Armando Sadiku është gati për Vijarealin: Një gol? Shpresoj dy!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2016 | 9:00

Armando Sadiku është gati për Vijarealin: Një gol? Shpresoj dy!

Armando Sadiku po pret me padurim aventurën në Ligën e Europës me fanellën e Zyrihut. Klubi insistoi të mbante futbollistin e përfaqësueses shqiptare pikërisht se merrte pjesë në këtë turne, edhe pse i rënë në kategorinë e dytë zvicerane dhe sulmuesi e sheh veten gati për një duel aspak të lehtë në fazën në grupe ku përballë, sonte do të ketë Vijarealin.

armando sadiku

“Sigurisht që ka një diferencë të madhe cilësore, e dimë edhe ne, duhet të luajmë, nuk kemi çfarë të humbim. Mua më pëlqen të luaj ndeshje të tilla ndaj duhet të hyjmë në fushë dhe të argëtohemi”, tha sulmuesi shqiptar për “rsi.ch”

Sipas tij, në këtë ndeshje do të duhet që të gjithë të shprehin maksimumin e tyre, sepse skuadra spanjolle ka lojtarë shumë cilësorë në përbërje. “Si na ka përgatitur trajneri Forte? Na ka thënë që duhet të marrim me vete këpucët më të shpejta që kemi pasi është një ndeshje ku do të na duhet të vrapojmë shumë, edhe të mbrojmë shumë. Na ka karikuar kështu, por nuk ka bërë ndonjë gjë me të veçantë se kaq. Ne thjesht duhet të shkojmë atje, të bëjmë më të mirën dhe të mundohemi të sjellim në shtëpi një rezultat sa të mirë”, vijoi sulmuesi.

Armando Sadiku dhe Burim Kukeli para udhetimit drejt Spanjes

Armando Sadiku dhe Burim Kukeli para udhetimit drejt Spanjes

Për Sadikun, ndonëse në kategorinë e dytë zvicerane, gjerat po ecin mirë në planin personal pasi po shënon me rregullsi si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. “Jam kthyer pak i lodhur nga pushimet dhe në fillim nuk isha aq në formë. Por kam punuar shumë personalisht në aspektin fizik e psikologjik dhe kam gjetur besimin që kisha kur u mbyll kampionati i kaluar.

Edhe me kombëtaren po paraqitem mirë, po luaj të gjitha ndeshjet, falë De Biazit e Tramexanit që po më japin besim 100%. Por edhe po arrij rezultate me golat e mi. Jam i lumtur dhe dua të vazhdoj kështu”, tha ai.

I ngacmuar nga gazetari zviceran nëse mendonte të shënonte edhe sonte ndaj Vijarealit, Sadiku nuk ka fshehur besimin që ka te aftësitë e tij. “Shpresojmë, unë jam një person që beson dhe jam pozitiv. Pse mos të shënoj, ndoshta edhe dy gola”, deklaroi Sadiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"