Bajernit i vjen keq, Dortmundi është për mëshirë pas 6 golave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 21:08

Bajernit i vjen keq, Dortmundi është për mëshirë pas 6 golave

Një ndeshje për t’u harruar ajo e ditës së shtunë për skuadrën e Peter Shtëgerit që u mund në transfertë me rezultatin 6 me 0. Sigurisht kur humbja vjen nga një ekip si Bajerni i Mynihut, është disi e justifikueshme. Por tifozët verdhezinj vështirë se pajtohen me këtë argument dhe kanë ngelur të zhgënjyer nga skuadra e tyre që u shpërfytyrua që në pjesën e parë. Bajerni kaloi në avantazh që në minutën e 5-të me anë të Levandovskit, që shënoi nga një pozicion i dukshëm jashtë loje. Për çudi të të gjithëve, arbitri i ndeshjes nuk kërkoi fare ta shihte në përsëritje. VAR nuk u kërkua.

borusia dortmund

Por kjo nuk zbeh aspak paraqitjen spektakolare të bavarezëve që dominuan në çdo aspekt. Dhe pse pa mëshirë në fushën e lojës, pas ndeshjes shumë lojtarë të kampionëve shprehën keqardhjen e tyre për skuadrën rivale të Dortmundit që momentalisht ndodhet në vendin e tretë. Njëri prej tyre ishte Arjen Roben, që foli pas ndeshjes duke deklaruar se: “Këtë sezon po, diferenca ndaj Dortmundit ka qenë shumë e madhe. Duke parë ndeshjet direkte, kemi qenë më dominues. Por kjo nuk do të thotë se ata janë në këtë nivel. Ndeshje si këto ndodhin dhe as ne nuk na besohet që fituam kaq thellë. Në vitet e fundit nuk ka qenë një diferencë kaq e madhe ndaj tyre. Ndeshjet kanë qenë pothuajse të barabarta”, tha holandezi në formë keqardhje ndaj rivalëve të Borusias. Më pas ishte edhe ish-lojtari Mats Humels që shprehu keqardhje për ish-skuadrën e tij.

“Fola me disa nga lojtarët e Borusias pas takimit, ata ishin të shokuar. Por kjo nuk është hera e parë që ndodh. Mbaj mend kur luaja për ta, na mundi Bajerni 1-5 dhe një herë tjetër 5-0. Por pas disa vitesh arritëm të fitonim ndaj tyre duke u shpallur dhe kampion në Bundesligë. Për sa i përket lojës, e dominuam që nga minua e parë. Goli i shpejtë i Levandovskit na dha qetësinë. Më pas, loja përfundoi ashtu siç e patë dhe vetë”, përfundoi Humels. Ndërsa Tomas Myler ishte pak më i rezervuar se shokët e tij të skuadrës.

“Shpresoj që Borusia të ngrejë kokën dhe të shikojë përpara. Duhet të kapin një vend në Champions. Kemi nevojë për një konkurrent të fortë në Bundesligë. Gjithashtu edhe në Europë na duhet një përfaqësues i denjë për kampionatin gjerman. Besoj se ata do të rikthehen shpejt. Jam i sigurt për këtë gjë”, tha Myler, autori i golit të tretë në ndeshjen ndaj Dortmundit. Gjithsesi, skuadra nga Vestfaleni nuk është jashtë objektivave edhe pas rezultatit shkatërrues ndaj Bajernit. Objektivi Champions është aty dhe për momentin qëndrimi në vend të tetë është synimi kryesor i klubit të Shtëgerit, që shpreson të rikthehet te fitorja në ndeshjen e ardhshme në shtëpi, përballë Shtutgardit që renditet në vendin e tetë në Bundesligë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"