Asnjë pikë në 540 minuta dhe 16 gola të pësuar, Elbasani në kolaps. Shpëtimi te… merkatoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2020 | 11:02

Asnjë pikë në 540 minuta dhe 16 gola të pësuar, Elbasani në kolaps. Shpëtimi te… merkatoja

Elbasani e sheh shpëtimin vetëm te merkatoja e janarit. Kur kanë luajtur 6 ndeshje, skuadra ka koleksionuar vetëm humbje. Nuk mungojnë vetëm pikët, pasi edhe golavarazhi është si mos më keq. Nëse në Cërrik gjetën golin e parë, zyrtarisht në 540 minuta kanë pësuar 16 gola. Dhe për të mos thelluar rekordin e zi, duhet që të paktën të mos dalin duarbosh nga ndeshja e fundit e fazës së parë. Nëse këtë fundjavë e kanë pushim, të mërkurën do të matin forcat me Besën që pretendon elitën. Me këtë grup futbollistësh, mbijetesa duket si një mision i pamundur. Lojërat e mira dhe paraqitjet pozitive nuk kanë asnjë vlerë, për aq kohë sa ekipi del i humbur nga fusha.
egnatia elbasani
Për fat të keq, pikët i mungojnë Elbasanit dhe kjo i detyron drejtuesit që të bëjnë patjetër ndryshime në organikë. Me mungesën e lëvizjeve të mëdha dhe ruajtjen e bazës së skuadrës të një viti më parë, u mendua se ekipi do të ishte më konkurrues, por kjo zgjedhje rezultoi e gabuar. Përforcimet janë emergjencë, por çdo gjë varet nga financat.

REPARTET – Që merkatoja të japë efekt, duhet bërë ndërhyrje në të gjitha repartet. Nevoja është e madhe, duke nisur që nga porta. Aktualisht Elbasani po vuan në këtë sektor. Ferit Moli ka munguar në ndeshjet e fundit dhe ka pasur probleme me dëmtimet dhe peshën e portës në sfidat e fundit e ka mbajtur 17-vjeçari Redon Gega. Gjasat janë që të hyjnë në merkato edhe për një portier. Edhe mbrojtja ka lënë për të dëshiruar dhe mjafton të shohësh që pësojnë pa fund. Për më tepër, mungojnë alternativat dhe thuajse në të gjitha ndeshjet është luajtur me të njëjtët futbollistë. E njëjta situatë edhe për mesin e fushës, i cili duket se nuk po e bën lidhjen e duhur midis reparteve, ndaj ndërhyrjet janë imediate. Sakaq, ai që bie më shumë në sy që nuk po funksionon është sulmi, ku golin e parë e kanë shënuar pas gjashtë ndeshjesh dhe për më tepër ka ardhur nga një mbrojtës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"