Partizani, por surprizën do ta bëjë dhe Flamurtari, pasi sipas fantazistit, vlonjatët kanë bërë një merkato mjaft të mirë dhe i shikon në garën për titull.

Bakaj, u bëtë zyrtarisht pjesë e Kukësit, a jeni përshtatur me ekipin e ri?

Po, është e vërtetë që kam luajtur me shumë klube si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë shtetit. U bë vite që luaj dhe kam eksperiencë të gjatë dhe nisur nga ky aspekt besoj që do ta kem shumë të lehtë. Ka nisur ambientimi, i cili do zgjasë shumë pak, pasi do ndodhë shumë shpejt.

Si është të jeni pjesë e Kukësit?

Të jesh pjesë e ekipit kampion gjithmonë është ndjesi e mirë. E kam për nder që jam bërë pjesë e kampionëve të Shqipërisë.

Pse zgjodhët pikërisht Kukësin, ndërkohë që ofertat s’ju kanë munguar?

E kam pranuar me shumë kënaqësi të isha pjesë e Kukësit, pasi është një ekip pretendent vit për vit për kampion dhe ka një tifozeri shumë të mrekullueshme që të jep një shtysë shumë të madhe në ndeshje.

Ka ndryshim midis këtij klubi dhe atyre që keni qenë pjesë më parë?

Çdo ekip ka karakteristikat e veta. Pavarësisht se është një klub i ri, Kukësi vit për vit po bën progres shumë të madh dhe jo më kot vit për vit ka fituar trofe dhe ka kaluar ture në Europë.

Kush mendoni se është rivali juaj më i fortë për titull sivjet, Skënderbeu apo Partizani?

Unë do thosha si Partizani dhe Skënderbeu janë ekipe me lojtarë cilësorë dhe që do jenë bashkë me ne pretendentë për kampion. Nuk dua të lë pa përmendur që dhe Flamurtari këtë vit ka bërë merkato shumë të mirë dhe do jetë dhe ajo rivale për titullin.

Mendoni që Kukësi është i kompletuar për të ruajtur titullin, apo keni ende nevojë për prurje?

Nuk është kompetenca ime, që të them nëse jemi apo jo të kompletuar. Di të them që kemi shumë lojtarë cilësorë në organikë. Jemi kampionët në fuqi, po bëjmë një fazë përgatitore shumë të mirë dhe që të gjithë djemtë dhe i gjithë stafi po punojmë dhe po japim maksimumin që të jemi gati në 6 shtator për finalen e Superkupës. Normalisht që jemi gati për ta ruajtur titullin.

Ju keni qenë pjesë e dy klubeve nga më të mëdhatë në Shqipëri, Dinamos dhe Tiranës. Si është t’i shohësh në Kategori të Parë?

Janë dy nga klubet që kanë bërë historinë në kampionatin tonë dhe i duhen Superiores. Uroj që të ngjiten sa më shpejt, se Dinamo dhe Tirana, me trofetë që kanë mbi shpinë, janë një aset më shumë për kampionatin tonë. Është e trishtë të shikosh që këto dy klube nuk janë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.

Keni folur me trajnerin Milinkoviç për rolin, do luani si sulmues i dytë apo i parë?

Normal që kam biseduar me trajnerin, por pak rëndësi ka se ku do të luaj. Atë e di trajneri. E rëndësishme është që unë do jap maksimumin, atje ku do luaj. Qoftë në sulm, apo edhe pas sulmuesit. Pastaj, trajneri e vendos se ku mund ta ndihmoj unë më shumë ekipin. Unë kam ardhur këtu që t’i shërbej Kukësit.

Mendoni që dyshja Alijev-Bakaj do kompensojë më së miri mungesën e Pejiçit dhe Eminit?

Nuk dua të përmend emra dhe mbi të gjitha shifra. Nuk më ka pëlqyer kurrë ky fakt. E kam thënë edhe më përpara, e rëndësishme është të ecë ekipi dhe në qoftë se kjo ndodh, automatikisht lojtarët do dalin në evidencë.

Pejiç-Emini shënuan 36 gola bashku, a ju vendosin në presion këto shifra?

Unë jam mësuar të luaj nën presion. Gjithnjë më ka ndodhur kështu. Ndaj fjala “presion” për mua nuk ekziston. Ashtu si unë, edhe sulmuesit e tjerë duhet të jenë të qetë dhe të japin maksimumin. Nëse kjo ndodh, golat do të vijnë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"